Kancelarja Angela Merkel shkon nesër në vendin e aksidentit të avionit

Me avionin e rrëzuar në Francën jugore udhëtonin shumë gjermanë. Në mesin e tyre një klasë me nxënës shkolle. Arsyet e rrëzimit janë ende të paqarta.

Një avion i shoqërisë bijë të Lufthansës, Germanwings, është rrëzuar këtë të martë në jug të Francës. Avioni ishte duke udhëtuar nga Barcelona për në Düsseldorf. Shoqëria ajrore Germanwings ka konfirmuar se në avionin e rrëzuar në Francën Jugore sipas të dhënave të deritanishme ndodheshin 150 vetë, pasagjerë dhe punonjës të ekipazhit.

Sipas shoqërisë ajrore Germanwings, 67 nga viktimat janë gjermanë, në mesin e tyre edhe një klasë me nxënës nga qyteti Haltern në landin Nordrhein-Westfalen (NRW), të cilët kishin qenë në Spanjë për një kurs të gjuhës spanjolle. Këtë e njoftoi zëvendëskryeministrija e landit (NRW), njëkohësisht ministre e Arsimit Sylvia Löhrmann (të Gjelbrit) në stacionin WDR.

Avioni është nisur paradite nga Barcelona dhe rreth 100 kilometër në veri të Nicës është rrëzuar. Sipas të dhënave të policisë franceze nuk ka të mbijetuar nga aksidenti ajror. Pjesë të avionit janë gjetur në zonën ndërmjet Digne dhe Barcelonnette në Alpet e jugut. Gjetja e trupave të pajetë do të vazhdojë ndoshta me ditë të tëra për shkak të rajonit tepër të vështirë. Zona e rrëzimit të avionit ndodhet në Alpet franceze në një zonë me borë, të pakalueshme për makinat.

Shkaku i fatkeqësisë më të madhe ajrore në Evropë prej vitesh, është fillimisht i paqartë. Kryeministri francez Manuel Valls tha në parlamentin francez: "Në këtë moment nuk mund të përjashtohet asnjë hipotezë.

Qeveria gjermane ka ngritur ndërkohë një shtab krize. Kancelarja Angela Merkel, e cila anulloi të gjitha takimet e ditës së sotme, shprehu tronditjen e saj të thellë për aksidentin. Ajo do të shkojë nesër (25.03) në vendin e rrëzimit të avionit në Francë. "Rrëzimii avionit me më shumë se 140 njerëz në bord është një shok, njö pikëllim i thellë për ne në Gjermani, për francezët dhe spanjollët." Ajo tha se nuk ka shumë informacione për shkakun e rrëzimit. Çdo spekullim dueht t'ia ndalojmë vetes. "TAni është momenti, kur ne ndjejmë pikëllim të thellë." Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier deklaroi në Berlin se qeveria gjermane është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet franceze. Steinmeier u shprehu ngushëllimet e tij familjarëve të pasagjerëve dhe të anëtareve të ekuipazhit: "Në këto orë të vështira mendimet tona janë tek të gjithë ato, që kanë frikë se të afërmit e tyre mund të ndodhen në mesin e pasagjerëve, apo të anëtareve të ekuipazhit."

SHKARKO APP