“Kadare”, shtatëvëllimshi i “Onufri”, dhurata që do ju mbetet testament
Nga Albert Vataj
Më 17 maj të vitit të shkuar, Bujar Hudhri, botuesi i “Onufri”, lançon në rrjetin social Facebook, atë që ai e ka quajtur “Ëndërr 30-vjeçare”, veprën e plotë të Ismail Kadare, një nga botimet më dinjitoze të ardhura nga një shtëpi botuese në Shqipëri. Për të apasionuarit e librit dhe jo vetëm, ky botim nuk është thjeshtë një përmbledhje e plotë e veprës së Ismail Kadare, por një monument që rrokaqiell tashmërinë e nevojës dhe obligimit që kemi ne, për ridimensionimin e një qasjeje për ta integruar këtë opus në thesaret tona kombëtare, në të drejtën për t’u mburrur dhe përfaqësuar si përkatësi kulturore dhe pasuri shpirtërore. Ndërsa rrekemi të zgjojmë kujtesën e kësaj ngjarjeje në botimet shqip, dëshirimshëm i jepemi adhuruesve të cilët librin kishin gjithçka dhe… “Ndoshta nuk ka ditë të fëmijërisë sonë që të kemi jetuar aq të plota sa ato që besuam se i kishim kaluar pa jetuar, në shoqërinë e një libri të preferuar… edhe sot, nëse ndodh t’i shfletojmë ato libra të dikurshëm, shikojmë ato sikur të ishin të vetmit kalendarë që kemi ruajtur të ditëve që ishin dhe me shpresën për të parë të pasqyruar në faqet e tyre pallatet dhe pellgjet që nuk ekzistojnë më.” Shkruan, siç e ndjejmë ne, Marsel Proust.
Për librin dhe me librin
Libri, Ai mund të jetë gjithçka e jona, por krejtçfarë e mirë në veten tona, shpirtërisht e mbushur me eter dhe magjepsje i atribuohet atij, gjithçka që na lejon të ndjehemi krenar, e kemi huazuar prej tij. “Nëse duam të dimë kuptimin e ekzistencës, duhet të hapim një libër: atje poshtë, në cepin më të errët të kapitullit, është një fjali e shkruar enkas për ne”, citon Peter Cituar, është aty një prekje që na drithëron, një zë dëgjojmë teksa na thërret, po, është ajo ndjesia jonë e pashpjegueshme që na ndez beftas në një çast të vetëm.
Ai nuk bën pjesë në ato sajesa të rafinuara që kërkon nga ju me çdo çmim t’u shndërrojë në vrasës të kohës, por në magjepsës të magjishëm të saj. Si një mrekulli, libri nuk premton të bëjë mrekulli, por mundet që faqe pas faqeje, kapitull pas kapitulli, episod pas episodi, t’u bëjë të ndjeheni të prekur nga një magji, e cila bën që gjithçka rreth jush të rroket prej një rrezellitjeje dehëse, dhe çdo realitet të jetë një ëndërr, me të cilën jeni shpërblyer.
Duke udhëtuar përmes dimensionit të kohërave, kaluar mbi shpirtrat dhe ligjërimet e hyjshme të kumtimit, ka behur në ëndjen tonë për ta shndërruar atë në një altar dhe ka zgjuar prej thellë vullneteve dhe vetëdijes sonë atë lartësuesin, gjunjëzim të besimit te dija, për të qenë ai, libri.
Libri, ishte, është dhe do të jetë
Pavarësisht se sot librat janë pjesë periferike e interesit të njerëzve, asaj shoqërie që po përpëlitën nën peshën e një realiteti të diktatit të algoritmit, që në një tentativë për t’i dhënë vendin e merituar çdo risie dhe noviteti, po gllabëron në mënyrë të përbindshme kohën dhe së bashku me të shpirtrat. Megjithatë, në këtë atmosferë makthi, frike dhe pasigurie, libri ka shërbestarët e saj, ata që besojnë ende, ata që kanë atë gjithçka dhe e tyre është ai, libri, ndoshta jo tamam si një sipërmarrje, se sa si një shpirtje që ata i blatohen. Janë pikërisht ata që bëjnë që libri gëzon ende statusin e një zgjatimi të gjymtyrëve dhe shqisave, arsyes për të menduar, vlerës dhe tendencës si prioritete.
