Kërcënimi federalist që i kanoset Europës

Nga Anders Borg*

Bota është shumë e ndryshme pas referendumit të Brexit në Mbretërinë e Bashkuar. Do të duhen dekada përpara se ne të kuptojmë efektin e plotë të vendimit të votuesve britanikë për të dalë nga Bashkimi Europian.

Një gjë që ne mund të dimë me siguri, megjithatë, është se interesi më i mirë i BE-së është të ruajë lidhje të forta me Britaninë, pavarësisht faktit se votuesit britanikë e morën vendimin e tyre në mënyrë të njëanshme. Shumë gjëra rrezikohen nëse lejohet që procesi të dominohet nga lojërat zemërngushta të pushtetit që pengon interesat e përbashkët, siç ndodh shpesh në politikën europiane.

Ekonomisht, zhvillimi në BE do të përfitojë padyshim nga një marrëdhënie e hapur tregtie me Britaninë. Një marrëveshje e tregtisë së lirë që përfshin shërbime financiare do të minimalizojë dëmin nga Brexit për të gjitha palët e përfshira, sepse firmat europiane do të mbështeten ende te Londra si qendra e vetme financiare globale e rajonit. Edhe nëse shërbimet bankare zhvendosen gjetkë në eurozonë, kompanitë si Volvo, Siemens dhe Total do të kenë nevojë për Londrën nëse do të konkurrojnë me kompani si Toyota, GE dhe Exxon.

Politikisht, BE-ja dhe Mbretëria e Bashkuar do të përfitojnë nga ruajtja e marrëdhënies së afërt sepse asnjëra palë nuk i shpëton problemeve që prekin rajonin sot. Këto përfshinë agresionin në rritje të Rusisë dhe presidentit të saj, Vladimir Putin; fuqizimin e ISIS dhe kërcënimin nga terrorizmi në atdhe; si dhe refugjatët që i drejtohen Europës nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut. Për më tepër, vota Brexit nuk e ndryshon rëndësinë strategjike të NATO-s, ku vazhdimësia e bashkëpunimit është e nevojshme dhe ku BE-ja ka nevojë për Mbretërinë e Bashkuar po aq shumë sa kjo për BE-në.

Ndaj, çfarë duhet të bëjë BE-ja? Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker ka bërë thirrje për më shumë federalizëm – për më shumë pushtet të deleguar te institucionet qeverisëse të BE-së. Unë e konsideroj Juncker një mik të afërt, por jam kundër tij për këtë ide. Lëvizja drejt integrimit të mëtejshëm ose kontrollit të centralizuar do të ishte një rrugë e rrezikshme për t’u ndërmarrë, pasi do të shtonte rrezikun e largimit të një vendi tjetër anëtar. Dhe, përtej këtij rreziku, ka arsye të tjera përse duhen shmangur masat e federalizmit.

Le të marrim në konsideratë argumentin ekonomik kryesor të ofruar nga federalistët: eurozona ka nevojë për një politikë të përbashkët fiskale për të harmonizuar vendimet politike, si taksimi. Kjo është e gabuar për dy arsye.

Së pari, problemet ekonomike fundamentale janë strukturore. Europianët do të vazhdojnë të kërkojnë ngushëllim te populizmi nëse nuk shohin përmirësime në standardin e tyre të jetesës, që do të ndodhë vetëm me një rritje më të lartë të produktivitetit. Një politikë e vetme fiskale nuk do ta sjellë këtë – dhe kjo mund ta përkeqësojë problemin. Çfarë Europa ka nevojë, është një reformë strategjie që shton konkurrencën dhe pakëson barriera e konkurrencës.

Veçanërisht, politikëbërësit e BE-së duhet të ndjekin politikat që i bëjnë tregjet e punës më freksibël. Këto mund të përfshijnë taksa margjinale më të ulëta, kritere më të ashpra për përfitimet, kërkesa më të ashpra për kërkimet e punës, më tepër burime për trajnimin e aftësive dhe rregullim më pak strikt të mbrojtjes së punëtorëve.

E dyta arsye është politike. E thënë thjeshtë, nuk ka mbështetje politike për taksa më të larta dhe ulje shpenzimesh që do të ishin të nevojshme me një politikë të përbashkët fiskale. Brukseli do të akuzohej për shpërndorim të parave të taksapaguesve dhe çdo përpjekje për të shpërfillur opinionin publik dhe për të imponuar integrim fiskal në vendet anëtare të BE-së do të shkaktonte efekt të kundërt dhe do të nxiste valë të zemërimit populist që çoi në fitoren e kampit anti-BE në Britani.

Sot, mbështetësit e BE-së duhet të përballen me faktet: një bashkim edhe më i ngushtë nuk është vullneti i europianëve, edhe në vendet anëtare që nuk do të zgjidhnin kurrë të largoheshin. Nëse Komisioni Europian e imponon narrativën post-Brexit në këtë drejtim, rezultati do t ëjetë i kundërt me atë që synohet. Në fakt, federalizmi është me gjasë kërcënimi më i madh i të ardhmes së BE-së.

Ata që duan që BE-ja të mbijetojë duhet t’i rezistojnë tundimit për të pasur më shumë kontroll. Ne kemi nevojë për një Europë që qëndron e bashkuar sepse do, jo sepse është e detyruar nga super-strukturat  e reja politike të cilat nuk kanë mbështetje popullore.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. The Federalist Threat to Europe

*një ish-ministër i financave në Suedi, është kryetar i Iniciativës së Sistemit Financiar Global të Forumit Ekonomik Botëror.

SHKARKO APP