Kongresi i reflektimit ose rrënimit të PS
Shansi i grupit anti-Rama për të prezantuar platformën që shpëton vendin nga kaosi dhe që mund të ruajë pushtetin e PS. Në të kundërt, nëse Rama vijon të ndjek linjën e konfliktit dhe arrogancës, shumë shpejt socialistët nuk do të kenë më as qeverinë dhe as partinë e tyre
Nga Qamil Xhani –
Të shtunën, më 23 mars, Partia Socialiste do të mbajë kongresin e saj të radhës. Axhenda zyrtare që kryeministri dhe kryetari i PS, Edi Rama ka prezantuar për mbledhjen e forumit më të lartë të partisë ka të bëjë me përgatitjet e zgjedhjeve vendore. Emrat e kandidatëve për 61 bashkitë, kriteret e përzgjedhjes së anëtarëve të këshillave bashkiakë, aleancat me partitë e tjera, si dhe sloganet elektorale janë çështjet me të cilat Edi Rama po mban të angazhuar këto ditë strukturat e partisë. Të gjitha kulisat e kandidatëve dhe sherret e zakonshme që bëhen në një parti në prag zgjedhjesh do të ishin mëse të zakonshme nëse do të jetonim në një situatë politike normale. Por të gjithë, që nga kryeministri dhe kryesocialisti Edi Rama dhe deri te anëtari më i thjeshtë i PS-së e dinë se këto ditë askush nuk e ka luksin të sillet sikur jeton në një vend normal.
Opozita e vendit ka më shumë se një muaj që ka djegur mandatet e deputetëve, aktin më ekstrem që partitë kundërshtare të një qeverinë, mund të bëjnë. Në Tiranë janë zhvilluar protestat më të mëdha kundër qeverisë, që pas rënies së sistemit komunist. Duke e cilësuar qeverinë “Rama” përgjegjëse për vjedhjen e votave në vitin 2017, korrupsioni, lidhjet me krimin dhe kapjen e gjithë sistemit politik dhe social në vend, opozita kërkon largimin e kryeministrit, krijimin e një qeverie tranzitore dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme. Veprimet dhe kërkesat e opozitës tregojnë se në kushtet në të cilat ndodhet vendi, bërja e zgjedhjeve vendore në afatin e parashikuar 30 qershor është jo vetëm e pamundur, por edhe një proces i panevojshëm politik. Arsyeja është e thjeshtë, sepse me Edi Ramën dhe sistemin që ka ngritur për manipulimin e zgjedhjeve, çdo proces elektorale nuk shihet si ushtrim i demokracisë qytetare, por si fushatë e vjedhjes së votave që nxjerr fitues gjithmonë qeverinë. Në këtë klimë protestash, tensionesh dhe krizë të plotë politikë mbajta e një kongresi zgjedhor me parulla elektorale nga partia qeverisëse duket si një luks i tepërt. Të flasësh në këto momente për zgjedhjet dhe parimet në kongres duket sikur s’ke lidhje me atë që po ndodhë në Shqipëri. Ndaj takimi i së shtunës i PS-së është mundësia më e mirë që mendjet e ftohta dhe socialistët e vërtetë ta kthejnë në një kongres reflektimi. Socialistët kanë një trashëgimi që duhet ruajtur dhe pavarësisht nga emrat e kryeministrave që drejtojnë vendin, kanë përgjegjësi politike për atë që po ndodh. Edi Rama po përgatitet të fusë në zgjedhje partinë, duke mos pasur përballë kundërshtarë. Praktikisht nuk ka garë dhe një parti që ka pasur parimet e saj zgjedhjet dhe standardet demokratike, nuk mund të bjerë në nivelin e një maskarade të tillë. Kryeministri Rama për herë të parë në historinë e 29 viteve detyroi opozitën të dalë nga Kuvendi, ndërkohë po mbush vendet e lëna bosh me deputetë të blerë. Sado ta urrejnë socialistët, Sali Berishën, Lulzim Bashën, PD apo LSI, e dinë shumë mirë se sistemi demokratik i një republike, nuk ka kuptim pa kundërshtarë realë. Një skenar i tillë që ka bekimin e kryetarit të tyre, nuk është më demokraci, por autokraci dhe përfundon në diktaturë. Opozita nuk është thjesht çështje numra deputetësh, por edhe alternativë qeverisëse, kontroll i pushtetit dhe legjitimuese e vet mazhorancës dhe qeverisë. Në momentin që opozitë reale nuk është në Kuvend, ligjërisht jashtë sistemit ka dalë dhe qeveria.
Kongresi i së shtunës është koha kur në Partinë Socialiste të flasin ata që sigurisht kanë kritika për opozitën, siç është normale që të kenë, por shohin dhe rrezikun ku po e fut vendin Edi Rama. Kokëfortësia dhe ecja me vrap drejt konfliktit dhe rrëmujës nga kryeministri është proces që duhet ndalur në kohë nga socialistët. Konflikti, tensionet dhe destabiliteti janë kosto më e madhe për vendin sesa çmimi i lënies së karriges së kryeministrit nga Edi Rama. Kongresi, ashtu siç ka qenë në traditën e PS, është momenti kur ata që nuk janë dakord me linjën e kryetarit-kryeministër, të tregojnë se partia që qeverisë vendin nuk ka përgjegjësi vetëm për pushtetin, por edhe për shtetin. Linja “Rama” tashmë u sprova në PS dhe në Qeveri u pa se veç ndonjë arritje, në shumicën e rasteve prodhon konflikt, tension dhe siç po tregohet këto kohë degradim të shtetit dhe gjithë institucioneve.
Sot PS është shumicë në letra dhe ka gjithë pushtetet, duke nisur nga Qeveria, drejtësia, prokuroria dhe duke përfunduar deri të institucioni më i parëndësishëm i vendit. Me parlament pa opozitë dhe zgjedhje pa kundërshtarë, Rama vetëm sa po zgjat rënien e pashmangshme. Drejtuesve të përgjegjshëm në PS u takon të zgjedhin, nëse do reflektojnë për të zgjidhur krizën ose do të detyrohen të pranojnë se bashkë me rrëzimin e Ramës duhet të ikin dhe ata nga pushteti.