Në heshtjen e tij mistike, ai, libri është ende atje në kthinat e rrugëve të potershme e vërshimeve të ububushme urbane. Është aty nën një ndriçim të zbehtë i strukur në heshtjen vetmitare, duke rrëfyer për botë që nuk dinim se ekzistonin, dhe realitete ardhmërie që tejkalojnë çdo përfytyrim dhe thyejnë kangjellat e çdo shpengimi, që rreket të harbohet në një botë yjore që zgjon. Del nga thellësia e kohës një zë që thërret potershëm, nga mermeret zgjohen të ikurit, prej statujave zbresin heronjtë e nga tablotë dalin mitet. Zemra që flakërijnë e buzë që puthen, plagë që lëngojnë dhe këngë të vajshme që shkrihen në kërcime zanash, janë aty ne teatralitetin e një bote që ngulmshëm kërkon të përtërijë. Dalin nga letra legjendat, historia zë e kushtron fushëbetejave. Prej shkëmbit shpërthejnë gjymtyrët e erërave dhe marrin arratinë brigjet shkëmbore ku anijet e shkallëmuara ruajnë ende shpirtin e paepur të detarëve.
Gjithëkëtë e përcjell çasti i një ëndjeje që ende ka and të jetojë mijëra botë në një të vetme që kërkojnë të ia marrin përdhunshëm. Por nuk jepet jo, ai vullnet dhe ajo shpirtje që ka rilindur në jetë që ka pulsuar në gjakun e tij. Nuk mund ti dorëzohet asnjë sunduesi. Nuk ka asgjë për të shkëmbyer në një tashmëri që kërkon gjithçka për të të mos dhënë asgjë më shumë se zhguallin.
Aty kah erdhi libri
U gatua nga drurët dhe shkoi me lutje duke ju dhënë duarva të mbrurësve, doli nga zjarri dhe zjarreve shkoi kaluar si një lajmës. U pëshpëriti padurimeve fjalë dhe ëndrra dhe e gjetëm ku nata rrëzonte qiej dhe mure, thyente amforat e gojëdhënave dhe mureve nderej me myshqet për të mbërritur te kambanat dhe britmat e shkrehur në prehrat e drobitur, e lagur rebesheve të pikëllimit. Erdhi nga larg dhe ju gjegj fare pranë arsyes. Foli bardhëdhimshëm me çdo zezonë që zu të tregonte si luftëtari plagët si dëshmi kacafytjeje dhe mosnënshtrimi. Foli zëshëm dhe dëgjesë mbolli kah shkoi prej pemëve kah zbriti deri te algoritmi, deri tekkëtu ku gjithçmos është e përligjur.
Aty është fjala dhe fara
Libri është aty, ka qenë shumë përpara se të mbërrinin gjithë këta pushtues. Ka mbijetuar rrebesheve dhe rrëmeteve më gjatë se çdo qëndresë tjetër, e paepur si një dishepull që i joshur nga drita shkoi nëpër terr për të predikuar fjalën, për të valëvitur flamujt e gjitha betejave dhe hedhur farën aty ku mbiu ëndrra e të gjithë dëshirimeve. Dhe thirri me zë qielli zëri i krejt gjëmimeve që shkundullitën shpirtrat e trazimtarë, u ngritën në ndeshje me krejt ndalimet që i zunë pusi. Dhe kur fantazmat zunë të flasin, ai u fsheh pas pamundësisë për të qenë më shumë se gjithçka që bota ka stisur për t’iu kundërvënë gjithçaje që peshonte në frymëmarrjen dhe dritjen e ëndrrës. Nuk pati frikë jo, ai u dogj e u përdhos, u kthye në mall dhe u shkëmbye si plaçë, pa nxjerrë zë e pa u ankuar. Sepse kishte ardhur të pasuronte botën me penë, përnjëmend si një parmendë.
