“Kokave” të vjedhjes së votës u duhet prerë fillimisht “bishti”

Nga: Astrit Patozi

Arrestimi i disa komisionerëve në Durrës, që kanë hedhur fletë në kuti, si kanë dashur gjatë zgjedhjeve të 2017-ës, vlen edhe një herë për të parë në dritë të diellit se kush janë çakejtë e votave në Shqipëri. Të cilët e kanë kryer këtë ushtrim të neveritshëm në mënyrë masive dhe në shumë palë zgjedhje rresht, duke e deformuar frikshëm dhe pothuajse gjithmonë rezultatin.

Sepse ky nuk është një rast i veçuar apo përjashtim nga rregulli, por pasqyra tipike e një barbarie të organizuar, që përsëritet vazhdimisht sa herë ka votime në Shqipëri.

Kjo shpjegon edhe rezistencën gati jashtëtokësore të të dyja palëve për të mos i depolitizuar komisionet e votimit dhe të numurimit, pavarësisht nga akuzat, që i bëjnë njëra-tjetrës për këtë “dështim” në trajtimin e kryerekomandimit të OSBE/ODIHR-it për vite me radhë.

Është shumë e drejtë kërkesa që të dënohen më parë ata, që e udhëheqin dhe komandojnë manipulimin nga selitë e partive kryesore në Tiranë, se sa ata të vegjlit e provincës, që thjesht zbatojnë urdhërat e tyre në mënyrë korrekte. Le ta marrin mu në lule të ballit “kokat”, se e meritojnë plotësisht të ndëshkohen, jo vetëm me votë, por edhe penalisht ndoshta.

Por edhe ata që e duan patjetër “bishtin” brenda në kutinë e votimit nuk janë më të mirë. Sepse, në fakt, ata janë e njëjta “kokë”, të cilës i duhet prerë fillimisht “bishti”, për t’i bërë më të parrezikshëm për zgjedhjet tona.

SHKARKO APP