“Komisionerë civil”- një formulë e re për të përdhosur zgjedhjet e radhës

Edhe një herë për arnat e Kodit Zgjedhor

Nga Gjovalin Gjeloshi*

Përjashto zgjedhjet e vitit 1992, si ato të përgjithshme të 22 marsit, si ato lokale të 26 korrikut, në vitin që vjen bëhen plot 30 vjet që vendi ynë nuk ka qetësi paszgjedhore. Them paszgjedhore se rrapatosjet e palëve që konkurojnë në votime, të paktën deri tani, nuk mund të ofrojnë kulturë në të bërit fushatë dhe kjo kulturë e dobët dhe konfliktuoze është përcjellë në mënyrë të padrejtë edhe tek votuesi.
Për të arritur te qetësia parazgjedhore, në ditën e votimeve e aq më tepër te qetësia paszgjedhore, pra rrjedhimisht te pranimi i zgjedhjeve nga palët, të paktën në Shqipëri na pret (fatkeqësisht) një kohë e gjatë.
Unë jam komisioner zgjedhor prej vitesh dhe e ndjejë veten pjestar të administratës zgjedhore edhe kur nuk kam marrë pjesë në komisione. Për mua, administrate zgjedhore duhet të jetë një pushtet, një “qeveri” e ndërmjeme. Një qeveri që nuk i del askush përpara, (përveç sistemit të drejtësisë) në punën e saj dhe nuk merr urdhëra prej asnjë lloj pushteti. Administrata zgjedhore tash 30 vjet ka qenë dhe vazhdon të mbetet e politizuar, sepse edhe formula e bërjes së kësaj administrate e ka bazën tek politika, ndaj s’ka se si të jetë ndryshe. Por në vijimësi, unë e mendoj, se më mirë të jetë politike dhe e dimë se është e tillë, se sa ta veshim këtë administratë me petkun civil (siç po mundohemi të bëjmë tani) dhe të hiqemi sikur është e pavarur. Më mirë të gjejmë formulën e kualifikimit të kësaj administrate (politike), pavarësisht me komisionerë të propozuar nga partitë politike të interesuara për rezultatin e zgjedhjeve, se sa të abuzojmë me faktin se po bëjmë komisione vendore me anëtarë të ardhur nga administrata civile, kur ne jemi dëshmitarë, se kjo administratë (civile) nga fundi në krye, sot të paktën, punon në qeverisjen e partisë në pushtet dhe i bën hyzmetin asaj. (Fatëkeqësisht ky është mentaliteti ynë. Vetëm një përqindje e vogël e administrates, rezultojnë të jenë jo servilë ndaj pushtetit, ndaj atij që rëndom i thotë në mënyrë fyese: po të mbajë me bukë).
Dhe besoj se, baza e zgjedhjeve të lira e të ndershme, nuk është sistemi zgjedhor. Çdo system zgjedhjesh, sado perfekt të jetë, nuk ka derman pa pasur edhe dy anë të dobëta. Pesë më shumë-pesë më pak, lista të hapura apo të mbyllura, pak rëndësi kanë (që natyrisht kanë) përpara asaj se çfarë servirin këto lista, çfarë emrash ka në ato lista. Edhe në listën e hapur, një kandidat me rekorde kriminale, një biznesmenë që i shmanget taksave të vendit tash sa vjet e tenton me shkue në parlament për interesa personale, e të tjerë të kësaj natyre, edhe në qoftë në vendin e dhjetë në listën e partisë, me makinacionet e përdorura në këtë dhjetëvjeçar, ka për të dalë i pari. Atëhere, çfarë bëmë? Asnjëgjë!
Nëse e marrim administratën zgjedhore si një piramidë, ku në majë është Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, baza e zgjedhjeve, është “baza”, jo maja. Baza e zgjedhjeve të pranueshme nga palët, nuk janë shtatë komisionerët e lartë të zgjedhjeve, që ne lodhemi aq shumë për t’i konfiguruar në këtë komision, por janë 20 mijë komisionerët lokal dhe rajonal në mbarë Shqipërinë. Sado i aftë teknikisht e juridikisht të jetë ky komision, është “një vrimë në ujë” përpara paaftësisë, politizimit të skajshëm, militantizmit apo diletantizmit e servilizmit të kësaj armate që administrojnë procesin zgjedhor.
Po si i bëhet, a do të kemi ne ndonjeherë fatin të kemi komisionerë që në qendrën e votimit të mos përfaqësojnë politiken, por teknikën; të mos jenë përfaqësues të partisë, por të pushtetit të administratës zgjedhore?
Për këtë kapitull, ndër më të rëndësishmit e një Kodi Zgjedhor, a kanë kontribuar ndonjëherë organizmat ndërkombëtare? Po, ndoshta më shumë se sa sot.
