Kënga e Tish Daijës, në një koncert në Shën Petërburg…

Nga Luan Rama (Zëvendëskryetar i LSI)

Në tetor të vitit 2017 kam qenë në Shën Petërburg ( Saint Petersburg ) të Rusisë, sepse mbahej atje Asambleja e Përgjithshme e Unionit Ndërparlamentar Botëror.

Mikpritësit, ndër shumë veprimtari, kishin organizuar për nder të deputetëve që përfaqësonin parlamentet e të gjithë vendeve të botës, edhe një koncert me studentët e konservatorit të qytetit të famshëm të Rusisë, i cili gjatë kohës së Bashkimit Sovjetik quhej Leningrad.

Ndër shumë vepra të zgjedhura, gjatë koncertit u ekzekutua si pjesë e një orkestraleje për fizarmonikë dhe orkestër edhe muzika e një kënge të kompozitorit Tish Daija; kënga “Po vijnë krushqit maleve”.

Kjo këngë është ndër kompozimet e para të Tish Daijës, i cili spikati që prej fillimeve të veta e deri sa u bë njëri prej emrave më të mëdhej të muzikës shqiptare, ndër të tjera, edhe për lirizmin e beftë e spontan, të natyrshëm e krejt origjinal, çka në fakt i jep veprës së tij një elegancë dhe muzikalitet të veçantë e të dallueshëm qartë, jo vetëm për specialistët e fushës, por edhe për të gjithë ata që e dëgjojnë dhe e duan muzikën.

Afërmendsh që e filmova ekzekutimin e muzikës së këngës (natyrisht në mënyrë amatore me aparatin e telefonit), e teksa po rrëmoja në arkiv, vura re se fatmirësisht e kisha ruajtur atë fragment kënge, që për mua që gjendesha atje, në fakt ishte shumë më tepër, ishte pak Shqipëri në veriun e kontinentit.

Në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje për muzikantin e madh Tish Daija, por edhe për të gjithë atë brez të papërsëritshëm artistësh që i dhanë Shqipërisë artin e madh të shpirtit të tyre, po e publikoj sot për ju muzikën e këngës, të interpretuar mjeshtërisht nga orkestra e konservatorit të Shën Petërburgut.

Por, po e publikoj edhe për një arsye tjetër në këtë kohë pandemie prej koronavirusit.

Jeta është e bukur e ne të gjithë, edhe në kushtet e izolimit të imponuar, duhet të shohim përtej e shumë më larg kurorës së virusit dhe fokusimit vetëm tek ai dhe rreziqet potenciale që mbart, ç’ka në fakt na vjen dhunshëm edhe prej propagandës dhe zhurmës mediatike, a thua se në jetën tonë të ketyre ditëve, nuk ka asgje tjetër përveç koronavirusit dhe kryeministrit që na shfaqet si përmasa hiperbolike e virusit mikroskopik.

Ndaj ju ftoj ta shijoni këtë fragment kënge dhe të gjithë ne, secili në mënyrën e vet të gjejmë e ofrojmë edhe për njëri-tjetrin, sa më shumë besim dhe optimizëm, sa më shumë shpresë dhe gëzim.

E kush tjetër më shumë se muzika mund t’a përmbushë këtë nevojë…

https://www.facebook.com/100016753425961/videos/629563580945417/

SHKARKO APP