Komunistë dhe kriminelë

 

Nga Mesila Doda

U bënë disa muaj që nuk kam përdorur këtë foltore, pasi fjala nga këtu është bërë edhe më pa peshë, gjithçka që themi apo kërkojmë kalon herë më një farë heshtje të shurdhët herë me batuta që lenë të lumtur veç autorët çapraz që lëshojnë dhe në vend të fjalimeve normale parlamentare përftojmë batuta dykuptimshe vulgare. Por rasti i sotëm është padyshim tejet i rëndësishëm për të heshtur. Sot po flasim për dekriminalizimin, i gjithë vendi është përfshirë brenda kësaj beteje mediatike, që as e krijoi vetë e as i takon ta vuajë. Në janar të vitit 2014 kur bashkë me disa kolege nisëm betejën kundër zëvendësimit të mandateve parlametare të zonjave deputete, aksioni ynë u duk i pavend madje dikush shqiptoi dhe gjysëm akuza se ishte protagonizëm politik. Duke ju rikthyer atij moment të rreth 2 viteve më parë gjeta këtë deklarim timin të asokohe… Sot në Parlamentin e Shqipërisë u krye një hap i rrezikshëm për demokracinë dhe në mosrespektim të plotë të të drejtave të njeriut. Tre zonja deputete u detyruan të jepnin dorëheqjen dhe të zëvendësoheshin nga burrat që vinin më poshtë në listat përkatëse. Kjo është një çështje e rrezikshme për demokracinë. Nëse edhe një deputete ndjehet e shtrënguar të heqë dorë nga arritja më e madhe e karrierës së saj, marrja e mandatit të deputetit, atëherë në këtë vend askush nuk është më i sigurtë. Kryeministri që duhet të jetë garanti i të drejtave të më të dobëtve, hesht. Unë sot deklaroj se kjo klasë politike po tregohet e pafuqishme përballë mënyrave kriminale, me të cilat po dominohet ky parlament.

Pas kaq kohësh e ndjej veten më shumë se mirë të deklaroj se beteja për mosdorzimin e politikës përballë krimit nisi nga ajo ditë dhe shpresoj fort se produkti i këtij projektligji që vjen sot shënon jo thjesht të përmirsojmë cilësinë e klasës drejtuese në vend, por mbi të gjitha lehtësojmë atë perceptim kriminal e të shëmtuar që shqiptarët kanë për të gjithë ne. Por frika ime e madhe sot është që në vend të sjellim ndryshimin që kërkojnë shqiptarët,ne sot thjesht po lehtësojmë personat përgjegjës për këtë masakër politike nga përgjegjësia e krimit që u soll brenda politikës. Krimi nuk erdhi vetë brenda parlamentit, brenda politikes e vendimarrjes, atë e sollën liderët e mëdhenj, ata që e konsiderojnë veten gjysëm zotër, sepse ne nuk kemi kryetar partish, ne kemi sulltanër, kemi mbretër, kemi monarkë në krye të strukturave politike. Por jane kan frikacakë e të papërgjegjshëm sa nuk kanë asnjë rimors, asnjë pendesë e nuk dinë të kërkojnë njëherë falje për faktin që e kthyen parlamentin në stallë, që i kanë kthyer partitë politike ne garnizone ushtarake e shqiptarët në një turmë të skllavëruar. Dikur i skllavëroi ideologjia, dhuna, diktatura, sot i ka gjymtuar krimi, varfëria, dhuna arbitrare e njërës palë dhe të mos pasurit shpresë të mospasurit asnjë mundësie zgjedhje mes palësh që zihen egërsisht për pushtet por që shqiptarët i kanë lënë pa shtet.

Do kisha shumë për të thënë për këtë ligjin shpëlarje fytyre që politika shqiptare i afroi vetes, por sinqerisht nuk e ndjej veten as pjese e as bashkëfajtore të kësaj sage që drejton vendin dhe që kalon nga krimi politik në atë ordiner me cikle, dhe që nuk ka asnjë përgjegjësi për mizerjen ku ka zhytur imazhin e vendit dhe atë të klasës politike shqiptare. Unë kam nisur një betejë këtu e disa vite më parë dhe kishte në thelb të saj ka heqjen e krimit politik të diktaturës nga drejtimi i vendit, nga politika, ekzekutivi dhe veçanërisht nga drejtësia dhe ndarjen përfundimtare nga e kaluara kriminale e këtij vendi. Unë besoj se Shqipëria nuk u nda kurrë nga krimi i djeshëm me qëllim që të shantazhonte e të masakronte të ardhmen e vendit. Pse nuk i hoqëm përgjegjësit e djeshëm nga politika, nga shërbimet sekrete, nga drejtësia, nga ekzekutivi…e dini pse? Sepse ata që marrin vendime nuk janë më të mirë se xhelatët e djeshëm. Nëse ata janë egzektuesit e krimeve, ata që marrin vendime e nuk e ndajnë dot Shqipërinë nga krimi i djeshëm janë shantazhues, frikacakë e mbështetës në heshtje të kaluarës kriminale. Në emër të kësaj të kaluare kriminale u rrit e u bë dallgë arroganca, injoranca, vaniteti i pushtetit që u ndërtua në një shoqëri që nuk po ndahet nga tranzicioni.

