Kjo 88-ta që na ka zënë rrugën

Nga Ilir Levonja/Vetëm një gjë më trishton në gjithë këtë këmbëngulje. Në këtë punën e 88-tës. Këtë të Venecias. Të cilën po e shtrëngojmë. E po i dalim kundër Europës, sikur Venecia mos me qënë në Europë.
Më trishton pretendimi se partia në pushtet i kap të gjitha, nëse nuk zbatohet pikë për pikë kjo 88-ta e Venecias. Ajo për mosdakordimin dhe futjen në skenë, këtë propocionalin e famshëm. Dhe këtu tek këto thërrime formulash zgjedhje do mundemi të bëjmë pjesë edhe ne si opozitë.
Duket si një justifikim i paraprirë për zgjedhjet që po afrojnë. Duket si një justifikim i deklaruar i humbjes së pritshme. I bie shkoqur që po bëjmë zhurmë pasi e kemi të garantuar humbjen në zgjedhjet e ardhshme. Se ndryshe, i thonë që po i presim hakun vetvetes kur të jemi ne në pushtet.
Dhe kjo është absurde për një opozitarizëm në demokraci normale.
Po, po absurde.
Tek kërkoja në internet më shumë informacion rreth këtij të famshmit nen të Venecias. Nga krahu i webeve opozitare, vura re se shumë prej tyre vegjetonin akoma në muajt e vitit të kaluar. I pari webi i Rilindjes demokratike. E dyta kryesia e xhaketave të lodhura me pushtet, mendojnë të fitojnë pikë përmes kundërshtimit të martesave gay etj. Nga ana tjetër ndjehet një panik i madh për rrjedhjen e votës. Apo heqjen e veshit që u bëjnë disa kryetarë partish nga baza. Kësaj qëndrës që delegon aty, me imponimin e pushtetit pikërisht këto xhaketa të lodhura. Këto të cilët e konsiderojnë realitetin e provincës akoma si një meritokraci e të fortëve dhe e grabitjes së votës. Apo të justifikimit me traditë dhe histori si zonë e jona. Zonë e djathtë. Ose janë të majtë ata. Edhe pse morëm një shuplakë të fortë nga Kavaja, shtatë vjet më parë.
Një qëndër që nuk i vë veshin bazës, është e destinuar të dështojë.
Në kushtet e krizës aktuale, duke patur parasysh edhe skandalet e fundit, me kryetarët e bashkive, mandatet e hequra, arrestimet dhe ndjekjen penale të deputetëve etj. Pa përmendur edhe depresionin kolektiv shqiptar, i cili gjen ngushëllim tek entuziazmi i përfaqësimit në eventin e futbollit europian, është miopi të mos përfitosh si opozitë. Por nuk ke se çfarë i bën. Eshtë thelbi tek ato xhaketat e lodhura që janë me Venecian, por jo me Europën. Janë me Amerikën, por jo me ambasadorin e saj. Janë me tregtimin e votës kur u duhet të zgjedhin president deshtak. Kur krijojnë aleanca jo bionatyrore. Kur falin po kolltuqe për hatër të këtyre aleancave. Duke lënë përjetësisht anëtarin militant, thjesht militant.
Ashtu sikur kërcënojnë për integritet kur u prishet vegjetimi. Vegjetimi njëzetë e pesë vjeçar në kolltukun e kuvendit, të vendit të një qytetari që nuk merr as një të dhjetën e pagës së tij. Janë për kompromisin, por për ekzistencën e tyre. Jo për interesat e një vendi të tërë. Dhe kjo ndodh e gjitha nga ajo psikozë me natyrën e fetarizmit radikal, që e kemi thënë e stërthënë, se njeriu ynë doktorohet e shkencërohet, vetëm e vetëm që të bëhet politikan. Që të rrijë gjysmë shekulli jetë në pushtet.
Lëreni 88-tën mënjanë demokratë, prisheni ritin fatkeq të pësimit në fund. Dhe futuni në zgjedhje për të fituar. Ka halle plot që të mbushni torbën. Janë halle populli. Dhe pas përvojës tonë, ne kemi fituar sa herë që jemi bërë një me njerëzit. Jo me taktikat e tregut të mandateve.

SHKARKO APP