KJO DITË PRITEJ

102 vjet nga vrasja e patriotit Haki Glina

25 maji është dita e vrasjes se nacionalistit dhe gazetarit Haki Glina. Këtë vit mbushen 102 vjet nga vrasja e tij, në përballjen e forcave qeveritare kundër forcave të Haxhi Qamilit që kundërshtonin Princ Vidin. Sejfi Vllamasi dëshmon në kujtimet e tij, se Haki Gina u vra heroikisht së bashku me 13 vullnetarë të tjerë në kordat e Rashbullit gjatë betejës mes forcat e Haxhi Qamilit. Haki Gina përveç se një luftëtarë njihet edhe si një njeri aktiv në shtypin e kohës me mjaft artikuj. Më poshtë po sjellim për lexuesit dy artikuj nga pena e Hakiut dhe një te treti prej një autori të panjohur, me siguri mik i Hakiut, i cili me dhembshuri njofton vrasjen e shokut të tij.

Haki GLINA

Për Shqipërinë historia u dha të kuptojnë gjithë botës, pa ndruajtur dhe me dokumenta të plota, se ka qënë dhe do të jetë një Shqipëri e patundur në faqen e dheut. Po mjerisht, politikanëve të Turqisë re s’i a u mbushi dot mëndjet e thata! Me të vërtet, ishte një kohë që Shqipërisë prej guvernës turke s’i jepej ajo rëndësi si ndëkur që duhej dhe midis kombeve ndryshme s’nëmëronej si shok bujar?!

Se lëvizja jonë kombëtare, si dukej atë kohë xhonturqve s’ia u kishte mbushur synë. Dhe kishin vënë ndër mënt si ndëkur që bënë, t’e ngrinin nga çdo sënd emrin shqipëtar, duk me i dhënë funt pas programit pan-turqizme.

Kur xhonturqët muar gjithë sundimin e Mbretërisë në duar, e para punë për ta qe të mbushin këtë dëshirë, që po ushqenin na më të thellit e zëmërave të tyre, pa shkuar ndër mëndje se ç’rezik do t’u zinte piqinë. Komiteti xhonturk, duke blerë ca të pakë shqipëtarë, pandehu se shtyri ndër duar tërë kombin madhështor dhe shqipëtarët e tjerë që të heshtnin para çdo paudhësie që të bënin këta bukuroshë… Me të vërtetë, shumë shqipëtarë i bënë pas vete dhe i mituan, a më mirë u zunë sytë me të hollat dhe ofiqet që u dhanë!!… Po kjo udhë s’qe mjaft për xhonturqët, se e panë që nuk do t’u mbusheshin dëshirat e egërta si u donte zëmëra, se shqipëtarët zemërdëlirë dhe të pa vënë re enteresat e veta, u kundërshtuan dhe s’pushuan së përhapuri ndjenjat kombëtare midis atdhetarëve. Ky guxim dhe kurajë, gjithë parësinë xhonake e vuri në mejtim të thellë dhe kështu s’u kursyen së derdhuri një ushtëri të madhe në Shqipëri, me vullnet të shuaj kombin shqipëtar. Me milionë lira dërmuar dhe me mijëra ushëtarë dhanë therore dhe përsëri kombi shqipëtar dolli mundës përpara një rëmeti ushtërie si milingonat përdhesi…

Që nga çpallje e lirisë e tëhu, kur po kalojnë pesë vjet, Shqipëria s’pushojti së lëftuari për mbrojtjen e Konstitucionit, ku po merej nëpër këmbë prej ca judhenjë të Selanikut, të cilët me dinakëritë e tyre, Mbretërinë e suallë më atë shkallë, ku do t’i shitej lëkura si e dhelprës për hirën e ca njerëzve që s’ishin kurrë gjë. Po fati dhe gabim i ushtërisë që s’ia u çmoj ligësitë e tyre, po u qe mbrojtës gjer orën e fundit.

Ne shqipëtarët, duk me parë këtë mbrojtje q’i bën ushtëria një qeverie, që e cila nën maskën liridashëse shkel çdo nom dhe nyje të kanunit-themelimtar, vrapuam pa humbur kohë të shpëtojmë veten me qëllim të njihnim Shqipërinë më vethe dhe gjithë thirjet që përndaheshin prej mburimit, na përmëntnin doemos atë send ku qe vendosur, se një qeveri tirane sot në këtë shekull në faqe të Evropës s’munt të jetonjë. Pra, Evropa rinte me sëpatë ngrehur për t’i ndarë trutë e mbretërisë, po lavdi pastë Zoti, të themi ushtëria, ndonëse dhe vonë po u përmënt na gjum’i vdekjes dhe mezi bashkoj armët me ne shqipëtarët kundër tiranisë çifutjane. Ky bashkim, mbretërisë i dhuroj një jetë të re. Pra s’do haruar nga turqit e fjeshtë, se Shqipëria për mbretërinë dhe për ta qënka një fortesë që i mbron nga çdo rezik…

