“Këmishët” e një shtëpie i japin fytyrë Amerikës
Nga erdhi “tsunami”? Nga një ves individual, nga një defekt në familje, nga një prishje në “shtëpi”. Qëlloi që “shtëpia” ishte edhe “Shtëpi e Bardhë” dhe i nxori kamishat e palara në gjithë botën…
Nga Frrok Çupi
Sa shumë gjëra po na zgjon në mendje dhe në frikë, kjo që po ndodh në Amerikë! Po na zgjon, mbi të gjitha raportin tonë me udhëheqësit
Ka një shekull, dy, ose tre…, ndoshta dymijë vjet që ne njerëzit “sapiensa”, vërtitemi për të gjetur “Njeriun” që të na qeverisë. Nëpër fjalorë të ndryshëm, fjala “qeverisës” është nënkuptuar duke thënë “udhëheqës”; gjë që drejtimit shtetëror i ka dhënë më shumë kuptimin e vlerës shpirtërore.
Mirëpo, mjaft që të gjejmë “njeriun- sapiens” që të na qeverisë me ligje. Kaq; ja për kaq po vuajmë! Sa për udhëheqësit, (ata të shpirtit dhe të ligjit njëkohësisht), më duket se ka kaluar shumë kohë që nuk ekzistojnë as si specie. Kur kemi ngatërruar udhëheqësin me qeverisësin, e kemi bërë sa nga dëshira jonë, aq edhe nga “dhuna” që na kanë ushtruar nga lart për ta pranuar tjetrin edhe si lider shpirtëror. Një gabim që po e paguajmë më shtrenjtë ne të ish-diktaturave komuniste! Tjetrin, d.m.th., udhëheqësin nuk e kemi parë, as po e shikojmë, se sa defekte ka në kurmin e vet.
Po Amerika kësaj here, çfarë po na tregon?! Amerika po na tregon se defektet e tij, kur zë “rrugën” si udhëheqës, ky ia injekton gjithë vendit; madje edhe Amerikës së Madhe e të Madhërishme. Shikoni çfarë ndodhi: Në një Shtëpi, që mrekullisht quhet “Shtëpia e Bardhë”, por që më në fillim e në fund është edhe shtëpi ku banon një familje, u shfaqen defekte të mëdha njerëzore para disa vitesh. Presidenti i SHBA, i cili jetonte në atë folezë të familjes private dhe të familjes së Supershtetit, krijoji raporte turpi me femrat, deri edhe me punonjëset shtetërore të shtëpisë. Monica Leëinsky, një nëpunëse e këndshme e “shtëpisë së shtetit”, deklaroi se kishte marrëdhënie të fshehta seksuale me Presidentin e Amerikës; gjë që u pranua edhe nga vetë Bill Clinton. Pas kësaj u pranua edhe nga vetë gruaja e Bill, zonja Hillary Clinton. Pastaj çështja u mor zvarrë, përmes diskutimeve pa kokë “çfarë ndryshon mes homos sapiens- udhëheqës, dhe homos sapienza- njeri”!?.
Hillary e mbarti peshën e madhe të “kryqit” dhe erdhi ia shkarkoi Amerikës. “Kryqi i fajit” e mundonte aq shumë Zonjën e Parë, saqë, pa pasur asnjë shkak tjetër, erdhi dha ia plasi në fytyrë Amerikës defektin e shtëpisë së saj. Para Debatit të Dytë mes kandidatëve presidencial, Hillary angazhoi mediat që të publikonin një video me deklarata të turpshme ndaj femrave të bëra nga kandidati rival, Donald Trump, para 11 vjetësh. Të dielën, në Debatin e Dytë, mezi priti që ta lëshojë akuzën “seksuale” para të gjithëve. Në fakt ajo solli defektin e “shtëpisë”. Amerika tani po gatuan dhe po ha këtë “gjellë” të gatuar nga individi i thjeshtë; pavarësisht se në një moment është konsideruar “udhëheqës”.
Ky është diskutimi ynë i përbotshëm: Vallë na godet të gjithëve defekti njerëzor që ndodhet brenda individit? Po godet Amerikën, po e godet kaq fort!; vallë si nuk na godet ne të shoqërive të tjera të pasigurta?! …
Gjithë Debati në shtëpinë kulmore të Botës u zhvillua rreth “çështjeve seksuale”. Sepse pas akuzave të Zonjës së Parë të shtëpisë, u mbrojt kundërshtari dhe tregoi me gisht në sallë një grua (Paula Johns) që tha se është përdhunuar po në “shtëpi”. Kundërshtari nxori edhe shumë fakte të tjera. Pas kësaj- mediat. Pas mediave- personalitetet politike. Pas personaliteteve në vend- aleatët në gjithë botën, duke nisur nga Mbretëria e Bashkuar… Të gjithë janë involvuar në debatin e “çështjes seksuale”.
Vallë, është fytyra e Amerikës apo defekti i njeriut? Kjo është çështja…
Nga erdhi “tsunami”? Nga një ves individual, nga një defekt në familje, nga një prishje në “shtëpi”. Qëlloi që “shtëpia” ishte edhe “Shtëpi e Bardhë” dhe i nxori kamishat e palara në gjithë botën…
Ja, këto gjëra e këtë frikë na ngjalli në mendje ajo që po ndodh. Na ngjalli kujtesën që për një shekull, dy e tre, ose për dymijë vjet, po vërtitemi rreth “sapiens”-s që na udhëheq.