Libri si një dhuratë
Dhe është ende aty libri, njejt në madhështi dhe sublimitet, është aty ku thërret me zë, dëgjon me zemër dhe krahëflakëron e ëndërrt. Në morinë mbytëse të gjithçkaje, ai sërish, është ai që bën dallimin, ai është aty si tendenca njerëzore për t’i konsideruar gjërat e vogla si të rëndësishme. Ndoshta është çfarë përkufizonte Johann Wolfgang von Goethe, në: “Grumbuj librash nuk janë shkruar vetëm që dikush të mësojë diçka prej tyre, por më shumë, janë shkruar që njeriu të hetojë se shkruesi i tyre dinte aq shumë dhe kishte diçka të vyer për ta ndarë me dikë tjetër, me ju”.
Dhe ju mendoni se një libër mund të jetë një pjesë e vetes suaj që kërkon ta ndash me atë që të qenit i shtrenjtë e shenjtëron çfarë ti ndjen dhe përjeton. Kahëkëtu ti nisesh për të shkuar atje ku pritja është e padurueshme, të jesh disi aty, të jesh ndoshta faqet e një libri.
Dhe… ju po kërkonit një ide për dhuratë për një mikun/miken tuaj, është vërtetë problem, kur rropatesh mes shumë alternativash në pamundësi për të qëlluar në shenjë. Ndoshta unë nuk jam i duhuri që i rekomandoje çfarë dhurate mund t’i dërgoni një mikut apo mikes suaj, por personalisht do të më pëlqente vepra e plotë e Kadare, “Shtatë dekada krijimtari në shtatë vëllime”.
Pavarësisht se personi që dëshironi t’i bëni një dhuratë, lexon ose jo, ju bëjeni këtë pa menduar se pas kësaj dhurate arrin të ndizet një shkundi e interesit për librin ose jo. Ju bëjeni siç çdo rreze dielli bën, e çdo dritje mëkon. Ndoshta ju nuk po jepni atij që ju meriton, një seri librash dhe jetën e një autori dhe një kombi, rrëfyer përmes detit të dallgëzuar të zëshmërisë së shpirtit, shumë më shumë ofrojnë duart që zgjatën e zemrat që çelen.
Ju keni gjithçka por unë jam
Miku im i dashur, jeta është… plot aventura, plot emocione, plot sekrete, plot dashuri, plot zgjedhje, plot filozofi, plot emocione, plot sfida, plot imagjinatë, dhe shume te tjera përplot, plot me boshin që e përpin nëse gjithëçfarë nuk u gërmëzua e nuk kundërmoi bojë dhe ngjitës, nëse në mes mbetet ajo heshtje që na varroi më mizorisht se çdo britmë, kujë e kushtrim.
Ju mund të jeni të shpërblyer aq bujarisht nga fati sa të mos u mungoj asgjë në jetën tuaj, por libri dhe krejt krahët e lirive të kredhura në një qiell që jepet, është aty për të të treguar se ka ende diçka për të ndarë me ty. Është një heshtje që zë të flasë nën një barrë që e ka zënë përfundi. Provoje se nën këtë peshë vetja juaj kërkon çlirim, ardhja lajmëse mes të zgjedhurve zgjedh ty, ty që shpërblehesh.
Po, kjo është
Askush nuk guxoi të çmendej kaq sa të fliste me zemër në dorë. Libri erdhi duke trokitur thellë ku dyer ende janë të kyçura, ku pritjet qëndrojnë si kolonat në tempuj. Erdhi dhe e shpaloi kohë ai zë që në rrufe e mprehu penën, jakëtu u gjet ndërsa u ul me kuvendue e me ju fal çdo qasshmërie, ngase zgjodhi fjalën dhe letrën për të qenë yti. Në pakohë vjen gjithnjë ai që kërkon të gjej kohën e duhur për gjërat e mëdha, për madhështinë e sublimimeve, që e kthejnë te përmbushja e ëndrrës më shumë se te… është aty në gjithçfarë ndodh në këtë të tashme, për të mos lënë pas asgjë. Nesër, çdo nesër është pendesë më shumë se vonë.
