Korrupsioni, virusi që shkatërroi aviacionin civil në Shqipëri

Petrit Sulaj
Petrit Sulaj

Nga Petrit SULAJ*

Pandemia e koronavirusit ka goditur rëndë ekonominë e gjithë shteteve. Aviacioni dhe turizmi, si pjesë e rëndësishme e ekonomisë së një vendi, pothuajse kanë aktivitet tërësisht të paralizuar. Zbatimi i masave të marra nga shtetet në mbarë botën për të izoluar territoret e tyre dhe për të minimizuar mundësinë e infektimeve, ka dëmtuar më tepër këta sektorë.

Nën presionin e pareshtur edhe të Organizatave Ndërkombëtare të Aviacionit, si IATA (Organizata Ndërkombëtare e Shoqërive Ajrore), Eurokontroll (Organizata Europiane e Trafikut Ajror) dhe EASA (Organizata Europiane për Sigurinë në Aviacion), për të sensibilizuar shtetet për të suportuar me ndihma konkrete duke financuar këtë aktivitet ekstremisht të domosdoshëm në jetën njerëzore, siç është aviacioni, shtetet kanë akorduar paketa ndihme të konsiderueshme ndaj shoqërive ajrore të vendeve të tyre. Ndihma të ngjashme janë parashikuar nga shtetet sovrane edhe ndaj agjencitë e shërbimeve të trafikut ajror, shërbime të cilat, gjithashtu po kalojnë një periudhë shumë të vështirë si rrjedhojë e ndërprerjes së fluturimeve në mbarë botën. Janë suportuar me ndihma financiare të konsiderueshme shumë shoqëri ajrore. Konkretisht, Air France ka përftuar nga shteti Francez një ndihme të pakondicionuar prej mbi 5 miliardë euro. Në ketë linjë ka vepruar dhe shteti Gjerman ndaj shoqërisë ajrore Lufthansa… e kështu me radhë në shtete të ndryshme të Europës dhe botës së zhvilluar.

Po cili është qëndrimi i shtetit shqiptar dhe institucioneve përkatëse për këtë situatë?

Përpara se të marrim në analizë qëndrimin e shtetit shqiptar përgjatë periudhës se pandemisë, ndaj aktivitetit në fushën e aviacionit, gjejmë me vend që paraprakisht të japim disa shpjegime të nevojshme për të evidentuar se cili është kontributi i drejtpërdrejtë i aktivitetit në fushën e aviacionit ndaj buxhetit të shtetit (kontribut qindra milionë eurosh) dhe a po ia shpërblen shteti kontributin e dhënë operatorëve në këtë situate të re të krijuar për sektorin??

Aviacioni është një aktivitet i cili kontrollohet nga tregu dhe nuk ka vartësi buxhetore nga shteti. Pra, shteti shqiptar nuk jep asnjë kontribut në vleftë monetare për aktivitetin në fushën e aviacionit. Përkundrazi, aviacioni kontribuon ndjeshëm në të ardhurat e buxhetit të shtetit shqiptar. Ky kontribut është sa i drejtpërdrejtë nëpërmjet taksimit (tatimi mbi të ardhurat nga pagat e punonjësve, TVSH për produktet e konsumit…etj,) po aq dhe i tërthortë nëpërmjet punëve dhe shërbimeve të kryera nga të tretë për nevoja të sektorit si dhe taksave doganore ndaj makinerive e pajisjeve teknologjike të importuara për nevoja të modernizimit në fushën e aviacionit. Pra, si dhe kuptohet, shteti është i interesuar që, brenda kuadrit rregullator, ta suportojë këtë sektor kaq të rëndësishëm të ekonomisë dhe të krijojë të gjitha kushtet lehtësuese dhe të kontribuojë në rritjen e efektivitetit të shërbimeve të ofruara në aviacion.

