Koha e elektroshokut popullor ka ardhur
Nga Petrit Vasili
Tej e këndej Europës së madhe a Ballkanit të vogël, shohim që kur punet marrin për ters, ata që janë në krye, të parën e gjërave që bëjnë, largohen. Largohen se ata janë relativë dhe të ndryshueshëm popujt dhe shtetet, interesi i tyre është absolut. Edhe këtu nder ne, në Shqipërinë e pluralizmit, që ndonëse i vonë ca gjëra i kishte mësuar jo nga vetja por nga bota, liderët janë larguar për të lehtësuar hallin brengën vendit dhe njerëzve që rrojnë, lindin e vdesin në të por pse jo edhe për të lehtësuar përgjegjësitë e tyre dhe për të përfituar nga gjindja klemencën, që meriton gjithmonë një veprim i matur dhe në kohën e duhur.
Por sot në Shqipëri, krejt ndryshe nga tej e këndej, ka pllakosur mënyra e halucinantit që nuk shkulet nga karrigja. Megjithese karrigja e tij prodhon mjerim dhe i bën njerëzit të mallkojnë, shfryjnë, shajnë dhe të ikin pa kthim, gjallesa mbi karrige rri atje, mbi të, i trembur dhe i llahtarisur. Përtej karriges ai, karrigexhiu, sheh humnerën, që ka ndërtuar vetë dhe në fund të saj gjarperinj të shumtë, që lëvrijnë, që i ka rritur po vetë dhe që do ta hanë po ata, pa mëshirë sapo të bjerë aty në fund. Një karrige, një kryeministër gjallesë antipolitike, antimorale dhe antiartistike rrinë bashkë dhe të pandarë ashtu simbiotike, siameze dhe patologjikisht të çmendur.
Kush e di mbase i duhet premtuar këtij halucinanti, që karrigen do tja japim më vete kur të ikë dhe në vetminë e tmerrshme, që do ti hajë jetën, së paku të ketë dhe të përkedhelë këmbët e rjepura të karriges dhe të shuajë vetminë me karrigen që s’flet. Karrigexhiu ka shkatërruar shtetin, ka bërë njësh pushtetet, ka shkatërruar voten e lirë, ka blerë vjedhur e përdhosur median, ka grabitur parate, ka pastruar para, ka vrarë jetën e qindra mijëra shqiptarëve për të krijuar iluzionin se mund të jetë pak më i qetë. Karrigexhiut nuk ka se kush ti thotë se kjo është dita më e keqe për të, është një iluzion është thjesht një halucinacion.
Të gjithë ata, që ai u ka grabitur e vjedhur gjithçka, kanë rrëmbyer sopatat për të prerë këmbët e karriges. Ata kanë lënë të gjitha, kanë harruar varfërinë, deluzionin, dëshpërimin dhe kanë sot vetëm një qëllim, që me sopata në dorë të presin këmbët e karriges. Karrigexhiut nuk do ti mbetet më as karrigja si relike të paktën por më shumë gjase do ti mbetet vetëm ndonjë bisht sopate edhe ky ne se ka fat. Tej e këndej kur halucinacionet nuk shërohen dot, përdoret elektroshok i fortë, me intensitet shumë të lartë dhe drejtpërdrejtë. Koha e elektroshokut popullor ka ardhur, koha e karriges dhe gjallesës mbi të ka kaluar, ja që kështu ndodh edhe tej edhe këndej.