Kështjella e Medias dhe media e “kështjellës”

Diku nga mesi i librit të tij, “Kështjella e Medias” (botim i “UET Press”, Tiranë, dhjetor 2016), themeluesi dhe botuesi i gazetës “Koha Jonë”, Nikollë Lesi, duke përvijuar hap pas hapi ravën e saj, do të thoshim dramatike, shkruan: “Mundet një ditë, me kasetat që kam ruajtur që nga viti 1992, të dalë një dokumentar televiziv. Ishin ngjarje që sot duken të pabesueshme”. (f. 223.) Ky është dhe përftimi i lexuesit nga ecuria e pazakontë e kësaj gazete 

Nga Ndue Dedaj

1

Diku nga mesi i librit të tij, “Kështjella e Medias” (botim i “UET Press”, Tiranë, dhjetor 2016), themeluesi dhe botuesi i gazetës “Koha Jonë”, Nikollë Lesi, duke përvijuar hap pas hapi ravën e saj, do të thoshim dramatike, shkruan: “Mundet një ditë, me kasetat që kam ruajtur që nga viti 1992, të dalë një dokumentar televiziv. Ishin ngjarje që sot duken të pabesueshme”. (f. 223.) Ky është dhe përftimi i lexuesit nga ecuria e pazakontë e kësaj gazete, tribunë e fjalës së lirë në Shqipërinë e tranzicionit dhe një model se si media duhet të sillet me qeveritë autokratike, të majta apo të djathta, që me t’i kërcyer kalit të pushtetit, qimen e ndërrojnë, por jo zakonin. Libri dëshmon sjelljen prej aleatësh me gazetën, kur ishin në opozitë, dhe prej autokratësh sapo hipnin në pushtet, si të Berishës, ashtu dhe të Nanos, dy anët e së njëjtës medalje.

“Kështjella e medias”, një libër i pritshëm, histori e gazetës që bëri epokën e saj si asnjë tjetër në kohën e pluralizmit politik shqiptar, duke qenë e para gazetë e pavarur në Shqipërinë e pas 90-s, si e tillë dhe udhërrëfyesja e shtypit të ngjashëm që erdhi më pas, por dhe më e salvuara, me djegie të redaksisë, në vitin tragjik 1997, si ato uratoret e besimit, lajmit të mirë të mesjetës që nuk i shpëtonin rrënimit të sunduesit. Duhet të jetë institucioni i vetëm në historinë e Shqipërisë i ndëshkuar kolektivisht. Ndonëse në tre vitet e fundit të shekullit XX, gazetarët e rinj ishin dhe lajmëtarë të demokracisë e publikes dhe heronj që do të përballeshin me anarshinë e tranzicionit dhe segmentet e kriminalizuara të shtetit. Historinë e kësaj kështjelle të medias e kanë shkruar vetë sendërtuesit e saj, edhe për faktin që ajo ishte shkolla e parë e gazetarisë së lirë dhe lirisë së fjalës në këtë vend, krahas gazetave të tjera që luajtën rol të ndjeshëm në përiudhën e ndryshimit të sistemit politik, si: “Gazeta Shqiptare”, “Albania”, “Shekulli”, “Panorama”, “Shqip”, “Mapo” etj.

