Koalicioni ka rënë, por Rama e Meta s’ia thonë njëri-tjetrit

A ka më realisht një koalicion qeverisës në Shqipëri?! A ka një qeverisje që zbaton një program unik apo thjeshtë dy parti që ndajnë mes tyre zyrat e shtetit duke ndërtuar secila feudin e vet?! Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje që sot duket edhe më aktuale, duhet hedhur një shikim pak më herët në krijimin e tij.

Më 1 prill të vitit 2013 kur PS dhe LSI shpallën koalicionin, komentatorët u ndanë më së shumti në dy grupe. I pari i takonte moralistëve që e shihnin aktin si pazar politik që riciklonte një forcë që kishte përgjegjësi jo të vogël në qeversjen 4 vjeçare të demokratëve. Ata besonin se e majta duhej të vinte në fuqi më shumë me kartën morale dhe kjo lëvizje e demoralizonte atë.

I dyti, besonte se kjo ishte një lëvizje e domosdoshme për të krijuar të majtën e Bashkuar dhe për të rikthyer pozitat e saj të forta të para 2004. Pra LSI po kthehej si djali plangprishës tek mëma që e kishte paralajmëruar edhe më parë për këtë fund.

Të dy grupet bashkë besonin se vendi kishte nevoje për reforma dhe kjo nevojë do t’i fashiste dallimet ideologjike mes dy partive. Në fakt të mbërthyer në një betejë mbi moralin e përlyer të këtij koalicioni, si Rama ashtu edhe Meta, nënvizuan nevojën që vendi kishte për reforma; që aplikimi i tyre vlente më shumë se sa dallimet historike dhe se ky bashkim do gjeneronte më shumë energji dhe produkt konkret.

Thuajse 2 vite e gjysëm më vonë e vetmja gjë që nuk ka funksionuar kanë qenë reformat e mëdha dhe të premtuara. Dmth, koalicioni ka funksionuar në ndarjen e pushtetit, në fuqinë e shtuar të njërës forcë apo tjetrën, në mirëqënien ekonomike të anëtarëve të tij, në aferat aq të përfolura, por thuajse zero në ecjen përpara të vendit.

Ky koalicion nuk mori dot një vendim real as në momentin e armëve kimike, ku Meta doli kundër Ramës;

As në betejën kundër korrupsionit që ishte jetik për integrimin e vendit;

As në betejën kundër dekriminalizimit që u bë vetëm momentin e fundit me presionin e ndërkombëtarëve;

as në momentin e hetimit të CEZ që ishte jetik për betejën kundër korrupsionit;

e mbi të gjitha as në reformën në Drejtësi, që po ashtu e konsideronin jetike.

Përtej reformave të dështuara, niveli i besimit mes dy liderëve kryesorë është më pak se zero. Falangat e PS tentojnë gjithë ditën t’ja lenë përgjegjësinë e korrupsionit LSI; ndërkohë që LSI është e bindur se pas sulmeve ndaj saj qëndron vetëm PS. Të dyja këto mund të jenë të vërteta, por kjo ka pak rëndësi. Një qeverisje mbështetet mbi nevojën e përbashkët për reforma dhe mbi besimin reciprok. Të dyja këto janë bjerrur. Ajo që ka mbetur është administrimi i zyrave, por jo një koalicion i vërtetë politik. Sot të dyja palët harxhojnë shumë më tepër kohë dhe energji kundër njëra – tjetrës se sa në qeverisjen e vendit. Shumica e sulmeve mediatike frymëzohen e inicohen nga ata duke krijuar situatën më absurde që mund të njohësh.

Në një rrethanë tjetër kjo qeveri do ishte prishur dhe vendi do kishte shkuar në zgjedhje. Por Rama dhe Meta, nuk po kanë kurajon ta thonë të vërtetën në sy. Janë bërë si një çift që e ka konsumuar jetën bashkëshortore, që shkon çdo javë në gjykatë dhe atje përpara gjykatësit vendos të mendohet edhe një herë. Edhe pse e di që pas këtij sherri të fashitur përkohësisht, do vijë sherri tjetër. Siç po ndodh me këtë koalicion që u ngjiz si i tillë dhe me gjasë i tillë do mbetet…(Opinion.al)

SHKARKO APP