Kë po godasin Lu dhe Vlhautin?

 

 

Tek ata pak njerëz që i njohin mirë kulisat diplomatike përditë e më shumë po përforcohet një ide: se këtë rradhë ShBA dhe BE janë bërë bashkë në Shqipëri, për t'i dhënë fund pandëshkueshmërisë: për t’i dhënë fund farsës së njerëzve që vrasin pas gardhit të institucioneve dhe nuk u hyn gjemb në këmbë; për t’u dhënë fund politikanëve që vjedhin me bllok në dorë dhe dalin të pafajshëm; për t’u dhënë fund atyre që rrisin borxhin publik për t'u shpërndarë para miqve dhe që njëkohësisht luajnë rolin e shenjtorëve duke hapur faqe për transparencën.

Do ishte shumë e bukur sikur të qe e vërtetë.

Por, pavarësisht kësaj ëndrre, ajo që dihet me siguri është se Uashingtoni dhe Brukseli e kanë marrë seriozisht reformimin e drejtësisë shqiptare. Jo më shumë se sa në harkun e një jave ambasadori Lu foli me emra të përveçëm për ata gjyqtarë që lirojnë kriminelë. Në sintoni me të edhe shefja e BE-së në Tiranë, Vlhautin, foli për ato toga të zeza që kanë pasuri miliona dollarëshe në emër të grave të pasura. (lexo Lajme Lapsi.al)

Mjafton të shikosh vetëm këto dy reagime të fundit, për të kuptuar se në këto shpërthime nuk ka asgjë të rastësishme; për të parandjerë se aleatët tanë perendimorë këtë rradhë e kanë seriozisht.

Ata janë angazhuar në mbrojtjen e një projekti që e kanë hartuar me specialistët dhe mbikqyrjen e tyre.

Pikërisht në emër të këtij projekti ata po krijojnë një klimë mbytëse kundër xhambazëve të korporatës të gjyqtarëve shqiptarë dhe politikanëve që mund të dalin pro tyre. Pikërisht për këtë Lu flet me emra konkretë dhe Vlahutinu përmend disproporcionin mes pagave dhe pasurive.

Dhe deri këtu gjithçka duket me nota optimiste.

Por, pyetja që shtrohet është : po pas kësaj? Mirë që po hartohet një projekt, po kush do t’a vërë atë në jetë ?

Opozita ka thënë se nuk e voton.

Po a mund të qëndrojë ai në këmbë me votat e një shumice që po rezulton përditë e më kleptokrate?

Kush do ta marrë në dorë spastrimin e togave që janë nxirë më shumë sesa rroba që mbajnë veshur?

Kush do të përzgjedhë gjykatësit e rinj?

Po prokurorët?

Kush do t'i bëjë emërimet?

Eshtë vështirë të gjendet një përgjigje për këto pyetje. Sepse asnjë krah i politikës nuk e ka tagrin moral ta bëjë këtë transformim. Ata të gjithë së bashku janë varrmihësit e drejtësisë.

Kohë më parë, një kolegu im gazetar, i cili kishte një proces të madh me një nga oligarkët tashmë të falimentuar, shkoi t’i kërkojë ndihmë dhe drejtësi kreut të shtetit që ishte në detyrë. Për hir të së vërtetës, Kryetari i Këshillit të lartë të Drejtësisë u angazhua në favor të gazetarit. Por ky i fundit megjithatë e humbi betejën në gjykatë. Dhe kur, pas disa kohësh, u përball me gjykatësin që kish dhënë vendimin, ky i fundit i tha: “më fute mikun e gabuar: unë presidentit ia kam bërë respektin, e ka marrë ai pjesën e tij për emërimin tim. Ndaj tani jam i pavarur”.  

Këtë tip gjyqtari ka ndërtuar politika në Shqipëri këto 20 vjet. Atë që paguan dhe bën favore politike në këmbim të “pavarësisë” që në këtë rast kuptohet si liçensë për të grabitur.

Atë që nuk dënon politikanin, por rrënon të vobektin. Atë që nuk ia jep pronën hallexhiut, por oligarkut që blen gjithçka. Atë që gjithmonë dënon për shpifje opozitën (kushdo që të jetë) dhe nxjerr të pafajshëm pushtetarin. Atë që ka guximin ta lërë tragjedinë e Gërdecit pa asnjë të burgosur. Abuzimet për rrugën e kombit, pa asnjë fajtor. 21 janarin pa vrasës.

Atë tip gjyqtari që i jep njësoj të drejtë edhe Ilir Metës edhe Dritan Priftit. Që i heq 10 votat Ramës kur është në opozitë dhe që i bindet sot çdo telefonate që vjen nga paradhoma e tij si kryeministër.

Ky është profili I gjykatësit që ka skalitur kjo klasë politike dhe për këtë ajo e ka humbur shancin që të rikrijojë një të ri.

Prandaj sado të forta të duken reagimet e diplomatëve kryesorë të perëndimit, sado e qëlluar të jetë taktika e tyre për të krijuar një mjedis armiqësor ndaj gjyqtarëve që vetëmbrohen dhe politikanëve që i qëndrojnë pas, ato nuk i japin përgjigje një pyetjeje themelore:

A mund të ketë kartën morale një Parlament i vetshpallur me rezolutë si i kriminalizuar të spastrojë një pushtet tjetër? 

Natyrisht kjo pyetje retorike nuk ka nevojë për përgjigje.

Po atëherë si veprohet?

Duket sikur zgjidhja është vetëm një. Ashtu siç janë përfshirë në një fushatë arrogante dhe në një ndërhyrje pa doreza në punët e brendëshme të një vendi sovran, diplomatët e huaj në Tiranë, duhet të shkojnë deri në skaj të misionit të tyre. Ata duhet t'u flasin shqiptarëve hapur që ky është projekti i tyre. I ideuar dhe i sponsorizuar nga ata.

Dhe pasi të kenë bërë këtë, të mos mjaftohen me kërcënime dhe shantazhe që ti hapin rrugën një shumice parlamentare për të kaluar në parlament reformën në drejtësi.

Asnjë shqiptar nuk do të bindej se shumica e sotme e ka seriozisht krijimin e një sistemi të drejtë dhe të ndershëm.

Prandaj dhe Donald Lu edhe Romana Vlahutin, në emër të fuqive që kanë pas duhet t’i dalin hapur në mbrojtje projektit dhe të kërkojnë miratimin e tij me referendum. Duhet t’a bëjnë këtë edhe nëse parlamenti i ka votat e nevojshme për të miratuar reformën.    

Sepse hapja e një kapitulli të ri nuk mund të bëhet nga varëmihësit e të vjetrit.

Për të duhet të vendosin shqiptarët. Të bindur se ai është një projekt i aleatëve tanë që do të na sjellë shpejt shembuj të ngjashëm me Rumaninë apo Kroacinë.

Natyrisht është e vështirë që t’i kërkohet diplomatëve të krijojnë frymë dhe të jenë idealistë.

Për ata i rëndësishëm është qëllimi.

Por në kërë rast, ky qëllim rrezikon të shndërrohet në farsë, nëse ai nuk do të jetë i besueshëm dhe i pranuar nga pjesa më e madhe e shqiptarëve. Këtë herë duhet të jenë ata dhe jo kasta që duhet të vendosin për një lëvizje që jep shpresë. Pikërisht për këtë duhet referendum.

(Lapsi.al)   

SHKARKO APP