Koment: 2016-a sërish një vit i tmerrshëm
Shumica e gjermanëve jetojnë mirë, por vështrimi drejt botës në fund të vitit sjell shqetësime të mëdha.
Edhe 2016-a ishte një annus horribilis, një vit i tmerrshëm. Në botë është prishur rregulli: në Lindjen e Afërt kanë shpërthyer luftra të tmerrshme – në Siri, në Jemen, në Libi, fshehurazi në Irak. I ashtuquajturi “Shtet Islamik”, horrori i terrorit brutal, vrastar, fundamentalist, ende nuk është mundur. Filizat e brishtë të pranverës arabe janë shkelur me forcë me këmbë – nga autokratët, despotët, diktatorët. Dhe kjo ndodh me pasoja për vetë rajonin, i cili pa dyshim mund të jetë një epiqendër e shpërthimit politik dhe social që trondit botën – ndoshta edhe do të bëhet. Duket sikur Lindja e Afërt dhe e Mesme do të zhyten në një luftë 30 vjeçare, në të cilat klanet, fiset dhe komunitetet fetare do të luftojnë me egërsi kundër njëra-tjetrës.
BE i mbërthyer nga dyshimet në vetvete
Evropa nga ana tjetër, në brigjet e së cilës përfundojnë refugjatët e Lindjes së Afërt, është vetë e tronditur. Por që kriza e refugjatëve e ka bërë të qartë se “solidariteti evropian” është në rastin më të mirë një frazë që tingëllon bukur, por e cila nuk është në gjendje të mbajë politikisht. Brexiti, lamtumira e shpallur e Britanisë së Madhe nga BE e ka zhytur bashkësinë në dyshime të thella. Vepra paqëtore e bashkimit është në lojë – dhe komuniteti lufton me veten për atë se ku do të vejë rruga. Kjo në një kohë kur që tani është e sigurtë se krahas rrugëve evropianolindore të kthimit në vetëvendosjen e shteteve nacionale dhe të identitetit, vitin e ardhshëm do të ndryshojnë edhe në Evropën Perëndimore raportet e pushtetit: në Holandë siç pritet prej Geert Wildersit, edhe Franca do të ketë me çdo kusht një president të ri – ndoshta një “theçerist” katolik, gjë që i përngjan një revolucioni.
Edhe në Gjermani, që aktualisht duket si atdhe i stabilitetit, në shtator do të mbahen zgjedhje. Askush nuk mund ta pëfytyrojë vërtet për momentin, që Angela Merkeli – në cilindo koalicion qoftë – të mos mbetet më kancelare. Ajo është një kështjellë e patundur në të përpjetat dhe të tatëpjetat e politikës botërore, që prej njëmbëdhjetë vjetësh. Edhe këtu partia populiste, egoiste nacionale “Alternativa për Gjermaninë” do të futet në Bundestag – me më shumë përqindje se do t’u pëlqente shumë vetëve. Edhe këtu, mendimi i djathtë, veprimi i djathtë po fiton popullaritet, edhe nëse kjo nuk do të mjaftojë për të marrë pushtetin. Gjermania do të mbetet e qeverisur me stabilitet. Dhe për këtë arsye ajo është një bovë mbajtëse në politikën e paqetë dhe të parehatshme botërore. Dhe kjo megjithëse atentati terrorist në Berlin pak para Krishtlindjeve e tronditi rrënjësisht vendin
.
Trumpi dhe Putini – dy presidentë të paparashikueshëm
Pasiguria tjetër e ardhshme: në SHBA do të qeverisë Donald Trumpi. A do të jetë i parashikueshëm në veprimet e tij ky president? Si do t’i hapet biznesmeni politikës së jashtme? A do ta shikojë politikën e jashtme si “deal”, apo si art diplomatik? A do të radhitet ai si fuqi drejtuese në politikën globale apo jo? Dhe para së gjithash: a e sheh ai veten si pjesë të Perëndimit – apo do të mbështetet ai vetëm te “Make America great again”? Këtu 2017-a hedh përpara hijet e saj.
Por 2016-a pa rilindjen që të tërheq vëmendjen të Rusisë dhe të Vladimir Putinit në skenën e politikës botërore. Rusia nuk është fuqi rajonale, siç u shpreh njëherë Presidenti në largim, Obama. Rusia ndërhyn në Lindjen e Mesme dhe në Evropë. Dhe Moska mbështetet para së gjithash në zgjidhje ushtarake dhe jo në diplomaci. Ajo e përdor dhunën me ndërgjegje dhe në mënyrë cinike. Në Siri ose në konfliktet e ngrira në Ukrainën Lindore. Kthimi i Rusisë në politikën botërore është edhe kthimi i misioneve ushtarake në politikën botërore, për të siguruar ndikim dhe pushtet. Për këtë Perëndimit – nëse ai do të ekzistojë ende si njësi në “vitin një” të Trumpit – do t’i duhet të japë një përgjigje.Edhe Gjermania, e cila tradicionalisht ka vështirësitë e saj me ndërhyrjet ushtarake.(Marre nga radio gjermane “DW”)