Kongresi socialist dhe nostalgjia e vjetër e “sindromës së KPD”

Kongresi i 19 marsit ka rindezur zjarrin e vjetër të debatit brenda PS. Një parti e mësuar me këtë ritual që nga dita e parë e themelimit të saj. Megjithëse u shty për në fillim të pranverës, megjithëse pritet të ketë ndryshime statutore që synojnë t’ja bëjnë më të qetë jetën kryetarit Rama, sërish forumi më i lartë i PS ka shkaktuar valët e para sizmike. Dhe ashtu siç pritej, i pari që i dha startin këtij tërmeti të vogël të brendshëm, është personi që shumëkush e ka parë këto dhjetë vjetët e fundit, si rivalin kryesor të Edi Ramës për poltronin e kryetarit: Ben Blushi.

Ka mjaftuar shkëndia e ndezur nga Blushi, që opinioni publik të risjellë në mendje sindromën e famshme të KPD-së së dikurshme, të një kohe kur partia më e madhe e të majtës nuk kishte një rivale të vogël brenda krahut të saj ideologjik dhe kur Ilir Meta i zhvillonte betejat me Nanon nga njëri kat në tjetrin, brenda godinës së partisë.

Ikja e LSI në vitin 2004 dhe dalja e partisë në opozitë një vit më vonë, i qetësoi ujërat në PS. Por vetëm përkohësisht. Pasi në dallim nga Fatos Nano që iku dhe nga Ilir Meta që krijoi strehën e tij politike, Edi Rama i zgjedhur në tetor 2005, kishte projektin e tij të qartë politik: atë lançimit brenda PS të një gjenerate të re drejtuesish, të cilët do të mbartnin stampën e tij politike. Një proces ky që nuk ka kaluar pa turbulenca dhe vrenjtje buzësh. Më së pari nga ana e Ben Blushit dhe përkrahësve të tij, e më tej akoma nga ana e brezit të vjetër të politikanëve që Rama gjeti në PS, me Gramoz Ruçin në krye.

Swiss Digital Desktop Reklama

Sot këto frymëzime alternative janë dobësuar, me forcimin gradual të Ramës dhe prurjet e reja që ai ka sponsorizuar në të gjitha shkallët e Partisë Socialiste. Por dy vjet qeverisje problematike dhe një sjellje përgjithësisht shpërfillëse e kryetarit ndaj strukturave të partisë dhe oponentëve të tij, ka bërë që zërat kundër të fillojnë të dalin nga letargjia politike. Dhe ku i dihet, kongresi mund të jetë momenti që Rama të përballet jo më me murmurimat nën zë të atyre që nuk e duan, por me diçka shumë më të organizuar. Me gjasë kryeministri po e ndjen dhe vetë pozitën delikate ku ndodhet, për pasojë ka shpejtuar të shuajë shpresat e rivalëve, përmes ndryshimeve në statut, që do e bëjnë të pa sfidueshëm mandatin e tij në krye të partisë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Gjithsesi klima në PS, dy vjet e gjysëm pas marrjes prej saj të frenave të qeverisjes, nuk është nga më të favorshmet. Me një bazë partie që ka jo pak arsye për të qenë e pakënaqur, me kundërshtarët brenda forumeve që po fillojnë të ngrenë zërin dhe të ashpërsojnë kritikat, si dhe me reformat e që po vonojnë të japin rezultate dhe akuzat në rritje për korrupsion e keqqeverisje, Rama do ta ketë më të komplikuar drejtimin e anijes së maxhorancës. Aq më tepër, në kushtet kur aleati kryesor në koalicion dhe opozita, po vijojnë të bëhen kërcënuese për stabilitetin e kabinetit të tij.

Në këto kushte, kongresi vjen në momentin më të papërshtatshëm, pasi një pjesë nga axhenda e maisur e problemeve rrezikon të derdhet rrezikshëm në foltoren e këtij forumi të lartë. Duke krijuar situata që sot është e vështirë të kalkulohen. (Java)

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?