 Pra, sot, me theroritë dhe kundërqeverimet që treguam, poshtësuam një rezhim të lik ku s’ka masë dhe, Shqipërisë, atdheut tonë i dhamë një nder moralisht dhe lëndërisht, si dhe botës qytetëruar i hoqmë vrejten, duk me treguar qënjen tonë politike. Pa sot i tërë shtypi evropian dhe gjithë redhet politikane, s’pushojnë së këshilluari guvernën turke, që të njohë kombin shqipëtar zyrtarisht me gjithë të drejtat naturale dhe ndërkombëtare, se ndryshe kurë s’munt të jetë në siguri, po s’diti të na kënaqjë me ç’na jep nomi.

Haki GLINA

Gusht 1912

VOLLKANI NË BALLKAN NDIZET E S’SHUHET…

Që shumë kohë, çështja e Ballkanit po i mbush faqet e istorisë me ngjarjet e saj plot tmer, se gjaku që është derdhur në këtë tokë, besoj se në faqen e dheut s’është derdhur më tjatër vënt. Se kjo tokë pushton shumë raca të ndryshme nga njëra-tjatëra. Këto kombe, me të hyrë shekulli i 19-të, i zgjoi prej gjumit të robërisë dhe nisnë të fillojnë kryengritje kundër mbretërisë turke, e cila me rezhimin tiranik që po mbante, gjithë kombet dhe racat mos-turke, i mundonte fort keq me një mijë mundime si robër. Se turqit, sa pa çpallur liria, veten e tyre e nëmëronin për Zot dhe tërë kombet që rënkonin nën zgjedhën barbare i kishin si skllevër, ku njerëzia, a më mirë të them krishtërimi, vuante tërë ato të këqija ku s’meritonin dhe për kafshurinë e egër.

Pra, gjithkush prej kombeve, me huta, me qarje, me çdo send të nevojshëm, formuan kryengritje më vete, njëra pas tjatërës, dhe kshu shporë skllavërinë dhe muar lirinë, ku gjetnë fatërat e lumtur q’i pritnin me duar hapët, se i kërkuan pa i gjenë. Po në këtë mes mbetet një komb, me një bujë dhe famë të naltër në faqe të istorisë, ku i ka shtirë tmerë gjithësisë me trimëritë e profitshime, i cili është kombi shqipëtar. Ky i ngratë komb, donte të përmendej na gjumi i vdekjes që flinte, po kishte dy ndalime të mëdhenj, që s’e linin të çquante fatin e tij, që e priste me krahë hapët si engjëjt shpirtrat e shenjtëruar…

I pari i ndalimeve është ky: kombi shqipëtar më shumë është muhamedan, kështu që me turqit çpiki, i gatoi një lidhje-bese, lidhje të cilën për ta ç’këputur duheshin sëpatat e prehëta të diturisë, se ndryshe s’ishte punë që të çlidhej. Sepse shqipëtarët muhamedanë, nga mungim i gjuhës shqipe, tërë mësimet i mernin turqisht dhe, duke kaluar kohë, arrinë më një shkallë ku humbën kombësinë dhe zunë udhën e prapë të fanatizmit. Se turqit, në vënt që t’u mësonin msime diturie, nga hera dhe pa pushim jepnin mësime feje, sepse thoshin që me këtë metodë do mbanin Shqipërinë nën zgjedhën e tyre të keqe. Nga ky shkak po mërgoheshin dhe mohoheshin njëri nga tjatëri prej vëllezërve të krishterë, ku një kohë e një jetë ishin bijtë e një mëme. Po fati i lik i Shqipërisë i ndajti si koqe breshër, ku koha përsëri i bashkojti si bijtë e Shqipërisë që qenë e do të jenë, gjersa të mbretërojë kjo prapësirë pa funt e pa anë. Kështu dhe të krishterët zunë secilido t’u afrohen atyre kombeve që kishin fqinjë, me të mos vërejtur ç’ishin edhe çdo bëheshin. Msuan gjuhërat e fqinjëve. Duke kaluar kohë, mernin një ndryshim të rezikshim për të ngratën Shqipëri, që po humbte racën e saj fisnike si vesa në prinverë, kur bie ndër lule, që i çkëlqen dhe u lan pluhurin e ditës, del dielli, u ngre tërë atë pamje bukuroshe, q’ia u fal natyra për mëngjez, duke u fishkur faqet gjyra-gjyra. Mjerisht, kjo dramë nisi të lohet që nga mes i shekullit të 19-të, se në atë kohë kombet fqinjë mësuan metodën e propagandës dhe, kshu, shumë vise të Shqipërisë u sërbuan dhe u grekësuan, se gjuha për njerinë është si struku që gdhend e zbukuron drunë, ku i jep një ndryshim të pa njohur. Pra, sërbërit dhe grekërit që ndodhen sot në Shqipëri, fisin e tyre e kanë shqipëtar dhe jo tjatër.

