Këto nuk janë rrugë mëndafshi
337 milionë euro për dy rrugë, që bashkë shkojnë diç më shumë se 30 kilometra, koncesione pa garë dhe investime nga privati, që nuk disponon kapital. Çfarë fshihet pas kontratave PPP në rrugën Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat, sa është kostoja reale e rrugëve me standarde europiane dhe si qeveria është bindur për ofertuesit, kontrata me të cilët ka ndryshuar rrugës, duke e rritur vlerën…
Suadela Balliu
Me të mbyllur rrugët e lëna rrugëve, siç i cilësoi dje me qesëndi kryeministri Rama, kujtoi edhe njëherë premtimin e qeverisë socialiste për të ndërtuar rrugë të standardeve europiane. Kështu, pasi u zbulua se koncesionet e dy rrugëve kombëtare të Milot- Balldren dhe Orikum-Dukat, do t’u kushtojnë shqiptarëve 337,2 milionë euro, bashkë me pagesat e TVSH, kreu i qeverisë u rrek të sqaronte nga foltorja e Parlamentit
“Është e paimagjinueshme që kilometrat e rrugëve të trajtohen si metra teritali, shet e blen terital dhe ndryshon çmimi sipas madhësisë së kostumit, por për kilometra rrugë duhet të shohin çfarë ka në ato kilometra”, do të thoshte Rama, ndërsa në opinionin publik çmimi prej 15 milionë euro për një kilometër, krijohet përshtypja se ato rrugë do të shtrohen me material jo vetëm të standardeve europiane, por edhe përtej asaj që përdoren për t’i ndërtuar rëndom ato.
Por nëse kjo do të tingëllonte arsyetim i cekët apo argument populist, autostrada e sapo përuruar që lidh kryeqendrat e dy shteteve, Prishtinën me Shkupin, pagëzuar me emrin “Arbën Xhaferi”, tri herë më e gjatë se ajo Milot-Balldren, të çon vetiu tek krahasimet dhe llogaritjet e miliona eurove për kilometër rrugë.
Megjithatë, kryeministri nga Parlamenti tha se rruga do të jetë e standardit “A” dhe të tillë deri më tani, thuajse nuk ka në Shqipëri, veçse një pjese të rrugës së Kombit. “Nuk i bihet shkurt e të thuash si ka mundësi për 17 km rrugë kaq shumë para”, tha Rama, ndërsa zbuloi pjesë të projektit.
Rruga Milot-Balldren do të ketë dy ura, një mbi lumin Drin dhe një mbi Mat, gjashtë nyje mbi dhe nënkalime. “Dhe duke qenë rrugë e standardit A do të jenë një rrugë ku nuk do të bashkëjetojnë automjetet me bagëtitë dhe ku nuk do të lejohet transformimi i rrugës në korridor mes pishinash, magazinash, trampolinash, varreza makinash e me radhë”, do të thoshte kryeministri, duke iu referuar me gjasë rrugës interurbane dytësore që lidh Tiranën me Durrësin, e për të cilën vetëm pak ditë më parë u tha se do të bëhej me pagesë, edhe pse nuk u bë e ditur saktësisht se kur do të ndodhë. I ditur u bë lajmi, nga ministrja e Infrastrukturës se procedurat për koncesionet do të çelen këtë vjeshtë.
Sipas kryeministrit, rruga me kosto 213 milion euro, përfshin brenda vlerës edhe 13 vite mirëmbajtje. “Rruga e Kombit kushtoi mbi 1 miliardë dhe nuk ka mbaruar akoma, kërkon para, së dyti nuk përmbush standardin A në gjithë gjatësinë e vet dhe së treti nuk është se garanton atë që ne u detyruam ta bëjmë me vendosjen e pagesës, mirëmbajtjen, ndërsa në këto kontrata kemi mirëmbajtjen për 13 vjet. Çdo gjë është në përgjegjësinë e kompanive”, deklaroi dje Rama.
Por sipas kontratës, me kompanitë ndërtuese “ANK” dhe “Bardh konstruksion”, kontratë vërtet ka kohëzgjatje 13-vjeçare, por mirëmbajtja do të sigurohet për tetë vite, ndërsa rruga mendohet të zgjasë 4 vjet e gjysmë. (Autostrada e fqinjëve, inauguruar të mërkurën dhe që shtrihet në 66 kilometra përfundoi në katër vite, bashkë me vonesat brenda, pasi ishte parashikuar të përurohej gjashtë muaj më herët.)
