Këta sikur do shpikin rrotën!
Nga Artan Fuga
Flitet për reformën në drejtësi. Ka vite. A thua se është ndonjë gjë e ndërlikuar dhe duhet shpikur rrota. Bota e ka bërë rrugën. Mjafton ta ndjekim.
Duhet me u nis nga parime të qarta dhe jo nga hilera, unë të heq gjyqtarët e tu, ti më heq të mitë. Parimi i parë është ndarja e pushteteve. Ndarja e pushteteve gjyqësore nga pushteti legjislativ, ekzekutiv dhe ai politik. Nuk bëhet politikë në drejtësi.
Pushteti legjislativ bën ligjet. Kaq. Nuk ka përse cakton gjyqtarë. Pushteti ekzekutiv merret me administrimin praktik të shtetit, nuk bën ligje, as dënon e as fal, as heq e vendos dot gjyqtarët. Drejtësinë nuk e bën ministria e drejtësisë. Pushteti gjyqsor bën drejtësi dhe po nuk e bëri sipas ligjit, edhe gjyqtari përgjigjet përpara ligjit e vjen polici dhe e kap per veshi.
Partia bën fushata elektorale dhe nuk merret me shtetin. Përndryshe e gjitha bëhet çorbë derri. Te ne modeli sundues vazhdon të jetë që kryetari i partisë bën partinë, partia bën qeverinë dhe deputetët, këta bëjnë gjyqtarët. Kryetari i partisë është gjithçka, kurse partia dhe të tjerat asgjë. Vazhdon tradita. Shoku Mehmet, shteti, duhet t'i bindet shokut Enver, partisë, përndryshe s'i mbetet rrugë tjetër veçse të vrasI veten me dy plumba, të mbulojë veten me çarçaf, dhe të shtrihet qetë në shtrat, pas një autokritike të fortë.
Ndarje rrënjësore pushtetesh, kjo është formula që duhet, dhe që për çudi askush nuk e përmend.