Ndalimi i dytë ishte, që gjuha shqipe s’lihej të mësohej sheshazi si gjuhë kombi, po ndiqej prej turqve tiranë me aq të rreptë dhe tërsëllëm, sa nuk guxonte kurrëkush të fliste shqip a të mësonte dhe të këndonte, se ndryshe zinte Tripolinë a detin e Marmarasë.

Kur jepte-merte gjithë kjo frikë midis zëmërave të tyre, përsëri shqipëtarët nacionalistë, pa u ndrojtur nga vdekja dhe nga tërë të këqijat dhe dëmet që po i zinin, s’reshtnin së përhapuri idhenë dhe ndjenjat kombëtare me shkrime të dobishme dhe me këshilla vëllezërishte në tërë Shqipërinë. Gjithë ajo propagandë, ngriti flamurë e lirisë ndër male dhe, si mbleta e bekuar kur roit prej kosheres, në tërë qytetet e Shqipërisë, më një orë, u deklarua kremtimi i lirisë, i cili habiti tërë botën, se kurrëkush s’ishte sigur që të kapej liria prej rezhimit hamidian.

Ndonëse edhe një pjesë prej ushtërisë doli maleve dhe kjo pjesë ushtërjake pushtonte shqipëtarët nacionalistë, të cilët me orë pritnin urdhërin e komitetit qëndror shqipëtar, që të dilnin kundër qeverisë turke me idhenë që të lironin Shqipërinë prej sundimit turk dhe jo me tjatër qëllim. Pra, si suall një marrëveshje me komitetin xhonturk, shqipëtarët kombëtarë që ndodheshin jashtë Shqipërisë, bashkërisht, për kundryell fuqisë hamidjane, bashkuan armët dhe ca turq ushtarë me mos ditur se përse… Hamiti dinte fuqinë dhe regullat e revolucionit që do të bënin zhonërit, ku i mbytte me pshymë, po e trëmbi mbledhja e Ferizovikut. Kur pa se kudo që kërkoi ndihmë prej parësisë së veriut, njeri s’i dha rëndësi, po i thanë: “Armët tona do të zbrazen kundër tiranisë!”, Hamidi mori vesh se ky bashkim ishte ndër të gjithë shqipëtarët, ashtu dhe ndër ata që kishte tridhjetë e ca vjet që e kish burgosur si re e zezë diellin, u poshtërua tirani e keqe e Hamitit, duk me zënë trashëgimtarët e zhonërit!!