Dhe për t’i siguruar shqiptarët, nga xhepat e të cilëve do të dalin pagesat e dy rrugëve të reja, kryeministri do të thoshte se janë kompanitë ato që investojnë kapitalin e tyre dhe shteti paguan vit pa viti, nuk janë para që jepen menjëherë.
Por ajo që kryeministri nuk sqaroi dje nga Kuvendi, kur tha se rrugët nuk janë metra teritali, që çmimi u ndryshon sipas madhësisë së kostumit, ishte rinegociimi pa garë me kompaninë koncesionare.
Në tetor të vitit të kaluar, kompania A.N.K u shpall fituese për dhënien me koncesion/PPP të ndërtimit dhe mirëmbajtjes së rrugës Milot –Balldren, me vlerë 161.5 milionë euro, sipas buletinit zyrtar të Agjencisë së Prokurimeve Publike. Por, pas rinegociimit, kostoja e rrugës ka shkuar në 213 milionë euro, ose 32 përqind më shumë. Thuhet se vlera e shtuar mbi kontratën fillestare ka ardhur si shkak i përfshirjes së ndërtimit të një tubi shtesë të tunelit.
Ishte Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës ajo që përzgjodhi kompaninë ANK, me pronar të vetëm Agim Kolën, si fituesen e koncesionit me vlerë 161.5 milionë euro, për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës Milot-Balldren më 2018-n, ku atëkohë u bë e ditur se pas përfundimit të tenderit do të kishte një negocim të kontratës nga kompania.
Fillimisht, kostoja e rrugës Milot-Balldren u parashikua 50% më e ulët. Në relacionin e buxhetit të shtetit për vitin 2018, qeveria vendosi si fond total për këtë rrugë vlerën e rreth 113 milionë eurove, për ta çuar shtatë muaj më vonë në 161.5 milionë euro dhe akoma më vonë, në 213 milionë euro. Milot-Balldren është vepra e tretë e paketës 1 miliard euro, e lindur si një koncesion i pa kërkuar, pra jo si projekt i qeverisë, por i propozuar nga vetë kompania ANK. Edhe këtë radhë, ashtu si në dy herët e mëparshme, tenderi është fituar nga kompania që ka bërë ofertën e pa kërkuar të koncesionit.
Kryeministri dje nga Parlamenti nuk sqaroi as se përse i është besuar ky partneritet publik-privat kompanisë “A.N.K”, e cila i ka bërë shtetit ofertën e pa kërkuar, në projektin e propozuar nga vetë ajo dhe jo nga qeveria, nuk arrin t’i justifikojë kapacitetet financiare.
Kompania, e cila ka premtuar të financojë 52 milionë euro nga kapitali i saj dhe 70 të tjerë t’i marrë hua bankare, nga të dhënat zyrtare të bilancit të 2017-s, totali i aktiveve i shkon në 16 milionë euro, ndërsa kapitali në vetëm 3.2 milion euro.
Në tabelat e publikuara në kontratë kompania ka llogaritur edhe se do të paguajë interesa prej rreth 31 milionë eurosh për kredinë 70 milionë euro dhe financimet e furnitorëve prej 19.5 milionë euro, duke mbetur një fitim për kompaninë rreth 40 milionë euro, ose rreth 20% e totalit, ku normat e fitimit që operohen me tenderët e rrugëve, operatorëve në treg llogariten në 6-8% të totalit të shumës së shpenzuar. Jo vetëm që kostoja e rrugës ka ndryshuar në proces e sipër, në një kontratë që do të duhet të kishte qenë mjaftueshëm joshëse dhe bindëse për qeverinë për t’i akorduar këtë koncesion dhe duke qenë e pa kërkuar, edhe do t’i kishte kursyer shtetit para nga buxheti, por ajo që ngre dyshime është sesi kjo kompani me kapital më pak se 4 milionë euro e ka bindur qeverinë shqiptare si investitor serioz, kur nuk ka kapital as paratë e premtuara prej 52 milionësh dhe as ka deklaruar garantorët për kredinë në institucionet financiare të nivelit të dytë.
Nga 213 milionë euro që është totali i kostos së llogaritur për rrugën e që qeveria shqiptare do ta paguajë me këste në një hark kohor prej 13 vitesh, kompania do të duhej të financonte 140 milionë euro, por ende mbete te paqartë sesi. Pa i hyrë llogarive dhe bërjes transparente nëse ato që kryeministri i quan rrugë të standardit “A”, nëse kostoja mesatare e tyre i afrohet vlerës prej 15 milionë euro për kilometër.
Nuk ka vonuar edhe reagimi i opozitës, të cilët e kanë cilësuar si kontratë mashtruese, korruptive dhe vjedhje.