Krejt ai ngulmim i libërt dhe për librin, nga një ide dhe mendim, u ngjiz, lindi dhe është këtu si një atribut i atëbotshëm që… U sendërtua në një shtatëvëllimshëm, në një vepër të tillë të solemshme që hyn si një ogur dhe bekim në strehën tënde. Dhe ti do ta kuptosh në të vërtetë se kush ka bujtur në shtëpinë tuaj.. vetëm kur ta keni pjesë e gjërave me të cilat jeni i lidhur shpirtërisht, vetëm atëherë do të arrish ta kuptosh se… po kjo ishte gjëja e cila vërtetë do të më mungonte.
Ju meritoni atë që dua të mbeten unë për ty
Miku im dhe ju mikja ime, zgjidheni këtë shtatëvëllimsh të veprës së plotë të Kadare, t’ia bëni dhuratë dikujt që ju e vlerësoni aq shumë sa ta meritojë një dhuratë të tillë. Ju nuk do të dhuroni vetëm një seri librash, por së bashku me të ju do të jepni mikut ose mikes suaj pjesë nga vetja juaj, nga ajo që ju e keni të shtrenjtë dhe duhet ta meritojë dikush që ta ketë atë.
Hape zemrën dhe bëje shpirtin t’u flasë përjetimeve tuaja. Shtrije dorën që jep si në një akt solemn lutjeje, dhe do të shohësh se vetë qielli do të derdhë mbi atë bekim praninë e një begatimi hyjnor. Sepse keni zgjedhur të dhuroni atë që është qiellore.
Bëj një dhuratë të cilën do ta kujtosh gjithminë dhe nuk do të mjaftojë mirënjohja e atij që ka privilegji ta meritojë. Nuk është vlefta monetare ajo që e bën këtë kaq të vlertë, ndoshta as vetë vepra e një autori të madh, por libri, i cili duke u dhuruar ju, i blatoheni këtij akti si dikur perëndive dhe zotave.
Asnjë dhuratë nuk e ngre shpirtin e begatisë së zemrës së bardhë dhe dorës që lutet, më shumë se sa përmes kësaj madhështi që e fisnikëron aktin.
Trego me vepër se sa i e/i rëndësishëm je për dikë. Kësisoj ju keni dëshmuar se jeni vërtetë ai/ajo.
Po, s’pari kjo nuk është vetëm një dhuratë nga më të çmuarat që mund të keni marrë, por është dhe do të mbetet një thesar në bibliotekën tuaj, një aset për testament. Ju, jo vetëm do të gëzoni të drejtën tuaj për t’u krenuar për një vlerë të paçim, por edhe do të keni legjitimitetin për të zotëruar historinë e kombit shqiptar, e rrëfyer mjeshtërisht përmes një prej penave më të qenësishme të lirësisë shqiptare, Ismail Kadare, atij që foli shqip kthjellshëm, duke e psuruar fjalorin dhe lartësuar rrëfimin.
Ndoshta ju jeni mësuar të merrni dhuratë të shtrenjta, dhe “Shtatë dekada krijimtari në shtatë vëllime” të Kadare, nuk vijnë të të mbushin honin përpirës të pamundësisë për të qenë i prekur nga një urim apo i mbushur nga një dhuratë, por ndoshta vijnë si një ogur i mirë për të besuar se jeta na pamundëson shumë gjëra duke mos u kursyer të na japë gjithçka, kur heziton të na mbushi shpirtrisht.
Kurrë nuk është vonë për të bërë pjesë të jetës tënde përrallore librin, duke filluar me “Shtatë dekada krijimtari në shtatë vëllime” të Kadaresë, botime Onufri, i keni dhënë jetës suaj një dimension të ri, gjërave të zakonshme i keni pagëzuar me pagëzimin e një akti.
