Komedi me 4 akte
Nga Astrit Patozi –
…Shkurt 2017. Në mes të Bulevardit Dëshmorët e Kombit ngrihet madhështore çadra e lirisë. Republika e Re starton me devizën e fortë “Nuk ka zgjedhje me Edi Ramën”. Pas tre muaj kërcënimesh dhe betimesh solemne për revolucion nën dritaret e kryeministrisë vjen rezultati: qeveri e përbashkët me Edi Ramën dhe shumë drejtori me “kompetenca”, me drejtues dinjitozë, të cilët nuk i lanë detyrat edhe pas humbjes së rëndë në zgjedhje.
Në fushatë kundërshtar kryesor u shpallën dy parti të vogla ish-aleate, të cilat nuk e refuzuan “nderin”, ndoshta edhe ngaqë nuk kishin rrugë tjetër. Ndërsa përgjëgjësia për humbjen iu ngarkua fituesit dhe ai sigurisht që nuk e pati shumë problem ta pranonte.
…Shkurt 2019. Pas një proteste të zakonshme opozitare, ku ishte shpallur si gjithmonë rrëzimi i qeverisë, vjen vendimi i papritur. Nuk rrihet në parlament me Edi Ramën, sepse i bie që pastaj të bëhemi fasadë e tij.
Përfundimi, dorëzohen me këngë e valle rreth 60 mandate, por shumica e vendeve zëvendësohen, ndonëse pa zhurmë e pa bujë. Rezultati, opozita jashtë parlamentare merr malet, ndërsa opozita parlamentare bën politikë në sallën e Kuvendit, me aq sa di dhe aq sa mundet.
Ditët e para të gjithë bërtisnin për një fitore, që askush nuk e shihte, por pas një viti ata që thonë ende se u bë mirë që ikën, numurohen me gishtat e njërës dorë.
…Qershor 2019. Temperaturat në Tiranë ngrihen në kulm, jo aq për shkak të verës, se sa nga paralajmërimet për luftë. Nuk hyjmë në zgjedhje me Edi Ramën, por as atë nuk e lëmë të votohet dhe të votojë.
Këtë radhë e mbajtën fjalën, por vetëm për pjesën e parë. Ata nuk hynë, por Edi Rama ia doli. Përfundimi, dorëzuan pa shkrepur asnjë pushkë 61 bashki, të cilat ia kaluan praktikisht të gjithë pushtetin sovjetëve në Shqipëri.
Ngaqë u doli boja një herë duke e quajtur fitore djegien e mandateve, tani po përpiqen të mbajnë me gajret militantët, duke i gënjyer me zgjedhje lokale, që pritet të bëhen në vjeshtë, por pa e caktuar vitin.
…Qershor 2020. Nuk është më fare problem Edi Rama dhe as kemi nevojë më për qeveri tranzitore. Damian Gjiknurit i kanë rënë kot më qafë, madje edhe çunat problematikë nuk kanë bërë ndonjë gjë të madhe, por i ka zmadhuar pak punët “Bild-i”.
Vitin që vjen do të shkojmë në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër, që të zgjidhemi deputetë dhe ta kemi shok prapë në parlament, mjafton në çdo qendër votimi të ketë një numurues të Lulit dhe një tjetër të Monikës. Dhe kaq mjafton që zgjedhjet të quhen të lira dhe të ndershme.
Se për pak harrova, qeverinë do ta bëjmë copë me 15 kushtet e paplotësuara të Bundestagut dhe të Parlamentit Europian. Dhe Edi Rama pas kësaj nuk ka nga të shkojë, do të dorëzohet vetë.