Kaos politik, më mirë po shkoj në party
Nga Artan Fuga/
Që politika shqiptare ka hyrë në një krizë të thellë, këtë nuk ka nevojë të jesh analist për ta konstatuar. Edhe një adoleshente që ndjek shkarazi lajmet ndërkohë që krihet a vendos të kuq buzësh për të shkuar në një party, e ka ndjerë.
Midis shumicës parlamentare është konsumuar tashmë mirë a keq një çarje e pakthyeshme. Opozita është pa koherencë të brendshme dhe pa emër veprimi. Fatkeqësisht për qytetarin.
Midis krahëve të ndryshëm të shumicës dhe krahëve të opozitës ka bashkëpunime të fshehura që në fakt edhe adoleshentja jonë që po shkon në party e ndjen se ekzistojnë dhe e lënë politikën pa identitet.
Dhe së fundit deputetët që presin e rrinë se çfarë do thonë shefat, kurse partitë politike janë si gjela të Vitit të Ri që vetëm këndojnë kur u fishkëllen i zoti. Partitë e tjera opozitare mjaftohen me deklarata kontradiktore dhe nuk dinë se kujt t’ja ndreqin e kujt t’ja prishin.
Një raport ndërkombëtarësh ka penalizuar të gjithë aktorët politikë dhe e ka hedhur gurin a copën e bukës në shesh, ka spërkatur me lëng të gjithë nga lart dhe ata poshtë tyre tani janë të detyruar të shkundin pikat nga supet duke thënë : Shihni unë jam i palagur!
Asnjë provë gjyqsore nuk ka por adoleshentja jonë që para sesa të dali përshëndet shpejt e shpejt gjyshërit nuk ka kohë të mendojë për këtë : Ehu, kështu janë të gjithë, më mirë po shkoj në party.