Katër gra në Tiranë që mundën burrat
Nga Lorenc Vangjeli/
Slogani i PD-së në këto zgjedhje është “Punë dhe Dinjitet”. I goditur. I gjetur. Siç janë përgjithësisht të gjitha strategjitë dhe taktikat elektorale në Shqipëri. Ky i PD-së është goxha i qëlluar edhe pse duket se nuk do t’i hyjë shumë në punë në 21 qershor.
Sipas sloganit, po të kesh punë, ke edhe dinjitet. Ose dinjiteti vjen nga puna dhe me punë. Por ose do të bësh punë, ose do të bësh fjalë. Kandidati demokrat për Tiranën Halim Kosova e di mjaft mirë një gjë të tillë, por vetë nuk është se e zbaton gjithmonë. Fjala vjen, duke përdorur fjalën dhe jo bisturinë sipas zanatit të tij, ai është çdo ditë në ekran dhe nga ekrani në ekran. Eshtë dhe në sytë e gjithë njerëzve. Disa nga ta i ka vënë në punë edhe pa u votuar fare.
Shihni këtë foto nga e cila Doktori i buzëqesh Tiranës tek zona e bllokut. Dy gra fisnike, me tualetin e përkryer që afron vetëm puna e ndershme dhe me dinjitet, po pastrojnë tabelën e xhamtë mbas të cilit ndodhet Doktor Kosova. Një grua e tretë qëndron ulur direkt në pllakat e trotuarit. E bën punën e saj të përditshme me sy dhe fytyrë gjysëm të mbyllur nga një shall i bardhë. Që të mos njihet. Që të mos humbasë dinjitetin.
Më tej është një tjetër grua që shet lule. Çdo ditë. Një tjetër grua nga ana tjetër e trotuarit gjithashtu shet lule.
Kjo është Tirana e grave. E katër grave që sigurojnë bukën e përditshme me punë të heshtur. Katër gra në pak metra katror të zemrës së Tiranës që ndodh të kenë shumë më shumë dinjitet se shumë e shumë burra të tjerë që u kalojnë atyre anash me makina dhe nuk u hedhin sytë. Edhe pse flasin bukur për barazinë gjinore. Edhe pse janë dashuruar nga gra dhe kanë dashuruar gra. Që kanë qeshur kur kanë qenë të lumtur, që kanë qarë nga dhembja. Fshehtas. Sepse e qara është një punë që kërkon dinjitetin e fshehtësisë. Si këto gra që gjithashtu dinë të qajnë. Jo gjithmonë në fshehtësi.
javanews.al