Keqkuptimi i “Standardit Berisha” për mediat kritike dhe rasti “Agon”
Nga Mero Baze
Urdhër arresti për investitorin italian Francesco Beccheti, i cili është nën akuzë për pastrim parash nga kompanitë e tij në biznesin energjitik në Shqipëri, po tenton të devijohet në një debat për lirinë e shtypit dhe motivim politik, kundër një kanali televiziv superluksoz, por pa ndikim në opinionin publik në Shqipëri.
Nuk mund të paragjykojmë ata që dyshojnë në këtë gjë. Sa herë që një media vihet në pozitë të vështirë për shkak të pronarit të saj, është një ditë e keqe për gazetarët që punojnë aty. Në rastin e Agon Channel, është e dhimbshme për shumë gazetarë të mirëpaguar, të cilët mund të rrezikojnë kontratat e tyre, por dhe një staf të gjerë gazetarësh me rroga normale si gjithë gazetarët e tjerë në Shqipëri.
Unë jam dakord t’i dëgjojmë ata që thonë se sulmi është politik ndaj këtij biznesmeni, por kur ta themi këtë duhet të kemi disa fakte.
Së pari, nxitimi për të thënë që ai nuk ka pastruar para, kur kemi vetëm akuzën dhe akoma jemi larg procesit gjyqësor, është guxim i madh dhe një standard i dyfishtë nga të njëjtët njerëz.
Në një rast të ngjashëm dy javë më parë, kur prokuroria filloi hetim dhe ende s’ka prerë urdhër arresti, për një biznesmen gjeorgjiano-izraelit, të njëjtët gazetarë, të njëjtat media dhe i njëjti Berishë, jo vetëm që besuan apriori (dhe mirë bën) akuzën për pastrim parash, por po kërkojnë që dhe punonjësia e zyrës së studios ligjore (jo pronarët), të hetohet pse ka regjistruar biznesin. Kurse në rastin e Becchetit, kur prokuroria dhe gjykata kanë gjykuar se duhet arrestuar për pastrim parash, të njëjtët gazetarë dhe i njëjti Berishë jo vetëm që thonë është i pafajshëm, por bëhen dhe avokat publikë të tij, a thua se i kanë ndarë bashkë lekët për të cilat akuzohet ai.
Kjo është njësoj sikur tani të shikojmë kush e ka rregjistruar Beccetin, kush ja ka bërë bilancet, kë ka pas eksperte kontabël, kë ka pasur avokat, dhe të kërkojmë ndjekje penale për ta. Kjo do të ishte një marrëzi, pasi të parin duhet të çonim në prokurori djalin e Sali Berishës, që i doli në mbrojtje Beccetit. Por që ta bësh këtë, duhet të jesh i çmendur si Berisha.
Unë nuk pretendoj të njohë dosjen kriminale të Becchetit, por më mjafton fakti i pranuar dhe nga ata që e mbrojnë, që ai ka shmangur 7 milionë dollarë taksa, duke kryer vepër penale . Këto para i ka devijuar në një shoqëri tjetër duke i pastruar si fitime. Pra kemi 7 milion dollarë që janë marrë nga xhepat tanë, duke kryer një krim dhe janë pastruar si fitime duke u devijuar në një shoqëri tjetër me ndihmën e bankës. Kaq e pranon prokuroria, gjykata hde ata që e mbrojnë. Por argumenti që kanë gjetur është se kur njeriu vjedh para nga shteti nuk quhen pastrim parash se janë para të pastra. Kjo është tmerr, kur e dëgjon dhe nga njerëz me shkollw të lart.
Për herë të parë që kemi të bëjmë me një njeri që pranohet se ka vjedhur parat tona dhe ka një konsesus për t’ia falur se qenka “hajdut i zoti”. Për 7 milionë dollarë akuzuam dhe Adrian Fullanin që na i vodhi nga banka dhe po bëjnë burg 10 veta, përveç atij. Përse për atë u ngrit një furtunë e tërë, kurse në këtë rast nuk u quaka krim vjedhja e 7 milion dollarëve?
Nuk dimë detaje të tjera nga dosja, por ai fakt i bërë publik dhe i pranuar dhe nga Berishët “si gjë e lehtë” për të cilën s’duhet të dënohet njeri, është i tmerrshëm. Të thuash që një biznesmen na ka vjedhur 7 milionë dollarë dhe i ka xhiruar si fitime në llogaritë e nënës dhe familjarëve të tij dhe të mos e quash devijimin e taksave para e fituar me vepra penale, duhet të jesh më shumë se i papërgjegjshëm. Dhe kur e bën këtë në emër të mbrojtes së gjoja lirisë së shtypit është edhe më fyese, pasi krijon idenë se shtypi është një organizatë kriminale që ka të drejt të vjedh.
Së dyti, nxitimi për të quajtur Agon Channel media kritike me qeverinë është shaka e hidhur. Unë s’kam të drejtë të flasë se nuk e kam parë kurrë, ngaqë s’ma kap TV, por ka pak shqiptarë që kam dëgjuar se e kanë parë ndonjëherë. Audimetrat tregojnë se ai ka rreth 0.6 përqind të audiencës në Shqipëri. Si mund ta rrezikojë qeverinë një media e tillë dhe çfarë ka bërë që ta rrezikojë? Lapsi i Bushatit është shumë më kritik dhe shumë më me ndikim kundër qeverisë, sesa kjo media superluksoze.
