Kim Mehmeti: Vëllai’ i Piktorit – Vuçiçi, ishte dhe mbeti projektues i ferrit e jo i parajsës

Nga Kim Mehmeti-
Vuçiqi është politikanë i dalë nga gjaku i luftërave të Millosheviqit kundër popujve joserb të këtyre hapësirave dhe ai gjak, herë pas herë, atë e ndjellë! Presidenti i Serbisë është i dalë nga kapota e Millosheviqit dhe është një nga zbatuesit e politikës shoviniste serbe, që kishte për qëllim shfarosjen e popujve joserbë e joordodoksë. Vuçiqi është president e një shteti kishtarë, që edhe në të shkuarën edhe sot, zbaton projektet e Kishës Ortodokse Serbe, shumica e priftërinjtë të së cilës, edhe sot, njësoj si dikur, nga do që shkojnë kryesisht mbjellin urrejtje ndaj besimtarëve të feve tjera. Viçiqi i takon asaj klase politikanësh serb që nuk hoqën dorë nga projektet sërbomëdha të Millosheviqit e të Kishës Ortodokse Serbe pse ato sollën gjakderdhje, por pse ‘Kasapi i Ballkanit’ nuk e realizoi Serbinë e madhe pa jo serb, e pa jo ortodoksë në të. Pra Presidenti i sotëm serb, si edhe shumë burrështetas tjerë të Serbisë, nuk e fajësojnë Millosheviqin pse ai i filloi luftërat e përgjakura në Ballkan, por pse ato i humbi.
Dhe është e pritshme që një njeri i tillë të bëjë gjumë në shtratin e paqëndërtuesit, por të sheh ëndrra luftarake. Madje është e pritshme që një njeri i tillë edhe paqen ta ndërtojë duke u armatosur, duke u bërë gati për luftë, e jo për paqe, ashtu siç bënë sot Serbia kur për çdo ditë armatoset, e ne dhe bota shtiremi se këtë nuk e shohim. Më në fund edhe nuk mund të ndërtosh parajsë me projektuesit e ferrit dhe nuk mund të ndërtosh paqe me një njeri i cili dhjetë ditë pas gjenocidit në Srebrenicë, pra me 20 korrik të vitit 1995, si deputet, nga foltorja e parlamentit serb, e paralajmëroi tërë botën se për çdo serb të vrarë, ata do vrisnin 100 mysliman?! Andaj edhe nëse është e mundur të pajtohesh se s’mund ta ribësh të shkuarën, është idiotizëm të bësh atë që bënë Piktori i ‘Rilindjes’ dhe ish Presidenti i Kosovës që përfundoi në Hagë – të vëllazërohesh me një burrështetas që karrierën politike e ka ndërtuar duke ecur udhëve të lagura me gjakun e të pambrojturve dhe duke i fshehur varrezat masive të shqiptarëve, që kishin vetëm një faj – pse nuk ishin serb dhe pjesëtarë të kishës ortodokse serbe.
Por në gjithë këtë histori ka diçka të dhembshme dhe poshtëruese për ne shqiptarët, e që ka të bëjë me atë se përderisa myslimanët e Bosnjës, në vitin 2015, nuk pranuar që Vuçiqi të merrte pjesë në përkujtimin e viktimave të Srebrenicës, si dhe, përderisa kroatët as që mund ta imagjinojnë që Vuçiqi të shëtit lirshëm nëpër vendbanimet e tyre, Kryeministri i Shqipërisë, atë e priti në Tiranë si të ishte një nga nënshkruesit e pavarësisë së Shqipërisë dhe të Kosovës. Pra e priti dhe u vëllazërua me të thuajse ishte një nga burrështetasit që u pajtuan ta bombardonin Serbinë, për t’i shpëtuar shqiptarët nga gjenocidi serb, e jo një nga ata që përkrahnin projektet për spastrime etnike të Kosovës dhe Bosnjës. Dhe çka mund të thuash pas kësaj, si mund të ndjehesh mirë si shqiptar kur e sheh se si Kryeministri i shtetit tënd amë, e trajton Vuçiqin si të ishte heroi i shqiptarisë, e jo mbështetës i politikave dhe projekteve antishqiptare!? Dhe gjithë këtë Piktori sot na e shet si vlerë perëndimore, duke na llogaritur për aq budallenj sa të besojmë se janë të prapambetur, e jo të civilizuar, popujt që duan drejtësi, si për shembull hebrenjtë, të cilët edhe kaq vite pas Luftës së Dytë Botërore, u shkojnë hap pas hapi vrasëseve të tyre nazistë.

Pra vetëm burrështetas si Piktori mund të bëjnë të paparën e të padëgjuarën: në vend që të ngrenë aktakuzë e padi kundër Vuçiqit dhe shumë burrështetasve tjerë serb, ai e paditi Kryeministrin e Kosovë?! E tani ne habitemi pse ka qarqe perëndimore që bëjnë çmos ta barazojnë viktimën shqiptare me kriminelët serb, gjë të cilën e ndihmuan edhe burrështetasit shqiptarë, siç janë Piktori dhe ish Presidenti i Kosovës, të cilët u ‘vëllazëruan’ me Vuçiqin edhe pse e dinin se ai kishte dalë nga gjaku i luftërave të fundit ballkanike. Pra ne tani habitemi pse luftëtarët tanë të UÇK’së, disa qarqe Perëndimore, i akuzojnë duke përdorur te dhënat e policisë kriminele serbe, e jo ato të viktimave shqiptare. Dhe ne shtiremi se nuk e shohim se përballemi me paradokset tona, se jemi viktima të inferioritetit të burrështetasve tanë, që i çon ata të shkelim edhe mbi kufomat e viktimave tona të pafajshme, vetëm që të jenë të pëlqyer nga të huajt.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?