Kapiteni, Lorik Cana

 

Nga Ilir Levonja

Lorik Cana e mbylli intervistën me fjalët e Samiut (Frashërit)…, ''shqiptarët më së pari duhet të mundin vetveten dhe do fitojnë shumë beteja''. Jo rastësisht ai ka qenë gjithmonë një referues i përkryer i çështjes kombëtare. Dhe e ka mbrojtur përmes një sjellje tepër profesionale. I është referuar pjekurisë së njerëzve që përmes urtësisë të gjejmë vetveten. Dhe kështu është. Dhe kështu ndodhi. Ky kualifikim historik do kishte ndodhur më përpara. Ndofta që më 8 tetor 2015. Por vrulli i ekzaltimit dhe devijimi i misionit të futbollit drejt nacionalizmave dhe furisë politike, u kthye një presion torturues për ta. Pa diskutim ka qenë nata më e vështirë. Ndaj ndodhi dhe ai rezultat që na fryu me shi akull të ftohtë.

Gjithsesi çfarë ndodhi sot është shuplaka më e fortë për politikën historike sidomos pas rënies së Perandorisë Osmane e këtej. Madje dhe fakti real pse ne jetojmë në pesë shtete.

Pikërisht këtij dështimi grindjesh të personalizuara, që nga familjet Vlora, Toptani, Zogu, Qamilët, etj. Revolucionet dhe anti të tillët. Shto edhe dhunën e diktaturës së proletariatit, ku humbën idealet, u shpik dhuna, krimi i tipit sheksiparian. Ekzekutimi i zërit ndryshe, shfarosja që shuajti aq jetë të pafajshme. Shpikja e armikut të klasës. Dhe jo ndofta, por gjendja shfaronjëse e vetvetes që ia kaloi edhe fushatave pushtuese të Italisë dhe Gjermanisë. Që mire apo keq…, na njohën rreshtash nëpër varret reale të truallit ilir. Por kjo nuk do ndodhte kurrë për faktin e dashurisë së përjetshme që ne krijojmë në raport me liderin. Jemi gati të varrosim gjithçka, si e si ta mbajmë tjetrin pafundësisht në pushtet. Të mbulojmë çdo krim të shëmtuar me egoizmin e detyrës dhe aspak të ndjesës njerëzore. Edhe pse hiqemi më katolikë se Papa. Edhe tregohemi më myslimanë se Allahu.

Jo më larg se dje, ndoqa një emision të titulluar ''Divorce Albanian Style'' të një gazetare nga Bullgaria Adele Peeva. Mbi tërë atë kalvar të sajuar, torturash, barbarish etj. Ndarje që quhen si të sojit shqiptar. Më bëri përshtypje se si dy apo tre prokurorë çështjesh në fjalë. Edhe pas kaq e aq vitesh, nuk kishin kurajon të kërkonin një ndjesë publike. Karshi detyrës, aq më tepër pas mbarimit të saj, pas futjes së kohës në mes, pas një dështimi epokal…, ndjenja e reflektimit është më e prekshme. Më e lehtë për tu dalluar dhe e ndarë me ne njerëzimin qoftë edhe për të pastruar sado pak vrajet shpirtërore. Por çuditërisht që të tre ata, ish-persekutorë nuk shfaqën as më të voglën ndjenjë pendese. Kjo edhe kur e vërteta tashmë njihet botërisht, për lojën e shpikjes së armiqve të klasës. Për vrasjet, shkatërrimin, denigrimet …, përmes arrestimeve, burgosjeve apo dënimeve afatgjata të pikërisht shqiptarëve të martuar me gra të huaja. Një absurditet i gjallë që sot ka fytyrën e devotshmërisë. Atëherë duhet ta dimë mire të gjithë ne shqiptarët se, Enver Hoxha nuk e bëri vetëm diktaturën. Por bashkë edhe me ne. Që nuk ndjejmë aspak faj, që nuk skuqemi, që nuk dimë të kërkojmë falje.

Pikërisht për këtë që nuk arrijmë të mundim vetveten. Loriku është shembulli që mundi vetveten. Kujtoni kohën e batutave dhe denigrimit duke filluar që nga Kosova. Tek ne, me aleancat politike që u përpoqën të përfitonin me anëtarisimin e tij. Siç ishte rasti I Aleancës Kuq e Zi që u kthye në parti politike. Dhe menjëherë Loriku, u çanëtarsua. Shpesh kthehen në të tilla, shumë prej tyre. Dhe si parti shohin xhepat e vetit, më së pari. Kurse çështja mbetet thjesht demagogji. Këtë po bën Vetvendosja sot në Kosovë. Arriti deri tek gazi lotësjellës në Kuvend. Sepse nuk mundin dot vetveten. Kështu edhe ne, që edhe pse të degjeneruar, i pranojmë. Shqyejmë njëri-tjetrin dhe marrim rezltate të rekordeve botërore. Një komb në pesë shtete.

Megjithatë politika ka filluar më të madhe, që nga minuta e 85 e ndeshjes në Armeni. Të postojë foto nga djemtë atje, të postonin ngjyrën e kuqe. Që vet ata e kanë përdhosur. Të mburren me atë që ata e kanë shpërdoruar për kaq vite. Dhe që ata djem nga pesë treva të ndara e bën.

Duhet thënë atyre djemve, kapitenit së pari, që të postojnë foto me njerëzit e thjesht, me shqiptarët kudo që janë. Jo me ata kollarexhinjë që na ndanë dhe vazhdojnë të na ndajnë.

Duhet thënë dhe politikanëve, merrni shembullin e djemve të kombëtares. Mundi vetveten. Dhe bëni një shtet që të krenohemi. 

SHKARKO APP