Situata sot

Shoqëritë ajrore kudo në botë, veç faktit se ato po ballafaqohen me një mungesë të theksuar të cash flow apo mungesës së fluksit të likuiditeteve që i pamundëson vetëfinancimin e nevojshëm për vazhdimësinë, gjenden edhe nën presionin konstant të pasagjerëve që kanë prenotuar paraprakisht për të udhëtuar në data të caktuara, të cilët për efekt të mbylljes totale të aktivitetit fluturues të shoqërive ajrore dhe mosmarrjes së shërbimeve të kontraktuara me shoqëritë ajrore, po i kërkojnë këtyre shoqërive rimbursimin e biletave të pashfrytëzuara, në këto kushte, shoqëritë ajrore po gjenden në pamundësi reale për të shlyer detyrimet e tyre ndaj ofruesve të shërbimeve aeroportuale apo trafikut ajror duke krijuar kështu një efekt domino. Në këto kushte, shtetet sot po adoptojnë forma të ndryshme financimi në mënyrë të drejtpërdrejtë apo nëpërmjet kreditimeve dhe faljes së taksave për këto shoqëri për të shmangur sa më shumë rrezikun e falimentimit. Shoqëritë ajrore, mbajtëse të flamurit shqiptar, Albawings dhe Air Albania, deri tani nuk kanë patur asnjë suport finaciar nga shteti shqiptar, por janë organizuar në mënyrat e tyre duke marrë masat shtrënguese në pritje të rifillimit të aktivitetit.

Tirana International Airport (TIA), apo koncesionari i aeroportit të Tiranës “Nënë Tereza”, është ofruesi i shërbimeve aeroportuale ndaj shoqërive ajrore dhe pasagjereve. Kriteri bazë i punës së tyre është ruajtja e parametrave të sigurisë dhe cilësia e shërbimeve të ofruara. Për fat jo të mirë, në periudhën e 3 apo 4 viteve të fundit, në drejtim të sigurisë kanë ndodhur ngjarje të rënda dhe konkretisht, 2 grabitje të njëpasnjëshme me armë brenda perimetrit të brendshëm të aeroportit dhe ekzaktësisht në vendqëndrimin e avionit, duke vënë kështu në rrezik jetën e udhëtarëve dhe të vetë avionin në përpunim, veç dëmit material nga grabitja e shumave. Ky fakt ka demonstruar se institucionet përgjegjëse për mbarëvajtjen e operimeve të sigurta në aviacion, kanë dështuar. Një përgjegjësi të madhe e të padiskutueshme në këtë drejtim ka patur Autoriteti i Aviacionit Civil, i cili ndër vite është keq menaxhuar nga njerëz pa integritet profesional e moral, por të emëruar në këto vende për shkak të lidhjeve klienteliste dhe korruptive. Autoriteti i Aviacionit Civil ka kërkuar gjatë gjithë kohës të shmangë përgjegjësitë e veta. Ish-drejtori i këtij institucioni tashmë i “dorëhequr”, me kast i zëvendësoi punonjësit e kualifikuar të fushës me njerëz pa asnjë përvojë në aviacion, duke krijuar përsëri gjendjen që shkruhej në raportet e BE për vendin tonë, se Shqipëria nuk i ka kapacitetet teknike për të ushtruar funksionet mbikëqyrëse në aviacion dhe varet nga ekspertët e huaj. Theksoj se në vitin 2013-2014, Shqipëria arriti ta përmbushte këtë kriter me specialistë tejet të aftë të fushës, por tashmë këta specialistë janë të larguar për shkak të ish drejtorit “kokë-pilluar” që e detyruan të dorëhiqej. Mjafton të lexoni raportet e BE të këtyre viteve dhe do e kuptoni katrahurën e bërë me stafin profesional të aviacionit civil shqiptar.

