Koalicioni antiosman i Papa Kalistit të III dhe Skënderbeu

 

Dorian Koçi

Në shekullin XV pellgu i Mesdheut vazhdonte të reflektonte ndarjen e vjetër  që nga shekulli VII mes dy botësh, asaj të krishterë dhe asaj islamike, që me të drejtë siç thekson Anri Piren kishte formuar jo vetëm etnitete të ndryshme politike e shtetërore por edhe dy botë të kundërta kulturore. Shfaqja e arabëve në brigjet e Mesdheut në shekullin  VII e theu unitetin e botës së krishterë dhe krijoi premisat për shfaqjen e një kulture dhe identiteti të ri fetar, që përpiqej të afirmohej fort mbi mbeturinat e botës antike dhe në lulëzimin e një kulture kristiane, që kishte karekterizuar deri më atëherë rajonin. Ky konflikt do ravijëzohej fuqishëm në mentalitetin e Mesjetës së Hershme dhe do të sillnin në pah jo vetëm e Luftërat e Shenjta islamike për të pushtuar gjithë Mesdheun, por edhe një frymëzim kristian për t’i zbrapsur dhe akoma më tej dhe për të pushtuar Vendet e Shenjta, të njohura në historiografi me emrin Kryqëzata. Kryqëzatat u quajtën fushatat luftarake të kristianëve të Evropës Perëndimore drejt Lindjes për çlirimin dhe mbrojtjen e Vendeve të Shenjta dhe veçanërisht të Varrit të Tërëshenjtë. Me bekimin e Papës së Romës kryqëzatat morën karakterin e një lufte të shenjtë kundër armiqve të krishtërimit. Pushtimi i Jeruzalemit nga muslimanët pati jehonë të madhe në Evropën Perëndimore pasi  pelegrinët nuk mund të vizitonin pa rreziqe Vendet e Shenjta.

Për territoret e Arbërit apo më mirë “Dheun e Arbërit” si kishin filluar të quheshin territoret në të cilat etnia e dikurshme ilire kishte përfituar këtë onomastikë të re, Kryqëzatat ishin një mundësi më tepër për të kontaktuar me etni dhe etnitete të tjera feudale pasi vendi i tyre shtrihej në një nga rrugët kryesore që lidhte Perëndimin me Lindjen. Ky pozicion gjeografik, i cili sa ishte si një bekim për të shërbyer si një urë mes dy botëve por po aq i madh ishte dhe tributi shpirtëror, që duhet të paguante për realizuar kohezionin e duhur psiko etnik, që varionte mes dy qendrave të mëdha të qytetërimit, Romës dhe Konstandinopojës, kish krijuar premisa të vështira për të pasur një bazë teritoriale dhe dhe një njësi të përbashkët kulturore. E megjiatë përcaktimi i mësipërm nuk mund të jetë shterrues, pasi duke studiuar shfaqjen e parë të një libri në gjuhën shqipe siç është “Meshari” i Gjon Buzukut  me të drejtë Çabej konstaton se edhe një vend si Shqipëria mesjetare ku ka munguar gjithmonë bashkimi shtetëror, ka pasur treva me një besim të vetëm, një besim ky që nuk mund të mos ketë ushtruar një ndikim koncentrues edhe në lëmin gjuhësor. Një nga këto treva ka qenë dhe Shqipëria katolike, e cila deri tre shekuj më parë shtrihej edhe më në veri (Kuçi), kurse nga Jugu arrinte deri në Shkumbin. Në këtë zonë të hapët, kjo njësi fetare e pandërprerë prej shekujsh të tërë, duhet të ketë qenë ajo që ndihmoi në një shkallë më të gjerë formimin dhe zhvillimin e një gjuhe letrare me karakter kishtar.