Koha e “këshilltarëve tradhtarë”
Nga Zef Bushati
U shndërrua si një modë e ditëve të fundit “Tradhtia e Këshilltarëve” të LSI-së në Këshillat Bashkiake. E filluan disa këshilltarë të LSI-së në një qytet dhe …. :”nuk është halli se kaloi miu, por është halli se e bënë rrugë”,-thotë populli. Dhe vërtetë “minjtë” e parë “tradhtarë” gjithmonë janë pasuar edhe “minj” të tjerë “tradhtarë” dhe rruga që kanë bërë e po bëjnë nuk është me rrugë fshati dhe as rrugë qyteti, por po bëhet autostradë kryeqyteti, ku në rastin konkret “Këshilltarët Tradhtarë” të LSI po ecin lirisht drejt PS-së.
Për ti dhënë pak seriozitet këtij fenomeni të kohëve moderne, në këto ditët e fundit, mendoj se ky demonstrim i karaktereve pa karakter, i këtyre modeleve antipatik të “Këshilltarëve Tradhtarë”, duhet të marrë fund. Këto qëndrime e veprime të njerëzve të papërgjegjshëm e të paformuar, ndikojnë shumë negativisht në realitetin dhe shoqërinë tonë shqiptare.
Asnjëri prej tyre nuk u detyrua, tek asnjëri prej tyre nuk është ushtruar dhunë, por secili me vullnetin e plotë, pranuan të kandidojnë për subjektin politik, si në rastin konkret të LSI-së. Vjen një ditë që disa prej këtyre këshilltarëve, nuk janë dakord me drejtimin apo me vijën politike që po ndjek partia e tyre ose partia që i kandidoi dhe që ata e përfaqësojnë në Këshillin Bashkiak të qytetit. E çfarë duhet të bëjnë?… Duhet të bëjnë më të mirën. Duhet të votojnë në Këshillin Bashkiak për ato çështje që i shërbejnë më mirë bashkëqytetarëve të Bashkisë së tyre. Duhet të demonstrojnë ndershmëri, karakter dhe të justifikojnë votën që u kanë dhënë anëtarët dhe simpatizantët e partisë si dhe miqtë e të afërmit e tyre. Kush i detyron të votojnë pa ndershmëri? Kush i detyron të shkelin mbi karakterin e tyre? Asnjë.
Edhe partia që unë drejtoj ka këshilltarë në Këshillat Bashkiakë, por kurrë, ama kurrën e kurrës nuk i kam marrë në celular dhe nuk i kam kërkuar të votojnë për interesa të Partisë…. Loja me “tradhtarë” nuk lindi sot, nuk e shpiku Edi Rama, por është një lojë e vjetër e shpikur prej më shumë se 20 vitesh. Por kjo, nuk e justifikon Edi Ramën, apo këdo tjetër drejtues të PS, që të bëjnë të njëjtën lojë të pisët që kanë bërë të tjerët para tyre. “Tradhtarët”, që kanë kaluar sa nga një parti tek tjetra, janë shfaqur si deputetë, si këshilltarë, si funksionar partie, e plotë kategori të tjera. Krerët e partive të mëdha i kanë joshur dhe ata që kanë qenë e që janë pa karakter janë bërë “tradhtarë”. Ama të gjithë së bashku një emër kanë: “tradhtar”.
Më e ndershme në këto raste është që ti thuash partisë tënde, drejtuesit të partisë tënde që: “Unë nuk mendoj më si ty”, dhe ta mbyllesh me ndershmëri mandatin, dhe të mos merresh më me këtë punë, se sa të tradhtosh partinë tënde, të shkosh në një parti tjetër, pastaj të rikthehesh edhe një herë në partinë tënde kur të vijë në pushtet, pastaj përsëri të gjesh një parti tjetër sipas interesave të tua dhe të katandisësh si një njeri pa moral e pa karakter që edhe fëmijëve të tu t’i vi turp për babain apo mamanë që kanë. Imoraliteti politik duhet të marrë fund. Nuk na nderon as si popull e as si komb. Jemi shquar si njerëz me karakter të fortë, trima dhe të ndershëm. Mjaft na katandisi politika si mos më keq. Kur ”tradhton” një këshilltar për një interes shumë të vogël, çfarë mund të bëjë një qeveritar për një interes shumë herë më të madh? Tradhëti? Tradhëti ndaj kombit, ndaj atdheut, ndaj popullit? Katastrofë që duhet të marrë fund.