Kanabis, foto dhe deputetë
Turizmi i kanabisit është trendi kësaj vere dhe Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri guida më e mirë, që garanton udhëtim të sigurtë, mbërritje në vendin e krimit dhe pamjet më të bukura për turistët. Pas gazetarëve, Saimir Tahirin e shfrytëzuan deputetët e Partisë Socialiste. Një grup prej tyre janë organizuar bashkë për të udhëtuar drejt fshatit Gjegjan këtë mesditë. Në rrethinat e Pukës, deputetët socialistë panë kanabisin dhe policët që korrin drogën. Në videon që guida turistike publikoi në Facebook, duken deputetët Ulsi Manja, Pirro Lutaj, Amarlido Xhindi, Bashkim Qefalia apo Spartak Braho që i gëzohen udhëtimit në një majë mali. Sapo kanë zbritur nga helikopteri, deputetët duken të qeshur për këtë trip të organizuar nga Tahiri. Në kamera duket edhe Zv.Ministri i Brendshëm Stefan Çipa dhe shoferi i Tahirit.
Tre deputetët shfrytëzojnë momentin dhe bëjnë selfie. Video tregon se guida turistike i bashkohet për t’u filmuar së bashku me ta. I vetëdijshëm që prodhimi i kanabisit këtë vit ka qenë një rekord nga veriu në jug, Saimir Tahiri ka zgjedhur të shoqërojë vetë gazetarët, dhe tani deputetët në parcelat me kanabis, për të amortizuar në opinionin publik dështimin e luftës kundër drogës. Njësoj si gazetarët në Poçem apo në Tragjas të Vlorës, edhe deputetët duken të qeshur mes parcelave me kanabis, njësoj sikur të bëhej fjalë për një shfaqje artistike apo sportive. Në fakt parcelat me kanabis mbeten thjesht dhe vetëm një skenë krimi.