“Koha Jonë” është një histori mediatike e trazuar në vite, që vjen përmes rrëfimit të drejtpërdrejtë e konciz të themeluesit dhe protagonistit të saj, Nikollë Lesi. Rrallë mund t’i qëllojë njeriut të lexojë me emocion drithërues një libër të bashkëkohësisë, ku flitet për njerëz dhe ngjarje që ishin dje e që janë dhe sot. “Koha Jonë” ishte aq e re e megjithatë krijoi rrjetin më elitar të gazetarëve të Shqipërisë poskomuniste, që sot janë drejtues të gazetave, redaksive, kanaleve dhe emisioneve televizive më të ndjekura në vend, si Aleksandër Frangaj, Armand Shkullaku, Martin Leka, Rudina Xhunga, Blendi Fevziu, Sokol Balla, Andi Bushati, Arian Çani, Arta Marku, Skënder Minxhozi, Alban Dudushi, Ben Andoni, Henri Çili, Arion Sulo, Erl Murati etj., apo Ben Blushi që i ka hyrë prej kohësh politikës. Në krye të kësaj elite të re mediatike, që doli nga “Koha Jonë”, ishte padyshim gazetari i njohur Frrok Çupi, një nga penat më të spikatura të shtypit shqiptar, kryeredaktor i të parës gazetë opozitare, “Rilindja Demokratike”. Kur kundron sot përipecitë që ka kaluar gazeta e parë e pavarur e pluralizmit mendon se sa e brishtë ka qenë demokracia jonë në fillimet, se administrata e shtetit ishte një shëmbëllesë e rinovuar e diktaturës për nga stili dhe sjellja. As në ilegalitet gazetat guerile nuk i kanë hequr disa nga mundimet e “Koha Jonë”, e cila hapi rrugën e suksesit të bujshëm, edhe pse kundra saj ishte pjesa me agresive e shtetit (polici, tatime, gjykata), përfshi dhe ndonjë kundërgazetë për disa kohë. Kjo është një histori që atë e bën me nder e të tjerët i bën me turp para saj, edhe pse sot mund të jenë të gatshëm t’i falin pendesë, dekorata dhe lavdi. Në këtë kuptim, “Koha Jonë” mbetet gazeta unikale në Shqipëri, për meritë ekskluzive të një njeriu të vetëm, themeluesit të saj, por dhe të një stafi besnik të profesionit të gazetarit. E në ndonjë çast kritik dhe të mbështetjes amerikane, si në vitin 1996, që i krijoi mundësinë e kreditimit për të vazhduar rrugëtimin e saj të pandalshëm. Nikollë Lesi tregon devizën që e bëri gazetën aq të kërkuar: “Ne kishim kurajon e çmendur se e thoshim shqeto, pa frikë të vërtetën”. (f.186). Dhe publiku për këtë është i etur sot e gjithmonë. Po ashtu “Koha Jonë” është dhe një model në anën e funksionimit ekonomik, ajo e siguronte vazhdimësinë nga shitjet, tirazhi, cilësia e të bërit gazetari dhe jo nga aferat e pushtetit.

2

Koha Jonë doli fillimisht në Lezhën e Frang Bardhit, Pjetër Zarishit, Gjergj Fishtës, Ndoc Gjetjes, Rudolf Markut e Preç Zogajt, thënë ndryshe ku fjala e shkruar kishte një traditë të vjetër e të re. Provinca do të ishte vetëm A-ja, të tjerat metropoli. Me tirazhin më të madh në historinë e shtypit shqiptar, rreth 90 mijë kopje, ajo dëshmoi se ishte e pakonkurueshme në treg dhe mbretëresha e medias së pavarur. E gjitha nisi si një aventurë, çka dhe vetë autori e pohon disa herë në librin e tij. “A e mendon se kjo që po bën është një aventurë? – i pata thenë miqësisht atë fillim pranvere të vitit 1991, Nikollës, kur po shëtisnim rrugës kryesore të Lezhës dhe gazetat e vogla te rretheve po mbylleshin per mungese financimi etj. “Aventurë është, por do ta bëj”, pati shqiptuar ai prerë. Sot kur e kujtoj atë çast them se ndoshta gazetat mund t’i themelojnë vetëm të rinjtë, pasi besojnë në ëndrrën, paçka se janë të rrallë ata që arrijnë ta bëjnë realitet. Nikolla ishte njëri nga të guximshmit e kohës së tij. “Më dukej se me shkrimet e mia do të rregulloja botën”, shkruan ai. Por a dëgjon bota? E vërteta është që gazetën e Nikollës e dëgjoi dhe bile fort.

Kemi patur rastin ta njohim herët personalitetin e pandërruar të Nikollë Lesit. Ai, me temperamentin e tij “shpërthyes”, dëshmoi se është gjithnjë i vendosur, i pakompromis me mbrapshtitë e pushtetit, që po të përifrazojmë urtësinë e maleve nga vjen “nuk di se çfarë asht tuta”, po aq miqësor, idealist, ambicioz, i drejtpërdrejtë, mendjehapur, që nuk ka dashur asnjëherë të bëjë zanate të tjera, por vetëm gazetarin. Kronist i thekur, i paanshëm, i pangjyrshëm, siç dëshmohet në këtë libër, kur gazeta që i kushtoi rininë është dhe kronika e tranzicionit shqiptar të fazës më të egër të tij. Kur regjimi i vjetër kishte rënë dhe i riu nuk kishte arritur të ishte ndryshe nga i pari. Ndaj “Koha” ndiqet, spiunohet, paditet në gjykatë pa shkelur ligjin, kontrollohet me tendencë nga tatimorët, i bëhet presion nga SHIK-asit, deri sa vjen marsi i 97-s, kur asaj i vihet flaka dhe redaksia shkrumbohet me kompjutera e të gjitha pajisjet. Por gjuha e saj u lidh vetëm për 40 ditë, më pas njeriu që nuk do t’i ndahej lirisë së vet, do të lëshonte shtëpinë e tij për redaksi. Të gjitha këto na i thotë libri “Kështjella e Medias” me stil dokumentarist, ku e sheh gjithçka si në film. Rrëfimi me plot episode, detaje, ndonjëherë dhe batuta ironike, e bën librin të lexueshëm si një roman. Nuk është në natyrën e Nikollës stili i rëndë, pompoz, deklarativ, por zhdërvjelltësia e frazës dhe të shkruarit. Metafora e tij është e vërteta pa stërhollime dhe teprime. Siç ishte gazeta, e drejtpërdrejtë, ashtu është dhe libri kushtuar saj.

