Korrupsioni si vepër penale është strikt çështje fakti, jo llafesh

Nga Ylli Manjani

Kthehemi pak në vitin e dytë të studimeve në juridik. Tek mësimi mbi cilësimin ligjor të veprës penale. Për fat të keq duhet bërë shpesh ky ushtrim në ditët e sotme. Në tërësi veprat penale janë çështje fakti, jo llafesh mbi faktet. Korrupsioni është vepër penale që kërkon fakt, dmth para, plaçkë dhe favor në këmbim të saj. Korrupsioni pa fakt quhet thashethem. Komplikimi vjen nga fakti se nenet e Kodit Penal mbi korrupsionin lënë shteg për të dënuar edhe ofrimin, propozimin dhe kërkimin e parave, krahash dhënies e marrjes që është strikt çështje flagrance, pra fakti.

Dakord që ky është ligji, por pyetja është, a mund që të përdoret ky ligj për të gjykuar e dënuar persona për premtime, propozime apo kërkime në të shkuarën, siç ndodh sot rëndom kur vidhen përmbajtje bisedash nëpër celularë?! Nëse po, pra do lejohet kjo praktikë, siç po ndodh, praktikisht drejtësia penal po dënon thashethemaxhinj, jo të korruptuar. Pra po dënon njerëz për llafe, jo për fakte të provuara përtej dyshimit të arsyeshëm.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në gjykimin tim kjo mënyrë të vepruari, që sot justifikohet si praktikë gjysore, është thellësisht e gabuar. Ligji penal në këtë rast, pavarësisht sa defektoz është, po zbatohet gabim. Zbatimi korrekt i ligjit antikorrupsion kërkon strikt hetime proaktive me synimin e kapjes së të korruptuarave në flagrancë ose me fakt penal të kryer në çast. Pra nuk mund të ketë hetime për të gjetur një fakt në të shkuarën. Jo se është detyrimisht e ndaluar, por se është qartësisht e pamundur të gjendet.

Swiss Digital Mobile Reklama

Pra o e zë tani me presh në duar, ose i marsh opingat. Kjo është ideja. Për të shkuarën mund të ndërtosh vetëm hamendësime, por jo të gjesh faktin korruptiv. Me të shkuarën shkruhen e tregohen histori, nuk bëhet drejtësi. Korrupsioni si vepër penale është si armëmbajtja pa leje. Pra duhet të kapesh me armë në dorë, në brez apo në shtëpi që të dënohesh. (Përtej budallëkut tjetër penal që denohen njerëz për armë që si kanë parë me sy..)

Por llogjika e ndjekjes penale në këto vepra, pra edhe të korrupsionit është strikt fakti penal i gjetur, ose qoftë edhe i propozuar apo kërkuar. Çdo ndjekje penale jashtë kësaj llogjike është jashtë ligji, e padrejtë dhe që bazohet në konsiderata subjektive. Mendoj se i vetmi interpretim i drejtë i ligjit penal antikorrupsion është ai që e konsideron veprën penale të kryer tani e në në ardhmen. Rrëmimi në të shkuarën mund të jetë tipikisht për vepra të tjera penale, por jo për korrupsioni.

Ligji prandaj la përcaktuar edhe fazat e propozimit e kërkimit, me qëllim që nëse hetimi nuk arrin tek marrja e dhënie e plaçkës së korrupsionit, të paktën ke të provuar propozimit dhe kërkimin. Kjo është llogjika. Përndryshe, po u hyre propozimeve e kërkimeve që kanë bërë njerëzia në të shkuarën, je në botën e abuzimit. Fjalët e telefonave nuk mund të mjaftojnë. Duhet hetime proaktive që të çojnë në flagrancë. Kjo ka qenë arsyeja përse e krijuam prokurorinë e posaçme, pra që të bëjë hetime të posaçme ndaj subjekteve të posaçëm në mënyrë proaktie, e jo të sekuestrojë arkiva letrash e celularësh. Se ashtu edhe Ismail Qemali del i korruptuar.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?