Shqipëria kujtoi se me të çpallurit e lirisë do të shihte ditë të bardha, ku shpresonte se do të bëhej me liri të plotë dhe të mbrothësonte në gjuhën e vet… Mjerisht, kjo shpresë s’doli si ndëkur pandehej, se koha, për ne të ngratët shqipëtarë, kishte fshehur gjithë këto të këqija plot helm e dëshpërime. Njeriu, kur t’i sjellë ndërmend i derdhen lot të përgjaktë nga zëmëra, ku hoqmë dhe do të heqim gjer kur do ta dojë koha! Se kombi shqipëtar mbeti si një kope me dhënë në mes të bishave, ku secila vrapon të rëmbejë tufën më të madhe, se mbeti e varfër pa bari. Ndonëse Austria bëri mobilizacie, gjithë kot po i venë, se thelbi i Shqipërisë po shkon në duar të atyre që s’e kishin! Pra, vollkani i Ballkanit që po ndizet që shumë kohë, me të copëtuar Shqipëria s’shuhet kurrë ndonjë kohë, gjersa të mos mbetet frymë shqipëtari. Përkundrazi, zjarri dhe flaka me zërat e tmershime kurrë s’kanë për të pushuar, kur ndonjë shkëndijë munt të përvëlojë dhe tërë Evropën, saqë të mos i mbesin dy gurë bashkë. Se, si duken punërat, koha afroj. Evropa siç është ndarë më dysh, të cilat njëra me tjatërën s’janë besnikër dhe nga hera rahin të poshtin njëra-tjatërën. Pra dhe Shqipëria po bëhet copa-copa për hirën e kësaj dipllomacie, që po rjeth midis këtyre mbretërive, ku shkelen tërë ato të drejta natyrale të së ngratës Shqipëri, ndonëse nuk dimë të drejtën e punërave politike se si rjedhin në Konferencën e Ambasadorëve të Londrës. Po, siç i shohim në shtyllat e shtypit, mbetemi fort të dëshpëruar dhe themi me gojë plot, se e drejta dhe realizmi prej botës së qytetëruar paska fluturuar, se këto dy virtyte qenë shtylla për njerëzinë që duan të rojnë në botë, se mungesë e tyre mundon e dobëton atë njerëzi pa fuqi e pa krahë, që t’i ndihë për të mbrojtur enteresat e veta. Kështu po e pëson dhe kombi shqipëtar, se sot po i miren më të mirët vënde, si: Prishtina, Ipeku, Prizreni, Gjakova, Kallkandeleni, Gjilani, Velçetrini dhe Mitrovica… Këto vise, për fat të keq të Shqipërisë, po ndodhen nën flamur të Sërbisë, e cila dëshëron t’i ketë robër njerëzinë e këtyre viseve fjesht shqiptare, ku s’ka asnjë të drejtë ndo pas istorisë, ndo pas etnografisë. Sërbia me të vërtet i do, po Evropa, a më mirë botë e qytetëruar, s’duhet verbërisht dhe pa këqyrur e pa marë nën vërejtje gjithë dokumentet që janë sheshazi: do etnografi, donëse në paleontollogji, ku të rëmohet dheu me mijëra vjet do të dalin eshtëra shqipëtari. Pra, kemi shpresë që Evropa nuk do të dojë që t’ia lerë tërë Sërbisë, se ata shqipëtarë që ndodhen n’ato vënde, kurrë s’poshtërohen që t’i rrinë rob sërbit. Le të jenë sigur, se do të lëftojnë gjersa të mos mbetet frymë shqipëtari do muhamedani, do të krishteri dhe, Sërbia, në qoftë e zonja le t’i mbajë nën urdhër të saj. Në qoftë se kanë heshtur gjer më sot, presin vendimet tuaj, o Evropë, si do marin funt. Me të përndarë shqipëtarët tutje-tëhu, mos pandehni se shuani zjarrë në Ballkan. Jo, një mijë herë jo! Përkundrazi, po hithni vaj për të ndezur, që të mos shuhet kurrë dhe është frikë se mos hidhet ndonjë shkëndijë midis jush, të përvëlohi dhe ju si Shqipëria. Erdhi koha të vërtetohet fjala e diplomatit të math Bismark, se gjer më sot ky zjarr s’ka patur atë fuqi që të dalë jashtë vatrës së tija, po, tani, po zgjerohet pa masë si një shkëndijë në një pirk me kashtë, ashtu do të ngjasë dhe ndër ju. Koha ato shenja po na tregon, se arsyeja e të drejtit kurrë s’humbet.

Haki GLINA

prill 1913

HAKI GLINA

Midis shumë trimave të tjerë, të cilët kaq lirisht sakrifikuan jetën e tyre mbi altarin e rilindjes dhe të përparimit të atdheut nën hijen e flamurit madhështor të Skënderbeut, Istoria e Shqipërisë do të dedikojë dhe të pavdekurit atdhetarë Haki Glina faqe të tëra për atdhetarizmën e tij.

Gjer dje, penda e tij me ato shkrime të zjarta të mburuara nga një mëndje dhe zemër atdhetare na zbavitnin dhe na mbushnin plot shpresa, po që sot e tutje memoria e kujtimi i tij do të jetë kurdoherë i gjallë ndër zëmërat tona.

Me shkrimet e tija mbushte dëshirën dhe qëllimet e tija, me jetën e tij mbushi plotërisht detyrën si atdhetar përpara atdheut.

Zëri i atdheut e thirri të mbrojë nderë dhe ai, pa hezituar, u sul posi një dragua në mes të zjarrit, po cilit zjarr! Zjarr të vëllezërve tanë. Lufton vëllai-vëllanë! O intriga të huaja! O errësirë e padijes ç’bën?! Shtyni vëllanë t’i bjerë vëllait dhe bëhi shkaktarë të prishjes së atdheut! Gjer kur vallë Shqipëria do të vuajë kësisoj për qefin e njërit dhe të tjetrit? Edhe sa kohë vallë do të shtyhemi në greminë dhe në prishje prej propagandave të huaja? Këto na bëjnë dashamirët!

Qarku i nacionalistëve do ta ndjejë vendin e tij të mbetur zbrazët për shumë kohë dhe, një ditë, atdhesia e tij do të çpërblehet prej Shqipërisë mirënjojtëse për shërbimet e mëdha që ka sjellë.

Kujtimi i tij do të mbetet i paharruar në çdo zemër nacionaliste shqiptare.

      Dielli, 1914

Marrë nga libri “Kush e do Shqipërinë? Ai që vdes për të”, ShB SARAÇI, 2014

SHKARKO APP