Kongresi i Ramës

“Përballë qëndrimeve të tilla të Blushit, çështja e zgjedhjes së koordinatorëve dhe modeli laburist i PS-së kalojnë në plan të dytë. Pasi Ben Blushi nuk kërkon më vetëm diskutim për mandatin e kryetarit, por edhe për diçka që tejkalon debatet për statutin; ndryshimin e kursit të qeverisjes. Ky zhvillim i debatit do ta bëjë situatën në Pallatin e Kongreseve më të tensionuar, ku nuk do të mungojnë replikat dhe përplasjet verbale”…

Nga Qamil Xhani/

Rreth 1500 delegatë të Partisë Socialiste do të marrin pjesë sot në kongresin e partisë, aktiviteti më i rëndësishëm për jetën e brendshme të një partie. Në programin e publikuar dje për mediat, drejtuesit e PS-së kanë renditur gjashtë pika për diskutimet në kongres. Sipas axhendës zyrtare, kongresi ka në qendër të tij përgatitjen e strukturave për zgjedhjet e ardhshme dhe ndryshimet në statut për drejtuesit lokalë të partisë, e cila po ndryshon mënyrën e organizimit pas ndarjes së re territoriale.

Pjesa e parë e kongresit do të hapet me fjalën e kreut të PS-së dhe Kryeministrit Edi Rama. Më pas do të jetë raportimi për procesin e anëtarësimeve të reja në parti, ku objektivi ka qenë dyfishimi i numrit të anëtarësisë. Pikë tjetër e rëndësishme e kongresit është diskutimi për ndryshimet në statusin e partisë dhe ajo për zgjedhjen e strukturave drejtuese. Kjo është axhenda zyrtare e kongresit socialist, ku veç delegatëve Kryeministri Edi Rama ka ftuar edhe një numër të madh personalitetesh të huaja si ish-Kryeministri italian Masimo D’Alema, drejtuesit e së majtës europiane Gianni Pitella, si dhe Martin Shchultz. Veç të ftuarve ndërkombëtarë, Rama i ka dërguar ftesë dhe ish-Kryetarit Fatos Nano. Një festë që përveçse i takon si ish-drejtues i PS-së, duket se është dhe një sinjal i Ramës për dhënë idenë e një partie të hapur, pavarësisht se Nano ka 11 vite që nuk pranohet as të hyjë në selinë e PS-së. Veprim me finesë i kreut të PS-së.

Por kongresi i sotëm nuk është i rëndësishëm për shkak të emrave të të ftuarve dhe as për numrin e qytetarëve që kanë marrë kartën e anëtarësimit në selinë rozë. Më shumë se kaq, kongresi i sotëm është “beteja” finale mes kreut të partisë, Edi Rama dhe rivalit për postin e kryetarit Ben Blushi. Debati gati një vjeçar mes Ben Blushit dhe Edi Ramës edhe pse nuk është futur në asnjë pikë të programit do të jetë axhenda reale e kongresit. Kongresi do të miratojë ndryshimet statutore për zgjedhjen e kryetarit sipas modelit laburist, pra që kur fitohen zgjedhjet nuk ka arsye për rizgjedhje të kryetarit. Për këtë qëllim, Rama do të propozojë edhe votimin me referendum të çështjes së kryetarit, ku socialistët do të vendosin brenda 30 ditëve nëse kryetari duhet të rizgjidhet pasi ka humbur zgjedhjet apo jo.

Ndërkohë, një qëndrim krejtësisht tjetër ka Ben Blushi. Në fjalimin që do të mbajë sot në Kongres, Blushi do të kërkojë respektimin e statutit aktual, ku mandati i kreut të partisë duhet të shkojë në votim një herë në 4 vjet. Por jo vetëm kaq. Debatet që nisën me statutin e partisë mes Ramës dhe Blushit tashmë kanë shkuar shumë larg. Në mënyrë të hapur, dy ditë më parë në emisionin “Opinion”, Ben Blushi kërkoi ndryshime rrënjësore të kabinetit aktual qeveritar duke u bërë deputet i parë i majtë që ka pranuar se PS-ja nuk po qeveris mirë. Madje, ai tha se kjo qeveri duhet rrëzuar. Përballë qëndrimeve të tilla të Blushit, çështja e zgjedhjes së koordinatorëve dhe modeli laburist i PS-së kalojnë në plan të dytë. Pasi Ben Blushi nuk kërkon më vetëm diskutim për mandatin e kryetarit, por edhe për diçka që tejkalon debatet për statutin; ndryshimin e kursit të qeverisjes. Ky zhvillim i debatit do ta bëjë situatën në Pallatin e Kongreseve më të tensionuar, ku nuk do të mungojnë replikat dhe përplasjet verbale.

Ben Blushi sot ka ose ditën e fundit në PS me Ramën, e cila duket me shumë gjasa ose ditën e fitores, e cila nuk duket se ka shumë dritë në fund të tunelit socialist.

SHKARKO APP