Koço Kokëdhima: Destinacioni ynë është Brukseli

Nga Koço Kokëdhima –

Deklarata e djeshme e kryeministrit të Shqipërisë në Ankara, për “krijimin e Këshillit të Bashkëpunimit të nivelit të lartë, gjë që e ngre partneritetin tonë të shpallur strategjik në stadin e një marrëdhënieje institucionale ndërqeveritare” është fotokopje e asaj çka Rama thoshte për CNN turk që më 3 gusht 2013, ende pa hyrë në zyrën e kryeministrit se:“…Ne Turqinë e shohim si një partner strategjik, duam që të forcojmë dhe ta zhvillojmë marrëdhënien që kemi me vendin tuaj”.
Kjo qeveri, ashtu si paraardhëset, me dashje, e sabotuan procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, për mbi dy dekada, për të mos ndërtuar shtetin ligjor dhe demokratik, por sulltanatet e tyre autokratike.
“Zgjidhja” ka qenë gjithmonë kundër modelit rilindas që është ndjekur në politikën e jashtme. Shqipëria duhet të mbajë dhe forcojë lidhjet me çdo vend të botës, në bazë të interesave kombëtare, për të rritur mirëqenien e saj dhe për të forcuar rolin në arenën ndërkombëtare. Me Turqinë, Greqinë apo Italinë, që janë vende mike, na bashkojnë miliona shqiptarë të diasporës, shkëmbimet kulturore e ekonomike dhe mjaft interesa të tjera. Por, Shqipëria ka vetëm një aleat strategjik: SHBA-të, që siguruan ekzistencën tonë si shtet më se një shekull më parë, ndihmuan Kosovën të çlirohej nga pushtimi serb, na anëtarësuan në NATO dhe mbështesin fuqimisht anëtarësimin tonë në Bashkimin Europian.
Populli shqiptar i është falenderues popullit turk që i është gjendur pranë në momente të vështira si në vitin 1997, pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe tani gjatë pandemisë. Në Turqi jetojnë më shumë shqiptarë se në trojet tona në Ballkan, të cilët, edhe pse janë asimiluar në një masë të madhe, mbeten ura dhe arsyeja më e fuqishme e miqësisë së madhe shqiptaro-turke.
Truket elektorale të Rilindjes dhe politika e saj e jashtme e çoroditur, nuk shkojnë në favor të forcimit dhe zgjerimit të kësaj miqësie. Ato synojnë vetëm të zgjasin sundimin e klasës së korruptuar të Tiranës dhe të vonojnë mbërritjen e vendit tonë në destinacionin përfundimtar, në Bruksel.

SHKARKO APP