Në këndvështrimin financiar, TIA konsiderohet të jetë një ndër ndërmarrjet elitare të aktiviteteve prodhuese në vend. Në bazë të një auditimi ekonomik të bërë nga eksperti i pavarur i auditimit BDO, rezulton se TIA ka tejkaluar në mënyrë të ndjeshme pritshmëritë e të ardhurave të parashikuara në skenarin e miratuar në marrëveshjen konçesionare. Shuma e fituar, mbi pritshmeritë është 84 mln Euro, ndërsa aksionerët e saj kanë shpërndarë 66 mln euro më shume dividend nga ky skenar, duke sjell dëm financiar për shtetin si pjesëmarrës në fitim, por OSHA (Organi Shtetëror i Autorizuar, Ministria e Transportit + Ministria e Ekonomisë) PIU (Njësia e Zbatimit të Projektit në Ministrinë e Transportit) si Autoriteti i Aviacionit Civil Shqiptar thjesht kanë qenë të paaftë, për të mos thënë ndonjë fjalë tjetër më të rëndë. Në vitin 2019, në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” kanë qarkulluar afërsisht rreth 3 milionë pasagjerë dhe, duke ju referuar shifrave, TIA duhet të kishte filluar fazën e tretë të zhvillimit të aeroportit (rritjen e kapaciteteve përpunuese nëpërmjet zgjerimit të terminalit të pasagjerëve dhe hapësirave aeroprtuale) që prej vitit 2018. Sipas ligjit nr. 9412, dt. 11.11.2004 “Për ratifikimin e marrëveshjes së konçesionit” Ministria e Ekonomisë dhe ajo e Transportit, janë organet shtetërore të autorizuara për zbatimin dhe ndjekjen e kësaj kontrate për llogari të Këshillit të Ministrave, gjë që nuk është bërë. As Autoriteti i Aviacionit Civil, i cili ka për detyrë të kontrollojë performancën e aeroportit dhe zbatimin e kritereve ndërkombëtare në lidhje me përpunimin e pasagjerëve, nuk e ka kryer funksionin e tij. Kjo është dhe arsyeja që sot në aeroport mbizotëron kaosi dhe kemi vonesa të fluturimeve gjatë sezonit të lartë. Kapacitetet përpunuese të aeroportit tashmë janë ezauruar si dhe hapësirat përpunuese janë zvogëluar, pasi rritja e numrit te pasagjerëve nuk është shoqëruar me investimet e nevojshme nga TIA. Pra, jemi jashtë çdo standardi.

Ofruesi i shërbimeve te navigimit ajror, Albcontrol sh.a., ish-ANTA sh.a. është një ndërmarrje aksionere me kapital 100% shtetëror që ushtron aktivitetin e vet në përputhje me kërkesat e standardet europiane. ANTA sh.a. sot Albcontrol sh.a., që nga viti 2012, mbas përfundimit me sukses të plotë te projektit për modernizimin e hapësirës ajrore të Republikës së Shqipërisë, projekt i realizuar në bashkëpunim me kolosin amerikan “Lockheed Martin”, e cila është kompania më e madhe në botë për sa i përket industrisë së aviacionit, është konsideruar nga ky moment një ndër institucionet e pakta në vend me parametra tërësisht europiane, gjë e përmendur vazhdimisht në raportet e BE të viteve 2013, 2014. Ky institucion është i vetmi në Shqipëri, dhe nga të rrallat në botë që u certifikua me 6 standardte ndërkombëtare të cilësisë dhe sigurisë njëkohësisht. Godina moderne (salla operacionale dhe kulla e komandimit) si projekt i Lokheed Martin, teknologjia e nivelit më të avancuar të kohës dhe investimet bëra në fushën e burimeve njerëzore, kryesisht në personelin e kontrolloreve të trafikut ajror dhe në personelin inxhiniero-teknik, bënë që ANTA sh.a. të konsiderohej qendra nga më modernet e kontrollit të trafikut ajror të kohës mes vendeve fqinjë të Shqipërisë dhe jo vetëm. Që nga ky moment e në vazhdim, vëllimi i trafikut dhe numri i fluturimeve (kryesisht mbikalimet nëpërmjet hapësirës ajrore të Republikës së Shqipërisë) kanë ardhur gjithmonë në rritje nga viti ne vit. Si rrjedhojë, institucioni ka patur gjithnjë gjendje të mirë financiare. Nuk është qëllimi i këtij artikulli të marrë në analizë manaxhimin financiar të Albcontrol sh.a. përgjatë këtyre viteve, por nuk mundet të lëmë pa përmendur faktin se mungesa e fondeve për të menaxhuar në normalitet situatën e pandemisë për arsyen e mos angazhimit të shumave/fondeve të nevojshme ndër vite për të krijuar “fondin e emergjencës”, bën të mendojmë për një keq menaxhim financiar. Ky fond sot do duhej të vihej në dispozicion në mënyrë që të sigurohej vazhdimësia për mirëmbajtjen e kushteve teknike të aparaturave të kontrollit të trafikut ajror, si dhe pagat e stafit të specializuar. Sot, Albcontrol sh.a. mendohet të jetë në një situatë të mungesës se likujditetit. Kjo gjë dëshmohet thjesht me faktin se, me porosi nga lartë, Këshilli Mbikëqyrës i Albcontrol sh.a. nëpërmjet vendimit të pa formalizuar nr. 1, date 24.04.2020, ka vendosur në shkelje të ligjit uljen në mënyrë drastike të pagave të punonjësve për një kohë të papërcaktuar, deri në kthimin e normalitetit të situatës financiare të shoqërisë, si dhe pezullimin e gjithë të drejtave me efekte financiare të fituara me kontratën kolektive. Mos vallë një situatë e tillë është bërë me qëllim të ndonjë privatizimi të mundshëm si dhe përflitet?