Së treti, ka një keqkuptim historik mes mënyrës se si Berisha sillej me medien kritike dhe mënyrës se si sillet qeveria e re. Modeli i kapjes së medias prej këtyre që janë në pushtet nuk është dhuna. Nuk është modeli i Berishës. Këta i kapin mizat me mjalt. Shikoni si e kanë vënë në rresht Klanin dhe gjithë mediat që kontrollonte Berisha dy vjet më parë.
Problemi i Berishës është se ai dhe modelin e kapjes së medias, e do siç e ka kapur vet. Meqë ai ka djegur makinën time para shtëpisë, ka rrethuar gazetën me policë dhe s’më ka lënë të hyjë, ka nxitur dhunë mbi redaksinë dhe gazetarët, mendon se dhe këta kështu duhet të bëjnë.
Meqë Berisha ka gjobitur 6 milionë dollarë Digitalb për të kërcënuar Top Channel, mendon se dhe këta kështu duhet të bëjnë.
Meqë Berisha i bëri një raport gjobe Tring 6 milionë euro që të vinte nën kontroll Vizion Plus duke mbyllur emisione kritike dhe ndryshonte drejtor informacioni, mendon se dhe këta kështu duhet të bëjnë.
Meqë Berisha ka djegur redaksi gazetash dhe ka rrahur barbarisht gazetarë, mendon se dhe këta kështu duhet të bëjnë.
Jo Sali jo. Duket që ke rrjedhur. Këta nuk është se nuk janë të rrezikshëm për lirinë e medias, por janë se t’i ua ke bërë dhuratë median këtyre. Ti ke mbajtur një shtyp piramidal në këmbë, ke mbajtur televizione piramida, boll që të të shërbenin ty. Ke mbajtur televizione biznesmenësh milionerë që të shërbenin ty dhe vidhnin Shqipërinë dhe tani ata ose do mbyllen, ose do t’i dorëzohen Edi Ramës. Ky është krimi yt dhe problemi yt. Nuk të rrahin, nuk djegin, nuk vrasin këta. Kësaj medie ti ja ke dorzuar kokën në sininë e pasardhësit tënd, i cili thjeshtë u përkdhel flokët dhe ata i buzëqeshin. Prandaj mos kauis si qen i lidhur në zinxhir, se shtypin në këtë vend e ktheve në shërbëtorë të superpaguar dhe tani mos vajto fatin e super të paguarëve. Qa hallin tënd, sesi të vish dhe një herë në pushtet të shpëtosh Famijen dhe pasuritë e saj.
Unë uroj që Agon Channel t’i mbijetojë furtunës që ka kapur pronarin e saj, i cili nuk dimë ç’ka sjell në këtë vend, por dimë mirë se çfarë ka marrë. Uroj t’ia dalin dhe të bëhen dhe më kritik sesa janë me qeverinë, nëse janë në të vërtetë se nuk i kam parë. Ajo që ne mund të bëjnë për prduktin gazetaresk të “Agon Channel”, është të hapim faqet e gazetës e t’ua botojmë, për të mos u rrezikuar fjala e lirë. E vetmja gjë që nuk u japim dot, janë rrogat e Becchetit. Aq s’kam marrë as vet gjithë jetën.
Së fundmi, duhet të them se sjellja e qeverisë ndaj Becchetit nuk është aspak e lavdërueshme. Edi Rama si një kompromisaxhi i rrallë, jo vetëm që ka qenë miqësor me të, por i ka dhënë këtij TV disa intervista, madje dhe duke e lavdëruar vet Becchetin. Përfytyro Sali Berishën të jepte intervistë tek Tema apo Top Channel disa vite më parë dhe krahasoje me Edi Ramën, që bën humor me Becchetin se ka qejf të flejë në vilën e Enver Hoxhës në Tiranë. Kjo është diferenca. Edi Rama ishte duke e parë si të vetin Becchetin dhe as që është ndjerë i mërzitur nga çfarë pretendohet se paska mbajtur qëndrim televizioni i tij. Problemi i Ramës me këtë biznesmen është se i ka toleruar tejzgjatjet e kontratës konçesionare, ndërsa drejtësia jonë ka bërë maskaradë, duke mbyllur gjyqe prej qindra miliona eurosh ndaj disa kompanive perëndimore në favor të tij. Nuk di si do shkojë fati i tyre, por nëse shoh dikë që ka shtyrë para drejt greminës Becchetin, nuk gjej arsye ta shohë në qeverinë e Tiranës, por në zyra të tjera në Perëndim. Faji i Edi Ramës, Sali Berishës, Ilir Metës Pandeli Majkos, Fatos Nanos e deri Aleksandër Meksit në vitin 1996, është që i kanë dhënë shans një biznesmeni të bëjë sikur do investojë në Shqipëri dhe të merret me punë të tjera. Një nga këto punë dy vitet e fundit ishte dhe Agon Channel, i cili k afatin të bëhetmë i famshëm me aktin e rrezikut të mbylljes se me atë të çeljes.
"TEMA"