Kodi Zgjedhor po merret “peng”!
Nga Gentian Çala
Në zgjedhjet e fundit problemi më i madh i zgjedhjeve ishte tjetërsimi i vullnetit të zgjedhësve nga mazhoranca, madje provat ishin edhe me zë. Kodi Zgjedhor nuk ishte burimi i së keqes, pavarësisht nevojës për përmirësime. Marrëveshja e dakordësuar ndërmjet palëve duhej ti jepte zgjidhje masave për të penguar tjetërsimin e votës, por po përmbyllet me debatin për listat dhe koalicionet. Halli i pushtetarëve po mbyt reformën dhe në fakt nuk po i jep zgjidhje problematikës fillestare.
I gjithë qëllimi i mazhorancës dhe me kontributin e disa pseudo-opozitarëve ishte tërheqja në një debat aspak me interes publik dhe në funksion të standarteve të zgjedhjeve. Marrëveshja kornizë e 5 Qershorit u duk si arritje, por sapo u pa që nuk ishte në favor të pushtetit të Ramës ai filloi ta zhbëjë me veprime të njëanshme. Papërgjësia e tij po e çon situatën politike drejt një konfrontimi kur na ndajnë vetëm disa muaj nga zgjedhjet parlamentare. Kjo është hera e parë që Kodi Zgjedhor mund të ndryshohet pa konsensusin e opozitës.
Aq tē pafytyrë dhe të paskrupullt duken përfaqësuesit e mazhorancës kur deklarojnë se “ne nuk bëjmë kod kundër interesave tona” apo kur thonë se “opozita nuk ka sjellë një draft”, kur i gjithë qëndrimi i Opozitës së Bashkuar është i qartë: të mos hiqen koalicionet parazgjedhore dhe të hapen listat. Mjafton të respektohet marrëveshja e 5 Qershorit, pasi ajo është korniza e parimeve të dakordësuara. Halli i pushtetit të mazhorancës në ikje nuk mundet ti shkelë ato.
Garantët ndërkombëtarë duhet të marrin një qëndrim të prerë midis 5 Qershorit dhe një Kodi të miratuar njëanshmërisht. Qëndrimet “as mish as peshk” japin mesazh të gabuar dhe i kontribuojnë thellimit të krizës. Rama nuk duhet lejuar që ti mohojë partive politike koalicionet. Në 2017, vetëm me ndryshimet në shpërndarjen e mandateve ai e nisi garën së paku 5-0 pa filluar ndeshja (gara elektorale) duke arritur më pas një mazhorancë me 74 mandate. Ky personazh politik dhe ata që e rrethojnë po bën gjithçka që të mbesë në pushtet me manovra dhe duke marrë “peng” Kodin Zgjedhor, të cilat duhen penguar tani, sepse nesër mund të jetë vonë.