Kë testoi Basha?

Nga Mero Baze

Disa orë pasi kryeministri Edi Rama deklaroi në një intervistë të tij se ëndrra për një koalicion të madh është një ëndërr vere dhe se Prety Ëomen duhet të vazhdojë dashurin me Kaç Islamin, foli dhe Lulzim Basha. Kundërshtoi çdo skenar të një aleance të mundshme mes PS-së apo LSI-së.

Pavarësisht se u vonua dhe iu desh të fliste pas Edi Ramës, bëri mirë që foli. Bëri mirë, për shkak se burimi i këtij debati fals, nuk ishte PS-ja dhe as njerëz të saj, nuk ishte as LSI-ja dhe njerëz të saj, por shtypi i PD-së dhe figura të rëndësishme të PD-së.

Të goditur keq pas humbjes së 21 Qershorit, një përçarje e mundshme PS–LSI, që mund të prodhohej në mënyrë banale nga një thashethem për Koalicion të Madh, u bë tema e ditës e gazetarëve më të afërt të Bashës dhe Berishës dhe figurave politike të lidhura me të.

Për demokratët e thjeshtë që shikojnë çdo ditë në Facebook Berishën të shfaqet me gazetën 55 në dorë, kur lexojnë se botuesi i gazetës kërkon me këmbëngulje aleancë mes PD-së dhe LSI-së “për interesa kombëtare”, atëherë mendojnë se është direktivë e Doktorit. Për demokratët e thjeshtë që shikojnë se Genc Pollo është një nga figurat më të afërta të Bashës, të cilit i ka diktuar dhe ata 3 vet që ka pasur gjithë jetën, i cili thotë se nuk përjashtohet koalicioni PD-PS, sërish mendojnë se është mendim i Bashës. Po kështu dhe me çunat e Zenit, që u zuri lesh gjuha përditë për këtë koalicion të mundshëm.

Për shkak të gjithë kësaj trazire të ngritur nga vet PD dhe njerëzit e saj, Basha duhet të fliste para Ramës kundër tij dhe ta hidhte poshtë në mënyrë kategorike.

Por Basha, mesa duket ka qenë në një mendje ta testonte dhe ai Ramën , sipas parimit çfarë sjell ora nuk e sjell viti.

Rama, i cili është argëtuar boll këtë muaj me këto histori e dha mendimin e tij dhe pas kësaj, Basha mori qëndrim dhe i rrëzoi të gjitha teoritë konspirative dhe aspirative të PD-së për këto koalicione.

Realisht me këtë deklaratë ai ka qetësuar demokratët e thjeshtë, ata që realisht nuk duan të bëjnë koalicion me PS-në apo LSI-në dhe ata njerëz që vazhdojnë ta mendojnë opozitën si mision dhe jo si funksion adminsitrativ siç e ka Basha.

Por në të njëjtën kohë, ai duhet të ketë shqetësuar ata që ishin flamurtarë të këtyre tezave. Pollo, Balliu, etj të cilët ishin të investuar publikisht në këtë histori, tani po të kishim një situatë normale politike, duhet të ndjeheshin të mënjanuar nga kryetari i opozitës për shkak të këtyre tezave kolaboracioniste.

Por më shumë ka gjasa që askush të mos shqetësohet, pasi ata ishin thjeshtë njerëzit që Basha nxorri në publik për të testuar këto mundësira dhe për t’i dhënë pak oksigjen opozitës së alivanosur pas goditjes së 21 Qershorit. Më tej akoma, për t’i dhënë kohë vetes, që të shmangë atë që Berisha e quan analizë të humbjes që duhet bërë së shpejti.

Basha nuk pati kurajon të refuzonte i pari këto zëra dhe as të fliste para Edi Ramës, pikërisht për këtë shkak. Për të nuk kishte asnjë mënyrë tjetër për të kaluar traumën e humbjes sesa ngjallja e një shprese prej pushtetit në tavolinë, duke u investuar në një thashethemnajë të konfliktit Meta-Rama. Duke u investuar në përpjekjen e opsioneve për pushtet të shpejtë pas kësaj krize përmes koalicionit të madh apo koalicionit të ëndrrave të Fahriut, PD-LSI. Dhe kur flet kaq vonë, sidomos kur je refuzuar publikisht, është pak e sikletshme, por më mirë vonë se kurrë. Sidomos kur ke të bësh me dikë që mund të mos fliste dhe kurrë.

TEMA

SHKARKO APP