Koço nuk ka faj…

 

Nga Armand Shkullaku

Një kërkesë e Edi Ramës (nëpërmjet Koço Kokëdhimës) për të shtyrë kongresin e Partisë Socialiste, nga janari në prill 2016, dhe debati i fortë që ajo provokoi, nxori në pah distancën e madhe mes kryetarit- kryeministër dhe grupit (me në krye Gramoz Ruçin) të ashtuquajtur vendimmarrës në parti. Arsyeja e Ramës për të shtyrë Kongresin dhe arsyeja e reagimit të ashpër ndaj kësaj shtyrje, janë dy skajet e kundërta të kësaj distance.

Në pamje të parë, kërkesa e Ramës për të shtyrë Kongresin në prill, duke e ditur që mund të provokonte drejtuesit e tjerë të partisë, duket e panevojshme. Rama do të fitonte një mandat të dytë si kryetar po të votohej edhe në janar edhe në prill. Atëherë përse do të duhej që nëpërmjet Kokëdhimës të sfidohej Asambleja Kombëtare dhe për rrjedhojë edhe drejtuesit e tjerë të PS? Përse një përplasje e tillë, kur delegatët në masë të madhe do të jenë po ata si në janar ashtu edhe në prill? Sigurisht që Edi Rama duhet ta ketë një arsye të fortë deri sa arriti që nëpërmjet Kokëdhimës të kërkojë shtyrjen e Kongresit, pavarësisht përplasjeve të brendshme që ajo mund të krijojë. Por këtë arsye as Ruçi dhe as të tjerët në parti nuk e dinë.

Mosnjohja e kësaj arsye është edhe shkëndija e reagimit shpërthyes të Gramoz Ruçit dhe të tjerëve (Tahiri, Leskaj, Toçi, Bushati, etj).  Kundërshtimi i tyre nuk motivohet thjesht nga mosrespektimi i vendimeve të Asamblesë apo nga fakti se Koço ka shkelur afatet statutore për zgjedhjet në organizatat socialiste. Edhe për Ruçin e të tjerët, nuk ka ndonjë rëndësi të madhe nëse Kongresi bëhet në dimër apo në pranverë. Reagimi në emër të mospërfilljes së Asamblesë në fakt është reagim ndaj mospërfilljes së tyre nga kryetari- kryeministër. Sulmet dhe akuzat ndaj Koço Kokëdhimës janë shpërthimi i frustrimit ndaj vendimmarrjes personale të Ramës. Koço është thjesht një mundësi për të nxjerrë mllefin ndaj injorimit të tyre nga Edi Rama dhe një grushti njerëzish që menaxhojnë pushtetin rreth tij. Gramoz Ruçi e di që Rama ka një arsye për të shtyrë Kongresin dhe, më shumë se sa respektimi i statutit të partisë, e nervozon fakti që ai nuk e di këtë arsye dhe, akoma më shumë, që kryetari ia ka besuar Koços dhe jo atij.

Për dy vjet e gjysmë, pjesa më e madhe e drejtuesve kryesorë socialistë janë shndërruar në dele që dinë ta mbajnë kokën vetëm ulur përsa kohë në tasin e tyre u hedhin tagji. Ata nuk e kanë ngritur kurrë zërin ndaj veprimeve arbitrare të kryetarit, që nga hartimi i listave të deputetëve që po bien një nga një në Kuvend e deri tek skandalet e qeverisë. Madje këta që shqetësohen për shtyrjen e Kongresit me dy muaj, nuk thanë asnjë fjalë kur Edi Rama në mënyrë flagrante injoroi statutin dhe vijoi të mbajë postin e kryetarit pa një mandat të votuar. Prandaj shpërthimi ndaj Koços është shpërthim i frustrimit të tyre ndaj atij për të cilin nuk guxojnë të flasin hapur.

Vetë Edi Rama e shijoi këtë përplasje të fundit si spektator, duke e vendosur Koçon në mes dhe duke testuar se deri ku ka shkuar mllefi i atyre që ai i ka emëruar si guvernatorë rajonalë të pushtetit të tij. Pavarësisht debateve, ai e di që shtyrjen e Kongresit do ta vendosë po vetë, por i duhet një fabul konflikti për të ndërtuar dekorin demokratik të vendimmarrjes së tij. E nëse kjo nervozon Ruçin e dikë tjetër, për Edi Ramën ka rëndësi qëllimi dhe jo shpërdorimi i atyre që janë shpërdoruar me dhjetëra herë.

Shqetësimi i Ramës është krejt tjetër nga ai i grupit të drejtuesve socialistë. Një Kongres në janar do të mbahej nën shenjën e zymtësisë, dështimit, ftohtësisë dhe krizës që po shoqëron qeverisjen e tij. Këtij Kongresi do t’i mungonte edhe solidariteti e mbështetja entuziaste e flamujve përshëndetës me trëndafil të kuq të LSI. Ndonëse e ka të fituar pa asnjë dyshim një mandat tjetër si kryetar, kjo fitore do të ishte e zhveshur nga euforia, e vetmuar dhe e kotë. Një ritual për t’u kryer dhe jo një akt për t’u krenuar. Për këtë arsye Edi Rama kërkon shtyrjen e Kongresit, në pritje apo në shpikje të një fabule që mund t’ia shndërronte rizgjedhjen në krye të PS në një lloj rilindje personale, për t’i dhënë kuptim lidershipit të tij, jo thjesht përballë të vetëve por karshi shqiptarëve të cilëve rilindjen që ua premtoi nuk ua solli dot. Dhe deri në prill Rama ka kohë të planifikojë nëse për këtë akt do t’i duhet të flijojë edhe Ilir Metën e LSI. Dhe kështu, Kongresin e rizgjedhjes së tij ta shndërrojë në një manifest solidariteti socialist ndaj kapitenit që do t’i duhet të lundrojë i vetëm në ujërat e zgjedhjeve të parakohshme. Një Kongres si ato të PPSH së dikurshme në prag të prishjes me rusët apo kinezët, nga ku shoku Enver dilte edhe më i fortë.

Këto mund të jenë arsyet e Ramës për të shtyrë Kongresin, por jo arsyet e Gramoz Ruçit e të tjerëve për të kundërshtuar. Këta nuk dinë asgjë për planet e Ramës. Nervozizmi ndaj Koços është reflektim i injorimit të tyre dhe shenjë e qartë e distancës me kryetarin- kryeministër. Edhe këtë herë, jo thjesht për Kongresin por në përgjithësi për fatin e tyre politik, do të vendosë vetëm Edi Rama. Dhe për këtë fajin nuk e ka Koço Kokëdhima…

MAPO

SHKARKO APP