Karrierat e djegura ministrore të armëpushimit Rama-Meta
“Edhe disa deputetë që porositën kostume të reja, me rastin që do të bëheshin ministra të Qeverisë Rama 2, do t’u mbeten vetëm kostumet por jo postet, që duket se përgjithësisht do të rrinë ashtu siç ishin”…
Nga Artur Zheji
Me sa duket ka një armëpushim real ndërmjet Ilir Metës dhe Edi Ramës.
Që do të thotë se kjo qeveri aktuale, si edhe ky Koalicion që fsheh gjithmonë e më keqas mosbesimin dhe urrejtjen, ndërmjet palëve do të vazhdojë aq sa të mundet.
Meta dhe Rama do të bashkëjetojnë ndoshta deri në fund të këtij mandati, të detyruar nga llogjika e numurave dhe e përllogaritjeve taktike.
Gatishmëria e PDIU dhe e Shpëtim Idrizit për tu bërë “king Maker”, ngelet kështu pa u shpërblyer.
Edhe disa deputetë që porositën kostume të reja, me rastin që do të bëheshin ministra të Qeverisë Rama 2, do t’u mbeten vetëm kostumet por jo postet, që duket se përgjithësisht do të rrinë ashtu siç ishin.
Mbetet pa u bërë ministër edhe Ben Blushi, që sigurisht pas një heshtjeje politike të shpjegueshme vetëm me propozimin ministror, kishte kostume të mjaftueshme, për çdo rast dhe për çdo okazion.
Ndoshta më mirë për të, sepse do të marrë frymëzim për një libër të ri dhe në fund të fundit si thotë fjala: Njerëzit ikin, librat dhe veprat mbeten!
Do të jetë mërzitur edhe simpatiku Nard Ndoka, që edhe ai do të ishte një goxha ministër në qeverinë fanntazmë Rama2, më Ilir Metën në Opozitë.
Por jo pak të tjerë kishin piketuar vende drejtorësh dhe pika të tjera mjalti, në rast se do të kishte një rikompozim të ri të Qeverisë.
Por ka edhe të tjerë të mërzitur nga rradhët e Grupit parlamentar të PS.
Thuhet se edhe Kaubojsi e kishte një piketë të mirë ministrore.
Si edhe deputetë të tjerë, armiq të deklaruar të Ilir Metës, të njohur si “skifterët” anti-Meta, pranë kryeministrit.
Darka fatale e Durrësit Meta-Rama, është shkaktare për të gjithë këtë trishtim dhe për gjithë atë sistem përllogaritjesh, për atë se si do të ishte Kabineti i ri qeveritar.
Kur dëgjojmë se kush do të ishte ministër, për ato vota që do të shkonin si patericë ndihmëse të kryeministrit, që të mbante ai dhe vetëm ai, postin e lartë, duket se vërtet Shqipëria ka shpëtuar nga një turp edhe më i madh, se sa ky që po jetohet deri më tani.
Qeveria Rama2, do të ishte një kujtim i hidhur për shqiptarët.
Personalisht mendoj se ne shqiptarët, do ta meritonim plotësisht, një gjë të tillë dhe duket se armëpushimi Meta-Rama, e shpëtoi kryeministrin nga zbritja në nivelin krejt të nëndheshëm të një qeverisjeje të vajmedetshme.
Por simbas burimeve që çdo gazetar me përvojë ka, puna e skifterëve vazhdon të jetë këmbëngulëse, për të krijuar incidente që të mund ta hidhnin në erë armëpushmin.
Frika kryesore e Ramës ishte dhe mbetet Koço Kokëdhima, arkitekti i mirëfilltë i Koalicionit Rama-Meta , që dukshëm ka forcuar miqësinë me Ilir Metën dhe po aq dukshëm është kërcënues për qetësinë e Ramës në Partinë Socialiste.
A do ti bindet Koço Kokëdhima armëpushimit të pagëzuar me verë shumë të mirë, ndërmjet kryetarit të kuvendit dhe kryeministrit?
Nga shenjat e para duket se jo, Kokëdhima po mpreh thikat e veta mediatike për në shtator kur edhe vëmendja e opinionit shqiptar është edhe më e madhe.
Kryeministri pra ndonëse duket se e ka mbyllur për ca kohë paktin e mos-sulmimit me aleatin e urryer, por ka edhe dy fronte të reja që hapen sakaq:
Fronti i parë, në brendësi të PS.
Blushi mund të kishte një justifikim moral, nëse binte qeveria Rama1 dhe të ofronte shërbimet e tij në emër të stabilitetit qeverisës të shqiptarëve, me gjithë kriticizmin e tij, verbalisht ekstrem.
Tani Blushi mbetet sërish i pakënaqur dhe ka lirinë të shpërthejë përsëri kundër kryeministrit, duke i gërryer imazhin.
PDIU dhe Idrizi, pamvarsisht se nuk u vunë në provë, e dhanë provën e tyre pro-Rama, pamvarsisht se nuk ka lindur ende nevoja që të jenë King maker të ri, sepse duket se Qeveria do të vazhdojë.
Por edhe kjo gatishmëri, për të mbështetur Ramën dhe për tu armiqësuar edhe më shumë me PD nga njëra anë dhe me Metën nga ana tjetër, ka padyshim një çmim.
Dhe këtë çmim duhet ta paguajë kryeministri, në një rritje të posteve të PDIU, në kurriz të të vetëve, e që do të thotë sherrnaja të tjera në gjirin e PS. 360grade.al