3

Por idealizmi i medias së lirë si duket nuk mund të vazhdonte  pa fund. Pushteti do të arrinte ta fuste në dorë mas-median, jo më me luftë frontale, por me korruptimin e saj, sa erdhi “një periudhë kur mediat nuk njihnin semaforë… ishin vetëm pak gazeta tashmë që jetonin me shitjen dhe reklamat… të tjerët po fuqizoheshin përditë në mënyrë marramendëse, përlanin shuma përrallore nga fondet publike nëpërmjet tenderave, pasi kishin krijuar firma private ndërtimi e shoqëri të tjera” (f. 287.) Në këto kushte njeriu që në vitin 1991 e kishte marrë detin në këmbë, siç shkruan vetë, nuk donte ta shihte “cumamin” që po vinte, ama ai “cunam” ishte. Kjo dhe e shkatërroi tregun e medias njëherë e mirë, sa me të drejtë sot shtrohet pyetja: a është media përsëri një kështjellë e demokracisë? A vazhdon ajo të jetë e pavarur, kritike, produkt i gazetarëve, apo pronarëve?! Ka gjasë që media jo pak është kthyer në shërbyese e “kështjellës” tjetër, që është pushteti. Për fat të keq, pushteti në Shqipëri historikisht e ka shitur dhe blerë interesin publik. Shitja e interesit publik, në favor të oligarkive politike, ekonomike tek ne ndodh në vazhdimësi, kurse “blerja” e interesit publik ndodh gjatë fushatave elektorale, ku premtohet shumë dhe bëhet pak, sidomos nuk bëhet ajo që premtohet, por të tjera gjëra, nga ato që kanë në mendje pushtetarët e radhës. Gjithsesi, gazetaria e shkruar dhe televizive, në mënyrë të veçantë ajo investigative, në këtë mjedis të ndotur të ekologjisë social-politike, nuk i ka lëshuar armët, ka hetuar e denoncuar afera, ka ngritur e përpunuar opinon, ka qenë në anën e publikut dhe shpesh dhe e ka paguar qendrimin e saj oponent me pushtetin. Koha ka ecur, sot presioni pushtetor mbi mediat është “moderuar”, e shumta iu bëhet presion psikologjik pronarëve të tyre lidhur me bizneset e tjera që ata kanë, për të cilat kanë detyrime tatimore në shtet. Kuptohet, qendrestarë moralë ka dhe do të ketë gjithmonë, çka e tregon dhe largimi kohët e fundit nga puna dhe pozicionet drejtuese i disa gazetarëve nga më profesionistët, kritikë me qeverinë. Qeveria ka politikat e saj ndaj mediave, si për t’i mbështetur që ato të zhvillohen e konkurrojnë, si për të ushtruar kontroll mbi ato media që punojnë në të zezë, në dëm të interesit publik dhe të punonjësve të tyre jo gjithnjë të mirëpaguar etj. Por ajo, në vend që të vendosë dhe këtu autoritetin e shtetit, sikur iu thotë nën zë pronarëve, mbylljeni ju një sy në ato politikat tuaja editoriale, që ta mbyllim dhe ne të shtetit një sy ndaj detyrimeve tuaja fiskale. Kështu pushteti bëhet “kështjellë” e pathyeshme dhe media i bën fresk nga bedenat, duke mbajtur mikrofonin e konferencave të shtypit të pushtetarëve. Edhe në këtë vështrim “Koha Jonë” është si ajo busulla që duhet parë në (çdo) kohë furtune.

(Marrë nga gazeta MAPO)

SHKARKO APP