Koment: Turqia – e rrezikuar si shtet i një lideri
Erdogani është që tani njeriu më i fuqishëm i Turqisë. Por ai do më shumë. Dhe harron se pastaj të gjitha dështimet do të lidhen me të, mendon Peter Sturm nga Frankfurter Allgemeine Zeitung.
Po të ishe cinik dhe ta vështroje situatën në Turqi vetëm nën këndvështrimin e një politologu, do të shihje një skenar tepër interesant laboratori. Një shtet i përçarë në çdo kuptim i lejon vetes luksin që ta kthejë kokëposhtë sistemin e tij politik dhe që të lëshohet për jetë a vdekje në duart e një burri të vetëm. Duke e thjeshtëzuar këtë pastaj e quajnë reformë kushtetuese. Një gjë e tillë do të ishte problematike edhe në kohë normale, dhe kjo jo vetëm për shkaqe të teorisë së demokracisë. Por kohët nuk janë as normale. Turqinë e sulmojnë grupe të ndryshme terroriste. Edhe prandaj ekonomia ndodhet në një krizë të rëndë. E gjitha kjo ashpërsohet nga fakti që qeveria kryen në mënyrë të qëllimshme margjinalizimin e një pjese të popullit.
Presidenti Recep Tayyip Erdogan në fakt nuk mund të mos i shikojë këto realitete. Dhe mbetet sekreti i tij privat se si do të jetë ai në gjendje t’i zgjidhë i vetëm të gjitha këto probleme. Por pikërisht kjo është ajo për të cilën përpiqet ai – me këmbëngulje të madhe që prej disa vitesh. Që tani ai është njeriu më i fuqishëm në vend. E megjithatë ka shumë kohë që në Turqi nuk po bëhet asgjë më mirë, por padyshim shumë gjëra po bëhen më keq. A thua që ai e pranon heshturazi se nuk është jofajtor për këtë, se të paktën ai nuk e ka atë pushtet që t’i ndryshojë gjërat?
Që kjo të ndodhë, sigurisht nuk ka gjasa. Atraktiviteti i sistemit të liderit për njerëz si Erdogani konsiston në faktin se formalisht ata nuk duhet t’i justifikohen askujt. Rrezikun liderët në të gjithë botën (ndërkohë ka shumë të tillë) e injorojnë me dëshirë. Por kur ata vendosin të vetëm, atëherë çdo zhvillim i gabuar padyshim që bie në kurriz të tyre. Dhe në plan afatshkurtër apo afatgjatë atyre detyrimisht do t’ju mbarojnë “kurbanët” që mund të sakrifikojnë, për të tërhequr vëmendjen nga dështimi vetjak ose nga paaftësitë e veta. Është e trishtueshme që parlamentarët turq kanë pranuar t’i hyjnë eksperimentit të madh “krijimi i një shteti të liderit” duke e shfuqizuar në këtë mënyrë vetë veten. Një shpresë e fundit, sado që duhet pranuar se ajo është e vakët, megjithatë mbetet: ndoshta kushtetuta e re do të pengohet me referendum nga populli. Miqtë e Turqisë në Perëndim shohin me vëmendje dhe mjaft të pafuqishëm atë që po ndodh në Turqi.