[1] Përplasjeve fatale të dy qendrave të qytetërimit Romës dhe Konstandinipojës do t’i shfaqej dhe kërcënimi i ri osman në fillimet e shekullit XV ku “Dheu i Arbërit” sërish do të bëhej një teatër luftimesh. Ky kërcënim do të ishte njëlloj si ai shekullit VII, por shumë më agresiv dhe asimilues se pushtimet e para arabe të pellgut të Mesdheut. Kërcënimi kësaj radhe ishte më tepër tokësor, pasi osmanët nuk zotëronin flotë të mjaftueshme për të sunduar në dete. Pas betejave të Maricës 1371, Fushë-Kosovës 1389 dhe Varnës 1444 rrugët ishin hapur për një depërtim konsekuent të osmanëve në Europën Lindore, pothuajse periodik në fushatat pushtuese që organizonin çdo fillim pranvere. Ledhi i parë mbrojtës i Europës ishte Hungaria e Janosh Huniadit, rruga kryesore prej nga osmanët depërtonin në Europë, ndërsa prej vitit 1444 një prapavijë e rrezikshme për ta ishin dhe territoret që zotëronte Skënderbeu në Arbëri. Duhet përmendur se në fillim aksioni i Skënderbeut dhe roli i qendresës shqiptare, pavarësisht mbështetjes morale pas fitores së betejës së Torviollit u panë me dyshim në Itali, duke demonstruar një farë pasigurie në pritje sesa Kastrioti, me numrin e vogël të njerëzve të tij, do të mund të bënte kundër atij që gjithmonë dukej si kolosi turk.[2] Ky dyshim përforcohej edhe nga fakti që Skënderbeu në dallim nga fisnikët dhe princat e tjerë shqiptarë të kohës nuk njihej gjerësisht në Itali, prandaj mbështetja dhe përkrahja morale që dhanë Papët e Romës Eugjeni IV, Nikola V, Kalisti III, Piu II dhe Paolo II aksionit të tij shërbyen si kredenciale të besueshme për rolin dhe vendin e tij kryesor në të gjitha koalicionet antiosmane, që u ndërmorrën në kuadër të unitetit të një Europe të krishterë. Kjo mbështetje sigurisht që nuk i vlejti vetëm Skënderbeut, por luajti dhe një rol të rëndësishëm në faktorizimin e elementit arbër si partner i barabartë së bashku me fuqi të tjera europiane antiosmane si Republika e Raguzës, Venediku, Mbretëria e Siçilisë, Mbretëria e Hungarisë,  Dukati i Burgonjës etj. Përpjekjet e Papëve të Romës për të ringjallur zellin e dikurshëm fetar dhe për të mobilizuar botën perëndimore në një kryqëzatë kundër osmanëve, duke marrë shkas nga rezistenca e Skënderbeut, fillojnë që me Papën Eugjen IV, që ëndërroi të organizonte një të tillë nën udhëheqjen e nipit të tij ku padyshim fatosi shqiptar do të kishte rolin e vet, por në formë më të organizuar ato dalin gjatë kohës kur u zgjodh si papë i Romës, Kalisti III. Papa Kalisti III u shpall si i tillë në datën 8 prill 1455 dhe u shugurua në datën 20 prill. Kardinal Alfonso de Borja (i italjanizuar në Borxhia) ishte 80 vjeç kur erdhi në krye të Selisë së Shenjtë dhe kishte lindur në Jativa, Valencia, ish kanonizuar nën Benedetin XIII dhe qe njohur më pas nga Martini V, që e emëroi ipeshkëv të Valencias. Kishte kaluar një periudhë kohe në Itali, në Napoli në oborrin e Alfonsit V, por duke qenë se ky i fundit ishte shumë antiklerik, u largua e u zgjodh kardinal prej Papa Eugjenio IV. Papa Kalisti III në dallim nga paraardhësit e vet Eugjenio IV dhe Nikola V nuk shfaqte kurrfarë interesi për librat, për politikën kulturore e as nuk e interesonin artistët, por pavarësisht këtij mosinteresimi përeth shkencave humane edhe pse ishte 80 vjeç, ai ishte një njeri i veprimit që i interesonte rregulli publik dhe mbi të gjitha si spanjoll që ishte ushqente një zemëratë të pashoq ndaj arabëve që kishin sunduar prej kaq kohe në Spanjë dhe ndaj  osmanëve që po kërcënonin Europën.