Koncerti i Shkëlzen Dolit/ Kush e mori zarfin në Televizionin Publik Shqiptar?
Pse evenimenti që u shit si ekskluzivitet dhe për të cilin qeveria dha 150 mijë euro, u trasmetua në Klan ? (Video)
Edhe pas mbarimit të koncertit të Asamblit filarmonik të Vienës nuk kanë pushuar hijet e dyshimit lidhur me mënyrën si u përdorën fondet për të. Përtej violinës së Shkëlzen Dolit, rakisë dhe qelesheve për muzikantët vienezë, ka shumë gjasa të jetë luajtur një poker milionësh. Këtë herë dyshimet janë për televizionin publik shqiptar që e kishte shpallur këtë ngjarje të madhe kulturore si një ekskluzivitet të vetin. Po të shohësh videon poshtë, të nxjerrë nga lajmet e TVSh, duket qartë se kronika e gazetares Sonila Agostini, pretendon një shfaqe ekskluzive të televizionit që paguhet nga taksat e shqiptarëve.
Kjo gjë dukej edhe më e pranueshme sepse një koncert i sponsorizuar nga qeveria me 150 mijë euro nuk mund ti jepej si një dhuratë gjigande një televizioni privat.
Por, në fakt nuk rezultoi kështu. Në të njëjtën orë programi ekskluziv i TVSh-së u transmetua direkt edhe nga TV Klan?
Pra mëkati i parë është se televizioni publik gënjeu publikisht shikuesit e tij që janë edhe taksapaguesit e tij sepse koncertin nuk e trasmetoi vetëm vetë.
Mëkati i dytë është se paratë e qeverisë (shuma e akorduar nga Ministria e Kulturës) shkoi për të rritur audiencën e një medije private që është një marrëdhënie totalisht e dyshimtë.
Problemi më i rëndë është po të shikohen edhe shifrat e audiencës. Cilado qoftë besueshmëria e kompanisë “Telemetriks” që bën matjet rezulton se të njëjtin program e kanë parë 12% e shikuesve në Klan dhe vetëm një e treta në TVSH (4%).
Pra praktikisht televizioni publik e ka humbur garën me një program që e ka shitur si të tijin.
Çfarë ka ndodhur?
Thjeshtë gjigandi i rënuar i mediave shqiptare ka gënjyer edhe njëherë më shumë publikun? Mos vallë një urdhër nga qeveria që ka ngritur në kult marrëdhëniet publik privat, ka vendosur që nga fondi 150 mijë eurosh, të përfitojë edhe TV Klan? Apo gjithçka është më e thjeshtë dhe si gjithmonë në TVSH ka dalë fitimtar zarfi, duke ndjekur edhe me koncertet praktikën që ndiqet me ndeshjet e kombëtares dhe kampionatet botërore të futbollit?(Lapsi.al)
[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=32wVu745uMg” width=”560″ height=”315″]