Qysh vitin 2002, pra 18 vjet më parë, Fondacioni Ndërkombëtar për Zgjedhjet, IFES, pjesë e mbështetjeve të USAID, ka filluar të punojë intensivisht që Shqipëria të ketë komisinerë vendor të pavarur, teknikë e të kualifikuar mirë. Për këtë, ata i kthyen sytë nga një Kod zgjedhor që nuk prodhon konflikte (sipas tyre), që aplikohej në shtetin e Bosnjë-Hercegovinës, një kod që në të vërtetë e kishin përgatitur vetë organizmat europiane. Në atë periudhë, IFES punoi shumë me komisionerët shqiptarë që punuan në vitin 2001 (në zgjedhjet e përgjithshme) dhe mbi atë bazë, në bashkëpunim me KQZ e vendit, në të të 12 rajonet e Shqipërisë (qarqet), u krijuan shoqatat e komisionerëve, si bërthama të ardhshme ku do të grumbulloheshin të gjithë komisionerët e qëndrave të votimit apo të zonave zonale zgjedhore. Për ta bërë shumë më konkrete këtë nismë, IFES organizoi edhe një tur kualifikimi disajavor të një grupi komisionerësh nga e gjithë Shqipëria, në Sarajevë. Në këtë grup bënin pjesë edhe ligjëvënës të Shqipërisë si dhe përfaqësues të KQZ. Me këtë rast komisionerët shqiptar muarën pjesë edhe si vëzhgues në zgjedhjet shumënivelëshe që u zhvilluan në Bosnjë-Hercegovinë në tetor të atij viti (2002). Ashtu siç muarën pjesë në Britaninë e Madhe e Hungari.
Në fakt, pas eksperiencës së hidhur të luftërave në ish-Jugosllavi, pas masakrave në këtë shtet ku u vranë një çerek milioni njerëz, lexuesi (votuesi ynë), ndoshta nuk është i përgatitur që të dëgjojë një eksperiencë prej këtij vendi, por ja që “bota” punoi shumë atje, që sistemi zgjedhor edhe pse në një shtet të komplikuar, të sjellë paqe paszgjedhore e pranim të rezultatit të zgjedhjeve prej palëve. Pa u zgjeruar në të gjithë këtë përvojë të mirë, (IFES e botoi në një libër këtë përvojë që ne fituam atje), që në fakt ia vlen, unë po vijoj të lakmoj në formulën që sjellë komisionerë të pavarur e teknikë në qendrën e votimit. Në Bosnjë-Hercegovinë, çdo parti politike (edhe në qofshin 50), që është e regjistruar në KQZ, ka të drejtë të propozojë një emër për komisioner. Pastaj, nga 50 në 5, (numri që ka komisioni) është një shoshitje që e bën këshilli vendor i kantonit apo bashkisë, mbi bazën e kualifikimit, të arsimimit, përvojës, cv-së personale, sjelljes në shoqëri etj, që ka kandidatura e propozuar. Atje nuk përjashtohet kurrkush dhe nuk preferohet asnjëri. Mund të votohet për komisioner një përfaqësues I një partie shumë të vogël dhe të humbasë personi I propozuar nga partia më e madhe. Në këtë aspekt, më i pabesuari dhe më i kontestuari, është ai që punon në një administratë shtetërore. Sepse ai në të vërtetë, (nga eksperienca e hidhur që kemi), i punësuari civil rezulton edhe më “i varuri”, pavarësisht se nuk vjen i propozuar nga partitë, por vjen i propozuar indirekt nga partia që ka pushtetin (!!??). Kjo formulë që propozohet sot, nuk është as më pak e as më shumë, por një metodë e re për të përdhosur zgjedhjet e radhës.
Në Bosnjë-Hercegovinë, komisionerët janë të tubuar në shoqatën e tyre, një shoqatë aktive dhe me fuqi ekzekutive përmbi sjelljet e anëtarëve të saj. Kanë Kodin e Etikës, kod i cili nëse shkelet, përveç masave administrative apo penale që mund të ketë, komisioneri përjashtohet përgjithmonë nga administrata e zgjedhjeve. Shoqata kombëtare e zgjedhjeve në BiH, bën analizën e zgjedhjeve në bashkëpunim me KQZ e vendit dhe kanë periodikun e tyre të shtypit, ku shkruajnë për aktivitetet, problemet që kërkojnë zgjidhje, shfaqin pikëpamjet dhe bëjnë analiza për të ardhmen. Një periodik të tillë e filluam ta botojmë edhe në Shqipëri. (Kaq perfekt vijojnë zgjedhjet atje, sa që kryetarja e shoqatës së komisionerëve zgjedhor e vitit 2002, Irena Haxhiabdiç më vonë u zgjodh kryetare e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve në këtë shtet).
Kur do t’i arrijmë ne këto? Do t’i kishim sot, nëse politika e vitit 2002-2003 i kishte pranuar rekomandimet që u bënë atëhere nga grupi i komisionerëve të përkrahur e mbështetur nga IFES. Sipas vlerësimeve që u bënë nga ndërkombëtarët, ishin “dy të mëdhenjtë” e politikës: Fatos Nano e Sali Berisha, njëri në pushtet e tjetri në opozitë, që njëzëri nuk e pranuan këtë përvojë, e cila u propozua atëherë.
Por nuk mund ta kemi sot, sepse pavarësia e komisionerit nuk sigurohet brenda 24 orëve dhe duhet gjetur më parë mekanizmi i propozimit dhe miratimit të komisionerëve jashtëpolitik. Tingëllon absurde sot kërkesa e ndërkombëtarëve kur venë afate dhe bëjnë presion indirect duke përmendur topin në njërën apo tjetrën fushë. Këta ose nuk njohin realitetin ose u shkon për shtat kështu.
Në fund po i pyes përfaqësuesit e BE e SHBA: më vështirë e kishit me ba Bosnje-Hercegovinën (që i dhuruat një Kod Zgjedhor perfekt), apo e keni me ne, Shqipërinë, që e arnojmë Kodin tash 30 herë në 30 vjet dhe nuk qullosim gjë?

*Komisioner zgjedhor, “i çertefikuar” në Bosnje dhe Hercegovinë

SHKARKO APP