Kapet Qazim Sejdini duke shantazhuar gazetarët
Forum E Premte, 16 Prill 2021 15:35
Një material filmik, ku kryetari aktual dhe njëkohësisht kandidat për bashkinë e Elbasanit, Qazim Sejdini, kërcënon hapur gazetarët e një televizioni lokal atje, u bë publik sot nga televizioni AbcNews.
Në këtë regjistrim, kryetari Sejdini, fare hapur u kërkon gazetarëve të jenë të kujdesshëm kur ta intervistojnë atë, pasi interesat e pronarit të tyre janë të lidhura me të si kryebashkiak. "Ju nuk mund të dilni kundër pronarit tuaj, pronari është i lidhur me pushtetin pazgjidhmërisht dhe nuk ka ku ta luajë topin", u thotë Sejdini gazetarëve, duke u sjellë si shembull rastin e një kolegu të tyre, që nuk kishte vepruar sipas kësaj porosie dhe tashmë ishte i papunë.
Mesohet se kjo histori e shëmtuar, ku kryebashkiaku i qytetit shfaqet si një "padrino" që kontrollon gjithçka, ka ndodhur përpara se gazetari dhe kameramani i një tv lokal në Elbasan të bënin një intervistë në zyrën e tij. Përpara intervistës, Sejdini u ka kërkuar atyre të fikin kamerën për t'u dhënë disa "porosi" që t'i kishin parasysh kur të bënin pyetjet. Dhe porositë dalin qartë, me zë dhe me figurë, se si përfaqësuesi më i lartë i pushtetit vendor shantazhon gazetarët. Nëse më ngacmoni do ta pësoni nga pronari juaj pasi interesat e pronarit janë të lidhura me mua. Ky është shkoqur mesazhi që u jep Sejdini gazetarëve në mënyrë brutale.
Eshtë folur shumë për presionin që pushteti ushtron mbi mediat. Eshtë folur po ashtu edhe për pronarët e mediave që janë të lidhur me interesa të ngushta me pushtetin dhe për rrjedhojë janë vënë në shërbim të njëri- tjetrit. Por rasti i Qazim Sejdinit është dëshmi e hapur e faktit se këto lidhje okulte kanë arritur në atë nivel sa tashmë shfaqen në mënyrë arrogante dhe thuajse legale. Eshtë e para herë që një përfaqësues kaq i lartë i pushtetit pranon hapur lidhjen e interesave me biznesin dhe e përdor këtë lidhje si kërcënim mbi gazetarët.
Rreth një minutë e pak regjistrim, dëshmojnë se si mund të jetë përdorur bashkia e një qyteti në dëm të qytetarëve dhe në shërbim të një grushti njerëzish. Sigurisht që nuk është vetëm Elbasani, janë edhe shumë qendra të tjera pushteti, është edhe vetë qeveria. Regjistrimi i Elbasanit vetëm sa sjell një provë të gjallë të asaj që njerëzit e dinë dhe e përflasin prej kohësh. Abuzimin me pushtetin, korruptimin, mungesën e transparencës dhe përqëndrimin e parave tek një grusht njerëzish. Dhe nëse guxon të flasësh për këtë, mund të mbetesh edhe pa punë. Qazim Sejdini sjell edhe shembuj për këtë.
Më poshtë mund të shihni regjistrimin e plotë, një skandal i vërtetë që do të çonte në dorëheqje çdo pushtetar në një vend normal demokratik. Qazim Sejdini ka qenë i preferuari i kryeministrit Edi Rama për të rikandiduar për një mandat të tretë dhe, pas këtij skandali, kuptohet arsyeja përse. Ramës i pëlqejnë ata njerëz që kontrollojnë gjithçka, e veçanërisht mediat. Por a i pëlqejnë edhe kur kapen me presh në duar?
Shihni Qazim Sejdinin në rolin e një "padrinoje babaxhan" që u do të mirën gazetarëve