“Kontrata e koncesionit të rrugës Milot-Balldren është kontratë mashtruese. Kompania ANK ka marrë përsipër të paguajë 52 milionë euro nga kapitali i saj, kur ka vetëm 4 milionë euro kapital. Kompania ka premtuar që me ketë kapital minimal do të marrë edhe 70 milionë euro të tjera kredi nga bankat dhe 19,5 milionë euro financim nga furnitorët”, është shprehur ish-deputeti i PD-së, Agron Shehaj, duke ngritur edhe disa pista dyshimesh. “Ose ANK ka fryrë kostot në një skemë tipike korrupsioni, ose do pastrojë para të pista në këtë projekt, ose të dyja bashkë”, do të vijonte Shehaj, duke thënë me siguri se kompania nuk e zotëron kapitalin dhe se mashtrimi duhet të hetohet menjëherë. Por, si në rastin e rrugës Milot- Balldren ashtu edhe në atë Orikum-Dukat, zgjidhja e mosmarrëveshjeje nuk do të bëhet nga gjykatat shqiptare, por nga zyra e arbitrazhit e Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë, pjesë e grupit të Bankës Botërore në Uashington.
Kontratën koncesionare e ka denoncuar edhe numri dy i LSI-së, Petrit Vasili, i cili e quajti vjedhje.
“Sa vidhet të nderuar qytetarë? Vidhet në mënyrë çnjerëzore. Rruga Milot – Balldren që lidh dy funde rrugësh. Rruga e ka çmimin 15 milionë euro kilometrin. Një shtesë rruge fushore nga Orikumi në Dukat e ka çmimin mbi 5 milionë euro. Të nderuar qytetarë, që ju të kuptoni më mirë sesa vjedhin këta, pra e kuptoni 15 milionë euro ishte ajo rruga Milot-Balldren atje në fund”, tha Vasili, ndërsa bëri një krahasim të kostove me rrugën Fier-Vlorë, me 4 korsi, me ura dhe me asfaltim, sipas tij, të nivelit europian e cila kushtoi 2 milionë euro për kilometër.
Nga Kurbini, kreu i PD-së, Lulzim Basha do të zotohej, me një betim për Kishë të Laçit, se kontrata nuk do të realizohej.
“Tani dua ti them ANK-së dhe atyre që fshihen pas ANK-së, çdo banke shqiptare: mos guxo një lopatë të vetme dheu, sepse dheu do e mbulojë turpin e kësaj afere korruptive! Kjo kontratë do të varroset. Edi Rama, Belinda Balluku, Damian Gjiknuri, do të shkojnë para drejtësisë. Zotohem përpara Kishës së Laçit se nuk do i vidhni shqiptarët me këtë kontratë krimi me rrugën Milot-Balldren”, u shpreh Basha, duke sjellë gjithashtu një krahasim të koncesioneve të rrugëve, që i quajti vjedhje, siç ishte projekti i Unazës së Re në kryeqytet, që do të kushtonte 40 milionë euro për 2 kilometër.
Ndërsa rruga Milot-Balldren do t’i kushtojë shtetit, duke llogaritur edhe TVSH, 256 milionë euro, pagesa e së cilës do të nisë të kryhet pas vitit të parë të punimeve kur të jetë kryer 25 përqind e vëllimit të punës, rruga Orikum-Dukat edhe ajo pjesë e programit “1 miliard euro”, do të kushtojë, përfshirë edhe taksat 80.8 milionë euro, pa llogaritur kostot e shpronësimeve.
Ndryshe nga koncesionet e tjera të pa kërkuara, kontratat e këtyre rrugëve do të miratohen në Kuvend.
Në janar të këtij viti, në Kuvend u dorëzua një projekt ligji i posaçëm, ku qeveria kufizon sektorët ku pranohen ofertat e pakërkuara dhe ku jo. Në projektligjin e depozituar që parashikohet të hyjë në fuqi nga 1 korriku 2019, përjashtohen ofertat e pakërkuara për rrugën. Sektorët ku kjo praktikë do të jetë e zbatueshme edhe pas kësaj date do të jenë shërbimet në porte, aeroporte dhe sektorin e energjetikës. Komisioni Europian, në raport-progresin për Shqipërinë të publikuar të mërkurën, ndërsa është shprehur pozitiv për ecurinë në përgjithësi të ekonomisë, nuk ka mbajtur të njëjtin qëndrim për praktikat e ndjekura për projektet me partneritet publik-privat, që janë zgjeruar ndjeshëm së fundmi. Raporti thotë se mbështetja gjithnjë e më shumë në këto projekte përbën rrezik fiskal. Për më tepër, thekson raporti, pjesa më e madhe e kontratave PPP janë përzgjedhur në bazën e ofertave të pakërkuara, çka redukton konkurrencën në prokurime. Më parë, Departamenti Amerikan i Shtetit ka shprehur publikisht shqetësimet se këto koncesione kufizojnë konkurrencën duke paracaktuar fituesit, ndërkohë që Fondi Monetar Ndërkombëtar i kërkoi hapur qeverisë të ndërpresë programin 1 miliard euro si të rrezikshëm për financat e shtetit.