[3] Ai shoshiste me vete një plan madhështor: sulmimin e turqve nga toka dhe deti; komandën e lartë të mësymjes tokësore donte t’ia besonte Pricit Filipo të Burgonjës, kurse në krye të flotës mendonte mikun e tij Alfonsi V nga Napoli. Për fat të keq, pritshmëritë qenë zhgënjyese. Dukej se predikonte në shkretëtirë.[4]Papa nuk u shoqërua në ndërmarrjen e vet nga askush. Venediku nuk donte të thyente paqen e përfunduar dy vjet mëparë me Sulltanin, Francesko Sforca i dukatit të Milanos përkudesej më tepër të përforconte zotërimet e veta në Lombardi, Firence nuk lëvizte ndoshta jo kaq e pakënaqur nga përparimi i turqve kërcënues për fuqinë veneciane.[5] Për fat të keq, Europa kishte hyrë në epokën ku nuk po funksiononte më si një trup i krishterë universal, por si një kundërvënie etnitetesh politike kombëtare për rivalitet e hegjemoni.[6] Ky faktor së bashku me faktorin tjetër të organizmit të ushtrisë mbi baza mercenare ishin disavantazhe, që shkaktonin pasoja të mëdha në krahasim me osmanët ku Lufta e Shenjtë mobilizonte hordhi të panumërta nën flamurin e Sulltanit. Megjiatë Papa Kalisti III nuk u ligështua, por iu vu vetë me të gjitha fuqitë e veta për të organizuar Kryqëzatën. Papa Kalisti III (1455-1458) ishte ideatori i ndërrmarjes së një kryqëzate, e cila u quajt  "Liber Brevium Callisti III".[7] Predikuesit iu drejtuan turmave popullore duke u bërë thirrje "të rrokin kryqin" për të luftuar armiqtë e besimit. Kontigjenti më i madh i kryqtarëve u mblodh në Gjermani, Bohemi dhe Hungari në sajë të predikimeve të fratit Xhiovani da Kapistrano[8]. Rezultati i parë i kësaj mbështetjeje ishte pjesëmarrja e këtij kontigjenti forcash në marrjen e Kështjellës së Beogradit nga ana e forcave hungareze me në krye Janosh Huniadin më 6 gusht 1456. Më 6 gusht 1456 në të kremten e shpërfytyrimit të Krishtit, mbërriti në Romë lajmi se turqit qenë thyer në Beograd. Me këtë rast papa organizoi festime falënderimi për ushtarët e kryqëzatës, sepse Beogradi ishte etapa e parë, tashmë lipsej të marshonte drejt Konstandinopojës dhe Jeruzalemit.[9] Mirëpo pavarësisht kësaj ndërmarrje dhe angazhimi papnor për të mbledhur njerëz për Kryqëzatën duhet pranuar se dukej se mungonte në angazhimin e vet pothuajse e gjithë fisnikëria, që asaj kohe zotëronte gati përjashtimisht ndaj shtresave të tjera, profesionin e përdorimit të armëve; për shembull në betejën e Beogradit ku kryqëtarët luftuan trimërisht dhe fituan, nuk kishte mes tyre asnjë fisnik, por vetëm artizanë dhe fshatarë[10]. Në përgjithësi shoqëria feudale e Europës pasqyronte në atë kohë nganjëllimin e një sistemi interesash të ngushta individuale dhe dukej qartë që Universalizmi i Kishës po humbte terren. Kjo gjë dukej edhe në qendrimet morale ndaj Kryqëzatës të njerëzve që i ishin përgjigjur apelit papnor. Kishte mes tyre edhe njerëz që rroknin kryqin veç për të gëzuar avantazhe, duke iu përvjedhur detyrimeve: për shembull kishte kryqëtarë që nuk u nisën kurrë për në luftë, duke gëzuar ndërkohë privilegjin kanonik të të mos qenit të detyruar të paguanin borxhet e tyre. Të tjerë bëheshin kryqëtarë falë një ethshmërie të shkujdesur fetare, apo ndoshta për të zgjidhur situatat e përveçme të vështira të dëshpëruara, duke qenë veçse krejt të pazotë nga ana ushtarake, aq sa vetë Papës iu desh të urdhëronte lirimin e tyre përfundimtar[11].