Hudhri shkruan një vit më parë
“Ky opus shtatëvëllimësh është më i ploti i botuar deri më sot dhe e paraqet krijimtarinë e Kadaresë në përmasën integrale të saj, duke mbetur përgjithmonë versioni përfundimtar dhe referencial për të gjitha botimet e mëvonshme në shqip dhe në gjuhët e huaja.”
“Nuk ka fat më të bukur për një botues se të jetë i pranishëm në jetën krijuese të një shkrimtari si Kadareja, i cili i rishikon shkrimet e tij sa herë i jepet mundësia, me synimin e vetëm për t’i përmirësuar artistikisht e, sidomos, gjuhësisht., shkruan Bujar Hudhri një vit më parë ndërsa prezantonte shtatëvëllimshin e veprës së plotë të Kadaresë.
Gjatë tri viteve kur përgatitej kolana prej njëzet vëllimesh, ai lexoi kryekreje çdo libër të tij. Ndërkohë, në studion e tij, në kafenenë e preferuar, ndërsa ndjek nga afër ndryshimet, ndreqjet dhe përmirësimet që autori i shënon me dorën e tij mes rreshtave, në fund të tekstit apo anash faqeve të dorëshkrimeve të veprave të dikurshme, e ndihesh sikur ke qenë i pranishëm në kohën kur ato janë shkruar, para viteve nëntëdhjetë. Një mrekulli krejt tjetër ka qenë procesi i botimit të krijimeve të reja të autorit. Përherë, pasi dilnim nga bar “Juvenilja”, ecnim në natyrë, në Parkun e Madh te kodrat e liqenit, ai niste të tregonte vijimin e subjektit, të cilin ende nuk e kishte hedhur në letër. Si në një ëndërr, sheh si të shkasin nëpër gishtërinj grimca ari, po ashtu e ke të pamundur të fiksosh magjinë e fjalëve kur je ti i vetmi që po i dëgjon. Në ato orë të paharrueshme, sikur të mos ishin të kësaj bote, më pushtonte gjithmonë një ndjesi: sa do të doja t’ia përcillja në çast lexuesit gjithçka dëgjoja dhe përjetoja! Po si mund të arrihej kjo? Vërtet botuesi është një ndërmjetës midis autorit dhe lexuesit, por ai mund të bëhet edhe pengesë mes tyre. Nga përvoja tridhjetëvjeçare me një klasik të gjallë të letërsisë botërore, kam mësuar se si arti i botimit dhe i shtypit të kësaj kolane të bëhej i padukshëm, që lexuesi i tij shqiptar, i tanishëm dhe i ardhshëm, kudo në botë, të dëgjonte përhershëm vetë jehonën e zërit të Kadaresë.
Jemi një vit më pas
Kurrë nuk është folur për librin më shumë se sot, por kurrë më pak nuk është bërë për të, që ai të jetë një udhëprirës shpirtëror, një forcë e transformimit dhe emancipimit të shoqërisë.
Libri u ndalua, u linçuan autorë, u masakruan predikuesit e fjalës, por kurrë nuk u guxua sa sot, që ata të cilët ushqehen me baltën psikosociale Big Brother të flasin për librin dhe të madhështojë këtë misionar të shëlbimit me duart e pista dhe mendjen e molepsur prej këtij rituali naivitetesh të djallja që hyjnë helmët në gjakun tonë.
Dikur librat digjej si heretikët, të gjallë në turrën e druve, sot ai përdoret si mjet arredimi, dhe kjo për fajin e librit, i cili s’ka mundur të jetë më shumë se si i tillë për ata që i lejoi të bëhen të pasur që sot nuk i ndalon dot të jenë dru. Në këtë botë apokaliptike, dikush Bujar Hudhri guxon duke besuar dhe përkundër të gjithëve kërkon të sjellë në jetë, “Shtatë dekada krijimtari në shtatë vëllime” e Ismail Kadare. Ai nuk është thjeshtë një botues i të madhit të mëdhenjve të letërsisë shqipe, ai është ai që beson ende në altarin ku ne gjunjëzohemi dhe lutemi.
Albert Vataj