Kombëtarja shqiptare dhe “kombëtarja” e Kosovës

“Sidoqoftë, bashkimi mund të ndodhë një ditë. Mund të mos e arrijnë nipërit tanë, por mund ta arrijnë stërnipërit. Shkëputjen e Kosovës nga Serbia e ëndërronin stërgjyshërit tanë, por vetëm brezi ynë e pa të kthehej në realitet…”

Nga Eduard Zaloshnja

Ndarja mes kombëtares shqipëtare të futbollit dhe asaj të Kosovës nuk është një ngjarje thjesht sportive.

Ekipi kombëtar shqipëtar i futbollit, në dhjetëvjeccarin e fundit,  ka qenë kombëtar në kuptimin më të plotë të fjalës. Në përbërjen e tij ka patur e ka lojtarë të lindur ose me origjinë nga Tirana, Prishtina, Korcca, Gjakova, Vlora, Kumanova, Shkodra, Tetova, Ulqini, Elbasani, Presheva, etj. etj. Në të njëjtën kohë, ndeshjet e kombëtares shqiptare i kanë përkrahur në mënyrë të organizuar shoqatat e tifozave nga Tirana, Prishtina, Tetova, Shkupi, etj., etj.

Me plot gojë mund të thuhej se bashkimi i plotë i shqiptarëve ishte realizuar në futboll. Dhe kjo s’është një gjë e pakët. Futbolli është një lojë që ngjall emocione të forta dhe që, në epokën e lëvizjes së lirë, internetit dhe transmetimeve televizive satelitore, bashkon një numër të jashtëzakonshëm njerzish rreth një dëshire të përbashkët – suksesit të skuadrës së zemrës.

Dhe përbashkimi me zjarr rreth një dëshire sportive mund të shërbejë si rrënja e një përbashkimi më të gjerë. Jo më kot, Shoqata Tifozat Kuqezi dhe Kapiteni Cana shërbyen si pedana të një lëvizje politike më 2012-ën, që u quajt Aleanca Kuqezi. Dhe jo më kot, ish-kryeministri Berisha përmendi atëherë, në 100 vjetorin e pavarsisë, Prevezën e Preshëvën, Manastirin e Ulqinin.

Ajo rritje e temperaturës politike, si rrjedhojë e tempëraturës sportive, e alarmoi diplomacinë amerikane dhe europiane, të cilat kanë si objektiv strategjik njohjen ndërkombëtare të Kosovës së pavarur, por jo të bashkuar me Shqipërinë.

Në fakt, ndëryrja e diplomacisë perëndimore dhe zhvillimet e brendshme në Shqipëri e ulën temperaturën politike që pati si zanafillë Aleancën Kuqezi, por incidenti me dronin në stadiumin e Beogradit tregoi se përbashkimi futbollistik i shqiptarëve të të gjitha trevave përbën gjithnjë një fidanishte të fuqishme për rilindjen e lëvizjeve politike për bashkim kombëtar.

Ndoshta kjo ka qenë arsyeja që pati kaq nxitim nga UEFA dhe FIFA për pranimin e Federatës së Futbollit të Kosovës si anëtare më vete dhe për futjen e saj menjëherë në eliminatoret e kampionatit botëror. Dhe fati e deshi që “kombëtarja” e Kosovës të bënte një paraqitje të mirë e të arrinte një rezultat pozitiv që në ndeshjen e parë zyrtare. Kjo u vjen padyshim për shtat atyre që duan që tifozeria shqiptare të ndahet në dy pjesë – ashtu sicc janë ndarë edhe dy shtetet shqiptare.

Me kalimin e kohës, konkurrenca mes trajnerëve, të cilët tërhiqen më shumë nga interesat afatshkurtëra të diktuara nga gjatësia e kontratës së tyre, do të bëjë që lojtarët me origjinë nga Prishtina, Prizreni, Gjakova, etj. të zgjedhin ekipin e Kosovës dhe ata me origjinë nga Tirana, Korcca, Shkodra, Vlora etj. të ekipin e Shqipërisë. Me pak fjalë, nuk do të mund të bëhet më fjalë për një kombëtare shqipëtare të futbollit, e cila do të shërbente si fidanishtja e një bashkimi kombëtar të shqiptarëve.

Sidoqoftë, bashkimi mund të ndodhë një ditë. Mund të mos e arrijnë nipërit tanë, por mund ta arrijnë stërnipërit. Shkëputjen e Kosovës nga Serbia e ëndërronin stërgjyshërit tanë, por vetëm brezi ynë e pa të kthehej në realitet… Respublica.al

SHKARKO APP