Gjithësesi pavarësisht kësaj situate që pasqyrohej në grumbullimin e forcave tokësore, Papa Kalisti III duke ndjerë avantazhin dhe epërsinë që kishin fuqitë kryesore europiane në det, kish filluar punën për ndërtimin e flotës në ujërat e Teverit. Për ndërtimin e flotës ai shpenzoi shumë, madje kur iu mbaruan paratë shiti edhe thesaret papnore, deri dhe enët e kuzhinës së vet duke deklaruar se më mjaftojnë pjatat prej balte. Më një qershor 1456 u punua fort dhe anijet zbritën mbi Tevere dhe nën udhëheqjen e patrikut të Akuiles, Ludoviko Skarampi Mecorotta mbërritën në ishullin e Rodit për tu ardhur në ndihmë kavalierëve të ishullit ë Rodit.[12]

Në këtë kontekst Europian të përpjekjeve të Papa Kalistit III për organizmin e një Kryqëzate të sukseshme, Skënderbeu dhe Arbëria kishin pasur një interes maksimal për t’i pasur pjesë të rëndësishme të kësaj kryqëzate. Edhe pse Skënderbeu kishte pësuar disfatën e Beratit më 26 korrik 1455 dhe luhatjeve të pushtetit të tij pas tradhëtive të nipërve të vet Gjergj Stres Balshës, që kish dorëzuar kështjellën e Modricës në 1456 dhe Hamzait në 1457, pas fitores mbi ushtrinë e udhëhequr Isak Bej Evrenozi, gjenerali më me përvojë osman përsa u përket betejave me shqiptarët dhe i këshilluar ngushtë nga Hamza Kastrioti, e njohur si Beteja e Albulenës, ai përfitoi sërish mbështetjen e vazhdueshme të Papa Kalistit III dhe mbi të gjitha vlerësimet pozitive të shpërndara në të gjithë oborret e Europës përmes korrespondencës të Papës me këto oborre për t’i tërhequr në politikën e tij antiosmane. Pika më e fortë e kryqëzatës ishte flota, e cila përbëhej nga 40 anije luftarake.Duke i marrë parasysh këto anije dhe manovratorët e tyre ose njerëzit të armatosur që i shoqëronin, e të cilëve ne nuk mund t;ua njohim numrin, duke llogaritur 200 vetat e ekuipazhit dhe 300 luftëtarë për çdo anije luftimi, mund të arrihet në përfundimin e një force të përgjithshme prej  20 mijë vetash, nga të cilët 12 mijë ishin luftëtarë.[13]Në vitin 1457 Papa Kalisti III në pamundësi për të mbështetur në një front total Skënderbeun, dërgoi një anije të vetme e cila në fakt mund të merrej më shumë si një demonstrim mbështetjeje sesa force. Në planin teorik të Kryqëzatës Skënderbeu zinte një rol kryesor në rrshtimin e forcave ku Arbëria dhe forcat e tij gjendeshin në linjën e parë. Për Shqipërinë u caktua si nunc për kryqëzatën, Ipeshkëvi i Krajës Pal Engjëll-Dushi, i cili do të vepronte në bashkëpunim me Skënderbeun jo vetën në Shqipëri, por edhe në Dalmaci dhe në Serbi besojmë , ndoshta për të mbledhur në të parën ndihma për Shqipërinë, e në të dytën për të mbështetur pozicionin e saj ë lëkundur, e kësisoj drejt për së drejt të rrezikshëm për Shqipërinë[14]. Skënderbeu arriti ta mposhte pushtuesin me zotësinë e tij. Kështu shembulli i tij nga motiv ndihmash, u shndërrua në motiv inkurajimi për princat e krishterë në luftën kundër turkut. Ky fakt duket qartë në letrën që i dërgonte mbretit të Hungarisë, Matia Korvinit: Falë fitoreve të tjera të arritura nga biri ynë i shtrenjtë, fisniku Skënderbe i Shqipërisë kundër turqve, forcat e armikut duhet të jenë ligështuar në maksimum[15]Në vijim Papa Kalisti III flet me superlativa për Skënderbeun duke e quajtur atë kavaljer trim dhe atlet i Zotit: Në