Të nderuar kolegë. Para disa ditësh kam paraqitur amendamentin që e kam quajtur për dekomunistizim, por që në thelb nuk është asgjë tjetër veçse konsiderimi i krimit politik të djeshëm si vepër genocidiale kundër popullit të vet dhe heqja nga drejtimi i personave që janë të përfshirë në këtë krim. Sipas këtij amendamenti Nuk mund të kandidojnë, nuk mund të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie apo këshilltar në këshillin bashkiak dhe në çdo rast nuk mund të marrin një funksion me votim nga Kuvendi, përfshirë funksionin e Kryeministrit apo anëtarit të Këshillit të Ministrave, apo me votim nga këshillat bashkiakë ose të qarkut, personat të cilët ne periudhën nga 29 Nëntori 1944 deri me 2 Korrik 1991, brenda apo jashtë vendit kane qene te përfshirë ne:

a) Strukturat e ish-Sigurimit te Shtetit; b) Bashkëpunëtorë te ish-Sigurimit te Shtetit; c) Strukturat Drejtuese te Partisë Punës se Shqipërisë te Republikës Popullore Socialiste te Shqipërisë, ne nivel lokal apo qendror; d) Funksione te larta drejtuese te pushtetit Ekzekutiv ne Republikën Popullore Socialiste te Shqipërisë, ne nivel lokal apo qendror; e) Drejtimin e forcave te armatosura te Republikës Popullore Socialiste te Shqipërisë; f) Strukturat e Hetuesisë se Republikës Popullore Socialiste te Shqipërisë; g) Ne detyrën e Gjyqtarit dhe Prokurorit ne Republikën Popullore Socialiste te Shqipërisë.

Për personat që parashikohen në shkronjën "a" të pikës 1 dhe ata te pikës 2 te nenit 2, ndalimi për kandidim, zgjedhje apo ushtrim të mandatit, zgjat gjatë gjithë jetës.” Amendamenti i mësipërm ka një logjike të vetën. Nëse ne ndalojmë një person të akuzuar për trafik, plagosje, vrasje apo vepra të tjera kriminale pas ’90, nuk di pse personat përgjegjës për krimin politik për 45 vjet duhet të kursehen, dihet të konsiderohen si me pak te rrezikshëm se ata që kanë vrare, plagosur e torturuar pas ’90-ës. Pse mbrojtësit e krimit politik dhe arkitektët e dhunës ndaj një populli janë me pak kriminelë se kriminelët ordinerë? Kjo ka vetëm një përgjigje te mundshme. Ka një marrëveshje të heshtur për ta amnistuar këte kastë kriminelësh ndaj unë mbeshtes me gjithe zemër ata të persekutuar, burra e gra që sot përpara Parlamentit kërkonin heqjen e kriminelëve, prokurorve e gjykatesve, shefave të Partisë së Punes që mbollën terror, burg e prapambetje skllavëruese per një popull.

 

Komisioni i posaçëm e anshkaloi me qëllim këtë kërkesë për shqyrtim ndaj unë dhe nënkryetari i Parlamentit z.Shpëtim Idrizi e sjellim sot këtë amendament që është në vazhdën e iniciativave të mëparshme për lustracionin dhe pjesë e një platforme kombëtare që është ajo për dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare ku duhet të pasqyrohet:

1. Nevoja për një ligj për memorien historike. Të rinjtë të mësojnë të kaluarën e vërtetë dhe të njihen masakrat dhe kriminelët. Të punohet për gjetjen e trupave të viktimave duke përdorur informacionet që duhet të jepen me ligj nga ata që disponojnë informacionin.

2. Të aprovohet ndryshimi ligjor për ndalimin e përdorimit në publik të simboleve komuniste dhe figurave të kriminelëve të regjimit të kaluar.

3. T’i hiqet çdo titull nderi për cilindo funksionar që është i përfshirë në krimet e ish- regjimit të kaluar.

4. Të mos jepet asnjë dëmshpërblim për ish-funksionarët komunistë që më vonë u deklaruan të persekutuar.

5. Të largohen kriminelët nga administrata dhe politika. Nuk mund të ketë dekriminalizim të keqbërësve të rinj dhe falje për xhelatët e vjetër. Kriminelët dhe keqbërësit e të gjitha kohërave duhen ndaluar të jenë pushtetmbajtës.

Përgjatë këtyre ditëve kam patur sugjerime kontroverse për këtë amendament timin. Shumë deklarojnë se kjo është një çështje e kaluar për vendin. Unë sot deklaroj ëerkushtimin tim të përhershëm e konstant për të realizuar ndarjen e të sotmes dhe te ardhmes së vendit nga e kaluara kriminale. Kushdo që të jetë maxhoranca, cilado që do jetë nisma ligjore, unë do vazhdoj të flas e riflas, të sjell çdo iniciative ligjore që do shërbejë në ndarjen e kombit nga kjo rrënjë kriminale prapambetje dhe e dhunshme. Do vazhdoni të mos e votoni? Kjo është çështja juaj. Mua dhe gjithë asaj plejade të studentëve të dhjetorit që sollën ndryshimin na takon të jemi këmbana e ndërgjegjes për t’ju bërë me dije pragmatistve, frikacakëve dhe injorantëve të historisë se pa u ndarë nga e kaluara nuk do mund të projektojmë një të ardhme normale për këtë vend.

Fjalimi i mbajtur sot në Kuvend

SHKARKO APP