Koment: Vives les Outsiders!
“Turistët e Kampionatit Europian” – kritikat për rritjen e numrit të ekipeve në kampionatin Europian ishin të mëdha. Por të ashtuquajturit “të vegjëlit” po dëshmojnë, se kanë merituar më shumë, mendon Joscha Weber.
Me dhënien e sinjalit të mbylljes së ndeshjes lojtarët me unofrmë të bardhë u shtrinë në fushë, të prekur prej zhgënjimit dhe raskapitjes. Ata dhanë gjithçka, vrapuan, mbrojtën çdo skaj në fushë e u mbrojtën prej të gjithëve, por megjithatë e vazhduan luftën për të prekur portën e kundërshtarit duke e sfiduar me krenari Francën si vend organizator. E më pas me dy gola në minutat e fundit humbën ndeshjen. Shqiptarët qendronin të ulur apo të shtrirë në fushë të mundur. Ndërkohë që ata mund të ishin larguar me kokën lart prej Stade Vélodrome të Marsejës.
Asnjë dallim klasash
Shqipëria e fortë në këtë premierë në faza të caktuara luajti në një nivel me favoriten e turneut, Francën. Për një Euro bast në fillim të turneut fitoje katër, në rast se Franca në fund do të fitonte. Për të njëjtën kuotë në bast fitoje 501 Euro, në rast se Shqipëria do të fitonte. Por nuk pati aspak një dallim të tillë mes të parit dhe të fundit në tabelën e garës së kampionatit. E Shqipëria nuk është rasti i vetëm me shembullin e saj në këtë kampionat.
Të ashtuquajturit “të vegjëlit” deri tani vazhdojnë garën në EURO 2016, sepse UEFA e ka shtuar nga 16 në 24 numrin e ekipeve pjesëmarrëse dhe të sapoardhurit po tregojnë, se me nivelin sportiv ato i përkasin vërtetë këtij kampionati. Austria e forcuar suprizoi me një fitore bindëse ndaj Islandës e gjithashtu duke e dëshpëruar me barazim 1:1 me Portugalinë Ronaldon, i shpallur tri herë sportisti botëror. Suedezët para katër vjetësh të klasifikuar si pa shanse papritur po demonstrojnë një futboll klasi, Ukraina po sfidon kampionen botërore, Gjermaninë, ekipet e Uellsit dhe Sllovakisë kanë secili nga një fitore në llogarinë e tyre. Një masë ekipesh sa për të shtuar koloritin në raundin e parë? Mais non! Vives les Outsiders…
Modusi jo në rregull, por shtimi i ekipeve një fitore
Qysh tani po vërtetohet qartazi, se shtimi i ekipeve në Kampioantin Europian është një pasurim. Ndeshjet kanë treguar shumë më tepër cilësi nga sa pritej, grupet janë bërë mjaft interesante dhe numri i shtuar i ndeshjeve padyshim që i gëzon europianët e apasionuar pas futbollit. Natyrisht pas kësaj fshihet një ineteres i fortë financiar i UEFA-s, që me çdo ndeshje grumbullon para të majme. Natyrisht që zgjerimi i planit të ndeshjeve u arrit falë lojërave për pushtet brenda UEFA-s, ku për të tilla masa sjellin vota federatat e vogla të futbollit. E natyrisht nuk është në rregull modusi i zgjedhur, sipas të cilit në raundin e parë klasifikohen tetë ekipe nga 24 gjithsej.
Por “të vegjëlit” e kanë merituar vendin e tyre. Pjesërisht me rendimentin e lartë në ndeshjet eliminatore e në radhë të parë me preznatimet e deritanishme dinjitoze në turne. Në nivelin e klubeve futbolli europian përjeton një përqendrim sa të pashëndetshëm aq edhe monoton që po fokusohet gjithnjë e më shumë vetëm tek një grup i vogël i Big Player-ve. Champions League me rregullat jo proporcionale të kualifikimit ka kohë që është bërë një Club fermé i klubeve të pasura. Eshtë ndoshta lajmi i parë dhe pozitiv që tani marrin pjesë edhe ekipet e reja të vogla nga vendet më të dobëta financiarisht në Kampionatin Europian, një turne ky që zakonisht dominohet nga kryeartikuj negativ.