Shqipëri, kavaljeri dhe atleti i Zotit, Skënderbe forca dhe qëndresa jote shpirtërore, që ti vë në veprim kundër turqve dhe lëngesat e vazhdueshme që ti duhet të përballosh…I falemi Zotit për vendin tënd, që të ka vendosur për të qëndruar si një pendë dhe një mur i fuqishëm, mbi të cilin turren duke u mundur shpesh, për të dhënë lavd e nderim të jashtëzakonshëm, armiqtë me të cilët lipset të përleshesh edhe trup me trup. Ah, sikur të kishim edhe të tjerë me vlerën tënde, mes princërve kristianë, për të mos qenë kaq të ankthshëm e kaq të shqetësuar për mbrojtjen e besimit tonë![16] Kjo korrespodencë inkurajuese i drejtohej Matias Korvinit për ta tërhequr në Kryqëzatë pasi menjëherë pas fitores së  Beogradit nga kufomat e shumta si dhe nga mungesa e ushqimeve shpërtheu murtaja. Midis shumë të tjerëve kishte vdekur dhe  Janosh Huniadi  më 11 gusht 1456 ç’ka e kishte komplikuar shumë fatin e Kryqëzatës së porsafilluar. Në këto rrethana i vetmi udhëheqës i sprovuar, që do të mund t’i bëntë ballë osmanëve mbetej prijësi shqiptar, Skënderbeu. Kjo ishte arsyeja që Papa Kalisti III në subvencionet e mbledhura në Dalmaci urdhëroi të ndaheshin në mënyrë të barabartë ndërmjet mbretit të Hungarisë, mbretit të Bosnjës si dhe Gjergj Kastriotit të Shqipërisë. Ndërsa Legatit Karvajal i shkruante: Duke mësuar se është mbledhur një shumë e madhe parash në Dalmaci, e që në të ardhmen mendohet të mblidhen akoma dhe më shumë, kemi vendosur t’i ndajmë në një mënyrë të caktuar midis bijve tanë të shtrenjtë, mbretërve të shquar të Hungarisë dhe Bosnjës dhe pjesën e tretë birit të zgjedhur Gjergj Skënderbeut, zotërisë së Shqipërisë.[17] Navarr do të shkonte fillimisht në Venecia për të diskutuar të drejtën e përdorimit të parave të mbledhura, në vijim duhej të shkonte tek Karvajali, i cili kishte në ngarkim frontin e luftës dhe në fund duhet të shkonte tek Skënderbeu: Po të dërgojmë Navarrin…që të mbërrijë te Fisnikëria juaj e të qëndrojë derisa të jetë më e mira.Navarri…të shkojë personalisht te i lartpërmenduri Skënderbej e të autorizojë mbështetjen me shpirt dhe afshin tonë për luftën, duke i referuar gjithashtu edhe disa detaje për të cilat është i autorizuar edhe nga ana jonë. Ndërsa Skënderbeut i shkruante: Do ta gjesh Papën, edhe përtej forcave të tij, të gatshëm për të të ndihmuar ashtu siç do të dëgjosh të të referojë fortësisht edhe vetë Giovanni Navarr, komisioneri ynë.[18]

 Ndërkohë është interesant fakti i përfshirjes së Kalorësit anglez John of Newport, për të cilin në historigrafinë shqiptare shkruhet se në këto beteja kundër turqve, në verë dhe në vjeshtë të motit 1457, një kalorës anglez Xhon of Njuport (John of Newport) mori pjesë duke komanduar një togë shigjetarësh. Në shoqëri të një ambasadori të Skënderbeut, duke u kthyer nga Napoli, erdhi në Romë për të kërkuar ndihmë për prijsin shqiptar, që ende është në rrezik prej turqve Xhon of Njuport si dëshmitar i epokës së madhe heroike të shqiptarëve, i bëri asaj një vlerësim shumë të lartë duke u shprehur kështu: Invazioni i Evropës është i sigurtë, sepse nuk ka fuqi tjetër që mund t’i bëjë këtë rezistencë, po të bjerë kështjella shqiptare.