Kolonja, Dibra dhe pikpyetjet e 2017-ës

Me pak fjalë, Niko Peleshi dhe  shtabi elektoral që kishte me vete arritën të përsërisnin në Kolonjë pothuaj të njëjtin rezultat si 3 vjet më parë, dhe të njëjtën gjë bëri edhe Agron Duka me shtabin e tij elektoral.

Eduard Zaloshnja

Kandidati socialist në Kolonjë mori rreth 5100 vota të djelën, për t’u bërë kryebashkiak. Po të kthehemi prapa 3 vjet në kohë, vetëm 200 kolonjarë më tepër votuan që Edi Rama të bëhej kryeministër. Nga ana tjetër, kandidati agraro-ambjentalist mori rreth 3000 vota, ose vetëm 300 më pak se sa mori Berisha para 3 vjetësh, kur deshte të vazhdonte punën si kryeministër (shih grafikun më poshtë).

kolonja

Me pak fjalë, Niko Peleshi dhe  shtabi elektoral që kishte me vete arritën të përsërisnin në Kolonjë pothuaj të njëjtin rezultat si 3 vjet më parë, dhe të njëjtën gjë bëri edhe Agron Duka me shtabin e tij elektoral. (Rezultati i dobët i kandidatit të mazhorancës më 2015 kishte të bënte kryesisht me faktin se ai ishte propozuar nga LSI-ja dhe nuk u përkrah fuqimisht nga PS-ja; një fenomen ky që u vu re në të 15-ta bashkitë ku kandidatët ishin të LSI-së)

Ky rikthim tek situata elektorale e 2013-ës në Kolonjë (e më parë në Dibër), tregon se, sado të mobilizohen të dyja krahët elektoralisht, gjasat janë që të mos ketë ndryshime të mëdha elektorale më 2017, nëse nuk do të kemi një rikonfigurim të koaliconeve, ose nëse nuk do të kemi ndonjë një suprizë të fortë nga dy partitë e reja (e Blushit dhe e Bojaxhiut).

Sidoqoftë, nga pikpamja politike, zgjedhjet lokale të Kolonjës (e më parë ato të Dibrës) nxorën në pah forcën e dy partive të vogla: Partisë Agraro-Ambjentaliste dhe PDIU-së. Dy kryetarët e saj nuk kishin ndonjë lidhje familjare apo pune me këto dy bashki, por treguan se mund të angazhonin atje njerëz me ndikim në komunitet dhe të tërhiqnin vota që vetëm partitë e mëdha kanë mundur të tërheqin deri më sot. Fuqizimi i këtyre dy partive do t’i bëjë më të vështira kalkulimet e koalicioneve për tri partitë e mëdha, sepse ato nuk janë si PR-ja, PSD-ja etj., që thjesht shërbejnë si vagona të vegjël që u shtohen trenave elektoralë të partive të mëdha.

SHKARKO APP