Keqkatandisja “antikomuniste” e PD-së në Shkodër

 

Nga Mero Baze

Ndërsa sondazhet e fundit tregojnë për një balancim të rezultatit të pritshëm mes dy kandidateve, Partia Demokratike është hedhur papritur në sulm me një tezë të vetme kundër Keti Bazhdarit. Kanë adoptuar akuzën që Tom Doshi ka bërë qysh në fillim të fushatës, që gjoja kjo është kandidate e LSI-së dhe tani këtë po e valvitin si tezën e vetme kundër Bazhdarit. Dje u detyrua të dalë nga shtëpia dhe Jozefina Topalli, “ikona” e antikomunizit të PD-së në Shkodër, e cila “nuk kishte kurrgja me kandidaten”, veç faktit që e mbështetë LSI. Pas Tom Doshit, këtë akuzë e artikuloi Berisha dhe disa media afër PD-së  dhe tashmë i erdhi radha  dhe Jozefinës të marrë në gojë gjithë produktin politik të Tomës.

Të akuzosh një kandidate kundërshtare, që përfaqëson një koalicion me mbi 40 parti, se kush e do më shumë brenda koalicionit është qesharake në parim. Por, nuk do t’ia vlente të merreshim me këtë çështje sikur kjo akuzë të mos vinte nga PD-ja.

Partia Demokratike e konsideron Shkodrën bastion të saj, për shkak të një kulture të thellë antikomuniste që ka kultivuar ai qytet, jo vetëm për shkak të persekutimit të klerit katolik, por dhe për shkak të ngjarjes së 2 prillit, që la gjurmë në mënyrën sesi qyteti e përjetoi ardhjen e pluralizmit në Shqipëri.

Partia Demokratike e ka sunduar Shkodrën për 24 vjet në emër të antikomunizmit. Nëse ka një vend ku antikomunizmi u kthye në ideologji njësoj si komunizmi dhe funksionoi, ajo ishte Shkodra. Partia Demokratike ka fituar atje në ditët e saj më të vështira dhe nuk ka mundur ta humbasë kurrë Bashkinë e Shkodrës, përveç vitit 1996 kur u kthye në një luftë klanesh fetare dhe shkoi tek një kandidat tjetër i së djathtës.

Pra krenaria e PD-së në Shkodër ka qenë antikomunizmi. Antikomunizmi ka qenë dhe pasuria e saj reale për tu votuar, edhe pse shumë nga përfaqësuesit politik të Shkodrës në Parlament apo bashki kanë qenë eunukë që nuk kanë asnjë lidhje me traditën dhe standardet e Shkodrës si qytet.

Dhe e gjithë fuqia e Partisë Demokratike në Shkodër, ka qenë tek fakti se ka pasur përballë Partinë Socialiste, që e quante trashgimtare të komunizmit dhe kur ajo s’kish ndonjë lidhje me të.

Në vitin 2015, po ndodh diçka e pabesueshme. Partia Demokratike në Shkodër po sillet në fushatë elektorale, jo si një parti që ka problem antikomunizmin, por si një parti që ka problem LSI-në. Nga mënyra si flet Tom Doshi, Jozefina, Sali Berisha, Voltana dhe folës të tjerë të PD-së duket sikur Bazhdari është Ok për kryetare bashkie po të jetë vetëm e Partisë Socialiste, por ia prish biografinë kjo LSI-ja që e mbështetë.

Një dorëzim i tillë i turpshëm i PD-së, para frikës se po humbet Bashkinë e Shkodrës nga një koalicion PS-LSI dhe 40 parti të tjera, është fenomeni elektoral i këtyre zgjedhjeve. Në një qytet, që e kanë mbajtur si bastion antikomunist, tani antikomunistët thonë se nuk kemi probleme me pasardhësin e komunistëve, por me LSI-në. Dhe e thënë kjo nga Jozefina Topalli dhe Sali Berisha që, janë të dy të zgjedhur si kryeministër dhe Kryetare Kuvendi me vota të LSI-së është më shumë se hipokrizi. Sipas Berishës, ai kishte të drejtë morale të bëhej kryeministër i shqiptarëve me votat e Ilir Metës, ndërsa Bazhdari nuk ka. Sipas Jozefinës ajo kishte të drejtë morale të bëhej Kryetare Kuvendi me votat e Ilir Metës dhe të bëhej arrogante duke kërkuar të kapen “prej zhelesh” deputetët, ndërsa Bazhdari nuk ka.

Dorëzimi deri në këtë pikë i “antikomunistëve” të Shkodrës, që janë gati t’i lëpihen Partisë Socialiste, që e kanë quajtur bijë të Partisë së Punës, vetëm me shpresë se kështu do ndikojnë në përçarjen e koalicionit në Shkodër, është për të ardhur keq.

Bazhdari ka tani shumë shanse të jetë kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, por kjo do të shihet më 21 Qershor. Ia arrin ose jo të marrë Bashkinë, tani do të jetë çështje numrash dhe diferencash të vogla. Por, mesa duket ajo arriti një fitore paraprake të pa parashikuar nga askush. Ajo e bëri Partinë Demokratike të hiqte maskën e saj antikomuniste dhe të dorëzohej para tezave të Tom Doshit, duke vënë në gojë të tyre gjithçka ai ka prodhuar për llogaritë e veta në Shkodër. Tani është Keti apo Volata në krye të Bashkisë është thjesht çështje emrash. Partia Demokratike ka humbur betejën për ta fituar Shkodrën me tezën e antikomunizmit. E trembur seriozisht, nga ideja se koalicioni i gjerë PS-LSI, mund ta marrë Shkodrën, Partia Demokratike e ka hequr maskën e saj antikomuniste, duke përqafuar tezën se PS-ja është ëngjëll para LSI-së dhe për këtë arsye nuk duhet votuar Bazhdari. Sikur këtë gjë mos ta thoshte Doshi, Topalli dhe Berisha që j kanë parë me kohë hajrin LSI-së dhe mund të dukej shqetësim serioz. Tani duket thjeshtë frikë nga pafuqia e tyre.

TEMA

SHKARKO APP