[19]Kalorësi John of Newport përmendet për herë të parë në historiografinë shqiptare para këtij shënimi të Skënder Luarasit në artikullin e tij të gjatë “Skënderbeu në letërsinë angleze”,  në “Historinë e Shqipërisë’ që vitin 1967, por në të dyja rastet nuk përmendet roli i tij si i dërguar special i Papa Kalistit III në këto territore.[20]Sipas dokumentacionit të publikuar në arkivat angleze pwr bulat papnore kalorësi John of Newport ishte i dërguari i Papa Kalistit III në Bosnjë, Slavonia dhe Shqipëri dhe oborrtar e këshilltar i Alfonsit të Aragonës nga dioqeza e Winchester i cili ishte dërguar në këto vende me 15 veta të familjes së vet[21] dhe më pas pas një qëndrimi prej disa muajsh në Arbëri ai kryen edhe detyrën si ambasador i Skënderbeut në Perëndim. Për më tepër në dokument shkruhet se Kalorësi John of Newport është i pajisur me këtë dokument për vetëm tetë vjet dhe u kërkohet të gjithë autoriteteve ti garantojnë një udhëtim të sigurtë.[22]Ai shoqëronte Paolo Kazulo, ambasadorin tjetër të Skënderbeut, të cilët siç del nga një bulë e Kalistit III për Kastriotin më 6 shkurt 1458 se janë personat që kanë çuar këtij të fundit lajmin e fitores së Albulenës.[23] Ndërkohë Papa Kalisti III hodhi idenë për të mbajtur një kongres në Romë, i cili do të ripërtërinte përpjekjet e princëve kristianë.Kongresi u mbajt në gusht të vitit 1458. Qëllimi i kongresit ishte të mblidhte "Oratorët", të cilët do t’i bënin thirrje popullit për tu hedhur në kryqëzatë. Kongresi u zhvillua nga dhjetori deri në muajin shkurt, me qëllim që të bëhej përgatitja e forcave ushtarake përpara verës[24]. Plani mësymës i kryqëzatës ishte për t’i dhënë përparësi frontit shqiptar. Skënderbeut iu dërguan pesë mijë dukatë dhe iu premtuan pesë mijë të tjera brenda një kohe të shkurtër: Po të japim ndihmë urgjente, 5 mijë florinat e Dhomës së financës, e shuma të tjera do të japim, akoma dhe më të mëdha, siç shpresojmë në të ardhmen.[25] Gjithashtu në një letër tjetër që Papa Kalisti III u dërgonte tre depozituesve të parave të kryqëzatës në Gjermani më datën 8.VI. 1458 shkruhej: Ne i vijmë në ndihmë Skënderbeut dhe tokave e vendeve të tjera, që ata të mos shkatërrohen nga turqit e pabesë.[26]Me këto para Gjergj Kastrioti duhej të forconte pjesën e frontit. Gjatë muajve maj-qershor Papa Kalisti III vazhdonte të kërkonte para për të mbështetur kryqëzatën. Për fat të keq Papa Kalisti i III i paepur do të vdiste në 6 gusht 1458 dhe në vendin e tij u zgjodh Papa Piu II. Njësoj si paraardhësi i tij edhe Papa Piu II ushqente idenë e një kryqëzate. Ndërkohë synonte të mblidhte një kongres që të binte në marrëveshje me gjithë sovranët e krishterë, për t’i hedhur në luftë kundra turqve.

Skënderbeu dhe qëndresa e tij ishin kthyer tashmë në referenca të rëndësishme për fatin e Europës dhe kjo gjë jo vetëm që rriste rolin e tij në elitën princërore europiane, por shërbeu shumë më vonë si kredenciale e admirueshme e shqiptarëve në fatet politike dhe kulturore të kontinentit. Ndërmarrja e kryqëzatës antiosmane nga ana e Kalistit III dhe përfshirja e Skënderbeut në të, hodhi bazat e politikës konsekuente të Heroit shqiptar, i cili deri në fund të jetës nuk ndërmorri paqe me Europën dhe mbeti ashtu si e kishte cilësuar Papa Kalisti III në 23 dhjetor 1457, “fortis athleta et verus propugnator fidei Cristianae” – Atlet i fortë dhe mbrojtës i Krishtërimit.

SHKARKO APP