Rruga 14.7 kilometra nga Orikumi në Dukat, kontratë e llojit Partneritet Publik-Privat, me dy kalime, do të ndërtohet nga kompania fituese “Gjikuria”.
Kjo e fundit do të ndërtojë rrugën me një fond prej 43 milionë eurosh, nga ku 25 milionë euro do merren nga bankat si kredi dhe 15 milionë euro do t’i investojë firma nga kapitali i saj. Kostoja e mirëmbajtjes llogaritet në 7 milionë euro. Në total, sipas kontratës, bashkë me interesat bankare do të paguhen rreth 70 milionë euro për 13 vjet. Shifra e llogaritur për kilometër rrugë shkon në pesë milionë euro.
I pyetur nga gazetarë në një studio televizive dje mbrëma, kryeministri do të jepte edhe më shumë hollësi rreth dy kontratave. “Pse këtë rrugë? Qeveria është e votuar, edhe të bëjë vepra, siç qeveria është besuar të ndërtojë”, u shpreh Rama, ndërsa pyetjeve të ngritura se përse të dy koncesionet janë dhënë pa garë, në oferta të pa kërkuara, Rama do të thoshte se Shqipëria ka një legjislacion, “të cilin as e kemi shpikur e as e kemi bërë për ta fshehur”, u shpreh kreu i qeverisë duke e quajtur turp dhe neveri gjyqin publik dhe akuzat e ngritura.
Sipas kryeministrit për çmimet ka një manual të rrugëve e të punëve civile në Republikën e Shqipërisë. “ Ka manual të rrugëve të punëve civile të republikës së Shqipërisë. Është skandal të thuash kaq kilometra, kaq lekë”, ngulmoi edhe njëherë kreu i qeverisë, duke u munduar të bëjë cilësimet mes rrugëve të drejta, që kanë një aksh kosto dhe atyre ku përfshihen ura, tunele e vepra arti, të cilat kanë çmime krejt të ndryshme. Po ashtu edhe sipas numrit të korsive.
Për ata që e cilësojnë si jo prioritet realizimin e dy rrugëve, kryeministri do të përgjigjej në terma jashtë atyre infrastrukturorë apo të zhvillimit të turizmit. “E dini sa shqiptarë kanë lënë lëkurën aty dhe sa gra janë veshur me të zeza për shkak të aksidenteve?” Aksin Milot-Balldren e cilësoi edhe njëherë të standardeve europiane dhe të parën rrugë me standard të tillë.
Arsyet që e çuan qeverinë shqiptare për të ndërtuar përmes partneritetit publik-privat, janë të njëjta si gjithnjë: qeveria nuk i ka paratë për t’i ndërtuar me buxhet. “Rruga e Arbrit u premtua qëkur nuk mbahet mend, pse nuk u bë?! Por po e bëjmë me të njëjtën metodë, rëndësi ka që shqiptarët ta kenë. Është e rëndësishme për lëvizjen dhe për turizmin”, tha Rama.
Por në projektet e përbashkëta publik-privat, sipas ligjit risku kalon nga shteti tek sektori privat, pra koncesionari. “Të marrim të shohim rrugët e bëra me garë, nuk kemi bërë shumë gara. Por të shohim çmimin fillestar me të cilin është nënshkruar kontrata, marr vetëm Tiranë- Elbasan, e të shohim çmimin final është kapërcyer. Të gjitha risqet e vërteta ose të prezumuar në rastin e kontratave i kanë ngelur shtetit. Nëse dalin gjëra të paparashikuara, i ka privati”, u shpreh kryeministri, por riskun më të madh, të paktën me aq sa shihet deri më tani, e merr koncensionarja, e cila megjithëse është zotuar të investojë 140 milionë euro, 52 prej të cilave nga kapitali i saj dhe 72 hua bankare, gjendje ka vetëm katër… E nëse nuk janë metra teritali, shqiptarët do të duhet të binden se ku edhe si do t’i gjejë paratë për të investuar kompania “ANK”, që po shqiptarët përmes buxhetit të shtetit t’ia kalojnë më pas me këste. /Gazeta Liberale