Koment: kriza e refugjatëve – një detyrë e shekullit
Kaq shumë migracion në Gjermani brenda pak muajsh nuk ka pasur asnjëherë më parë. Kjo kërkon shumë impenjim prej të gjithëve – prej atyre që vijnë si dhe prej vendasve, mendon Alexander Kudascheff.
Një milionë refugjatë, ndoshta më shumë se kaq, ka pranuar Gjermania sivjet. Një milionë njerëz, që kërkojnë strehë, mbrojtje, shpresë për një jetë të re. Një milionë njerëz, që mundësisht sa më shpejt kanë nevojë për banesa, por para së gjithash për punë – e përpara kësaj duhet të mësojnë gjermanisht: fëmijët në kopështet e fëmijëve dhe në shkolla, të rriturit në kurse gjuhe. Një përpjekje e madhe e gjermanëve, një përpjekje edhe më e madhe e vetëkuptueshme kjo e refugjatëve. Ajo çfarë i pret gjermanët, është një detyrë e shekullit për të paktën një, e me gjasë madje edhe për dy gjenerata.
Shoqëri me vlera krejt të tjera
Shumica dërmuese e refugjatëve vijnë nga Siria, Iraku, Afganistani, Eritrea. Ata vijnë nga vende, nga shoqëri, nga kultura pa liri dhe liri veprimi. Ato vijnë nga shoqëri me kushte të forta religjoze, në të cilat familja, ndonjëherë edhe fisi, vlen më shumë se sa individi e madje se sa individët. Ata vijnë nga rajone me struktura patriarkale dhe në të cilat shteti nuk është atdheu, por armiku. E ata vijnë në një shoqëri, që është krejt e kundërta e asaj që njohin: këtu në Gjermani individi vlen më shumë se sa bashkësia, nëse familja shpërbëhet, është shteti siguria ndaj rreziqeve të jetës, këtu vlen pa asnjë mëdyshje barazia mes burrit dhe gruas dhe e drejta e vetvendosjes së individit për jetën seksuale. Gjermania është një shoqëri e hapur.
Por gjatë pëballjes të dyja palët do të duhet të ndryshojnë, të mësojnë që të afrohen me njëra-tjetrën, e në këtë drejtim pritet më shumë prej migrantëve. Ato e kanë zgjedhur Gjermaninë si atdheun e ri, ato duhet të jenë të përgatitur për ritet, normat e zakonet. Ato duhet edhe të respektojnë, atë çfarë për ta është e huaj, e madje që u duket edhe e neveritshme. Ato duhet ta pranojnë jetën këtu – pa hequr dorë tërësisht për këtë arsye nga identiteti i tyre kulturor e gjuhësor. Por Gjermania nuk është Siri apo Eritre dhe këtu nuk mund të jetohet si në shtëpi. Refugjatët duhet të jenë kuriozë ndaj jetës së tyre të re në Gjermani.
Por edhe Gjermania do të ndryshojë. Kancelarja mendon, se në 25 vjet vendi do të jetë më i hapur, më kurioz, më interesant, më tolerant. Ky është një pretendim i madh, por ka kohë që edhe Gjermania e sotme është e tillë. E megjtihatë Gjermania do të ndryshojë: ajo njëkohësisht duhet ta përkufizojë më me vetëdije identitetin e saj modern dhe të mësojë prej kësaj, që të interesohet për të huajën. Kultura islame nuk është vetëm Sherihati, vetëm nënshtrimi i gruas, vetëm burka. Të gjitha këto janë kështu në jetën e përditshme. Por po ashtu ajo është për Europën edhe ruajtëse e kulturës greke të shuar në Mesjetë. Ajo është e pasur në thesare, monumente, letërsi, filozofi. Ka ardhur koha, që ne t'i afrohemi kësaj kulture duke qenë ndaj saj sa të çlirët aq edhe me sy kritik, siç ka bërë Johann Wolfgang von Goethe në Divanin Perëndim-Lindje.
Lamtumirë iluzionit
Politika e refugjatëve mbulohet prej dy iluzioneve. Prej të parit, se Gjermania nuk është vend emigracioni, Gjermania tashmë duhet të heqë dorë. Kjo madje as më parë nuk ka qenë e vërtetë, e aq më pak sot. Ne jemi tërheqës, e pra njerëzit duan të vijnë tek ne. I dyti – politika e azilit është politikë emigracioni, për të zgjidhur problemet demografike të vendit. Në aspektin politik kjo është absurditet. Migrantët sa i përket numrit kërkohen me synim. Refugjatët thjeshtë vijnë. E megjithatë refugjatët duhet të integrohen sa më shpejt të jetë e mundur – në gjuhë dhe në profesion. E mentalisht: ata e kanë zgjedhur Gjermanië si vend të shpresës. Ata duhet, që këtë shoqëri të hapur ta bëjnë të tyren (Marre Deutsche Wele)