Klodian Rasha është ”fajtor”
Nga: Redjon Shtylla
Pse? Theu orën policore dhe po lëvizte i vetëm, i qetë dhe sipas shokëve po kërkonte cigare. Pse? Policia e Shtetit dhe e gjithë kupola e saj është bërë agresive ndaj qytetarit. Pse? Sepse qeveria “Rama 2” nuk e do rininë. Këtë nuk e themi ne, por ne flasim në emër të shifrave që zbulojnë hapur gjendjen tragjike në të cilën ndodhet vendi ynë. Nga janari-gusht 2020, kanë aplikuar për azil në një nga shtetet e BE-së dhe të tjera, rreth mbi 30 mijë shqiptarë, pjesa dërrmuese e të cilëve të rinj. Këto janë të dhënat e publikuara nga Eurostat. Të dhënat bëjnë të ditur se 23.8 mijë persona, ose 78% e totalit të aplikimeve për këtë periudhë ishin deri në 34-vjeç dhe 6,895 aplikime për azil nga minorenët më pak se 17-vjeç. ka edhe shifra më të rënda, për rrënimin e ekonomisë, për rrënimin e shëndetësisë etj etj.
Vrasja e 25-vjeçarit nga efektivi i forcave Shqiponja, ishte një vrasje e paralajmëruar. Prej shumë kohësh qeveria e ka nxitur këtë repart kundër popullit. Në protesta, tubime paqësore, të armatosur gjerë në dhëmbë, ky repart nuk e ka kursyer dorën ndaj shoqërisë. Rrahje, gaz lotësjellës (helmues), shkopa gome, shkelma, tërheqje zvarrë e grave dhe fëmijëve, janë panarama që qeveria ka praktikuar ndaj shqiptarëve. Prej javësh po shikojmë një Polici që është egërsuar dhe vërshon çdo ditë me gjoba ndaj qytetarëve që kapen pa maska. Vrasja e një të riu në Ditën e Rinisë është një thirrje për revoltë, është një thirrje që kjo qeveri duhet larguar një orë e më parë. Pse duhet të qëndrojë më në pushtet ministri i Brendshëm dhe e gjithë kupola e Policisë së Shtetit? Që brenda një kohë të shkurtër, për këtë vrasje ata dhanë tre njoftime të ndryshme? Pse që të na hedhim më shumë hi syve?
Është arrestuar, ka bërë aksident dhe më pas ka vdekur. Pastaj pas 4 orësh është gjetur arma, 100 metra larg vendit, kur ai është qëlluar mbrapa shpine. Një skenar për të fshehur të vërtetën. Fajtor nuk është efektivi por e gjithë kupola e Policisë së Shtetit, apo fajtor është Klodiani? A është fajtor ai pse kërkonte të dilte në një orar ku të gjithë po flinin, e ndoshta kishte nevojë për pak ajër të pastër, kishte nevojë për qetësinë e natës, kishte nevojë të reflekonte pse është i papunë, pse shokët e tij po ikin jashtë, pse kjo qeveri nuk është për rininë, pse kjo qeveri nuk punon, por bën propagandë për një brez që çdo ditë e më shumë varfërohet dhe shtypet.
Klodian Rasha, si unë, apo edhe si ti është fajtor që nuk është ngritur kurrë në protestë për të drejtat tona, për një jetë dinjotoze, për një ekonomi që të krijon mundësi për të jetuar, për tu shkolluar, për të qenë i barabartë me bashkëmoshatarët kudo në botë. Klodiani është fajtor se qëndroi në heshtje kur kjo qeveri nuk dëgjoi e nuk plotësoi kërkesat e studentëve, qëndroi në heshtje kur qeveria dhunoi e shkatërroi historinë me prishjen e Teatrit, me vendosjen e taksës tek Rruga e Kombit, e shumë e shumë problemeve. Jemi fajtorë që lejojmë këtë qeveri që të luajë me jetën tona, që të bëjë pazare me jetët tona.
Sot do të jemi ne fajtorë nëse e lejojmë që kjo vrasje të kalojë në heshtje, nesër do të jemi ne fajtorë që do të lejojmë që kjo qeveri të mos përgjigjet për këtë vrasje, e cila nuk është vetëm e 25-vjeçarit, por është vrasje e rinisë, është vrasje e shpresës që policia, qeveria dhe i gjithë shteti është për ne, e jo kundra nesh. Mos hesht, mos u bëj edhe ti fajtor me qeverinë, por reago sot pasi nesër do të jetë vonë, mund të jesh ti viktima e rradhës e kësaj qeverie që ka egërsuar Policinë e Shtetit kundër qytetarëve shqiptarë.