Klajda Gjosha: Loja e qeverisë me negociatat

Nga Klajda Gjosha – Rekomandimi pozitiv per celjen e negociatave të Shqipërisë nuk është një surprizë dhe as hera e parë për vendin tonë. Është rekomandimi i katërt që nga viti 2016. Në një analizë të ftohtë kjo do të thotë:

1. Qeveria nuk i kishte çelur negociatat ashtu siç deklaroi në deir të plotë Qershorin e vitit 2018 dhe këtu del qartë loja politike që qeveria bën me këtë proces të rëndësishëm për cdo qytetarë shqiptarë.

2. Negociatat kanë ende një rrugëtim të gjatë për të marrë një dritë jeshile sepse gjithcka do të varet nga provimi më I vështirë që duhet të kalojmë në mbledhjen e Këshillit Europian dhe shpresoj që ekzekutivi të tregoj përgjegjshmëri dhe seriozitet në këtë sfidë që ka përpara. Sot që flasim janë minimumi katër shtete anëtare të pozicionuara qartë në votën kundër.

3. Rekomandimi pozitiv tregon rolin e katalizatorit që ka Komisioni Europian në lehtësimin e rrugës integruese të Shqipërisë dhe vendeve aspirante, për t’i dhënë një shtysë edhe vendeve anëtare të mbështesin vendet e Ballkanit Perëndimor.

4. Komisioni Europian do të duhet të qëndroj fort në qëndrimet e mbajtura deri tanë për të ruajtur edhe kredibilitetin kundrejt vendeve anëtare. Debat ky që ka qënë në qendër të vëmendjes të BE kur flitet edhe për një reformim të brendshëm të mënyrës si funksion BE sot dhe institucioneve të saj!

5. Rekomandimi pozitiv vjen edhe si pasojë e nevojës ekzistenciale që Shqipëria ka për të mos u ndarë nga blloku me Maqedoninë e Veriut. Nëse kjo do të ndodhte, do të ishte shkatërruese për perspektivën europiane të vendit tonë

6. Raporti në brëndësinë e tij ngre çështje serioze që kanë të bëjnë me mos funksionimin e shtetit, mungesën e shtetit ligjor, mungesën e dialogut politik, çështjet e krimit organizuar, korrupsionit dhe shkeljen flagrante të të drejtave të njeriut ku përfshihet edhe e drejta e pronës. Kjo kërkon një udhërrëfyes urgjent që do të koordinonte intitucionet mes njëra tjetrës për plotësimin e këtyre kushteve thelbësore.

7. Theksi i vecantë është vendosur te kriteri ekonomik dhe dhe te papunësia, duke vënë në dukje sistemin e dobët ekonomik dhe duke e kthyer tashmë një kusht të rëndësishëm në vazhdimësinë e peocesit.

Shqipërisë sot i mungon muturia politike më shumë se cdo aspekt tjetër që i nevojitet asaj për të përmbushur këtë detyrë historike për një Shqipëri europiane. Teknikisht debati do të ishte shumë i gjatë dhe druaj se argumentat do të shkonin në favor të cilësdo palë për t’u mburrur. Rekomandimi pozitiv është vetëm një shtysë për procesin, sfidat tona janë të pafundme dhe askush nuk duhet të ketë kohë për të humbur dhe për ta kthyer këtë në debatin e përhershëm të triumfit apo dështimit politik!

SHKARKO APP