E njëjta situatë dhe për Autoritetin e Aviacionit Civil. Në mënyrë të vullnetshme dhe për paaftësi totale të ish-drejtorit të katapultuar jashtë çdo imagjinate në këtë pozicion, Autoriteti i Aviacionit filloi të degradojë pjesë pjesë deri në prag shkatërrimin së Institucionit. Efektivisht, përgjatë periudhës në detyrë, ky ish-drejtor i “dorëhequr” ndërmori hapa antiligjore dhe të dënueshme për largimin e pjesës më të madhe të ekspertëve dhe specialistëve me eksperiencë shumë vjeçare, për të cilët shteti shqiptar dhe institucioni kanë investuar miliona euro për aftësimin e trajnimin e tyre, duke i zëvendësuar ata me njerëz anonim pa asnjë “background” në aviacion dhe jashtë çdo kriteri. Thjesht u punësuan shokë e miq të familjes, të cilëve ju mundësua formalizimi i vendit të punës nëpërmjet konkurseve false, ku emri i fituesit dihej përpara ditës së konkurrimit. Auditimi i KLSH-së i fundvitit 2019, u bë shkak që dhe të japë dorëheqjen. Sjellim në vëmendje se, nga ky auditim, ish-drejtori konstatohet të ketë sjellë një dëm ekonomik për institucionin në vlerën 5 mln euro dhe për këtë arsye theksohet se ka indicie të plota për t’u proçeduar penalisht. Dëshiroj të sjell në vëmendje të lexuesit gjithashtu, se veç dëmit financiar të sipërpërmendur, mbi të rëndojnë edhe shuma monetare që institucioni do të duhet të paguajë për efekt të largimeve të pajustifikuara ligjërisht të ekspertëve dhe specialistëve. Largimet nga puna përllogariten ti kushtojnë AAC-se rreth 350-400 mijë euro. Dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë dëm të krijuar. Ligji për administratën publike citon se kush dëmton, duhet të dëmshpërblejë. Situata në Autoritet sot është e tillë, sa kthimi i institucionit në normalitet do të duhet të konsiderohet sukses. Kjo duhet të jetë dhe detyra kryesore e Drejtuesve të rinj të sapoemëruar. Institucioni ka aftësi të përballojë financiarisht ketë situatë pandemie, por dhe këtu si dhe në Albcontrol sh.a. me kërkesë nga lartë, Këshilli Drejtues i AAC-së, ka vendosur që në shkelje të ligjit, nëpërmjet vendimit të paformalizuar nr.1, date 24.04.2020, të ulë pagat e punonjësve të AAC-së në masën 30% për një periudhë të pacaktuar.

Gjykoj se është koha që punonjësit e institucioneve shtetërore të AAC-së dhe Albcontrol sh.a., ata që e ndjejnë veten specialistë të vërtetë, të cilët gjithmonë janë solidarizuar në mënyrë vullnetare me situatat e vështira që ka kaluar vendi dhe kanë dhënë kontributin e tyre të vlerësueshëm në ndihme të shoqërisë, të mos pranojnë zbatimin e vendimeve të paligjshme të marra a priori me porosi nga nivelet e larta shtetërore. Një veprim i tillë nga ana e shtetit është jo i duhur në kushtet kur këta punonjës janë kaq shumë të rëndësishëm në ushtrimin e detyrave specifike, siç është aviacioni. Mundësimi i qetësisë shpirtërore dhe moscenimi i kushteve të jetës së tyre për të mos krijuar stres të panevojshëm për ta, është kriter për një aviacion të sigurt nesër kur të rinisin operimet.

Dhe në mbyllje, urojmë që të gjithë së bashku ta kalojmë me sa më pak dhimbje këtë situatë të pazakontë të pandemisë Covid-19 dhe njerëzit të kthehen në normalitetin e jetës së tyre të përditshme, duke uruar dhe besuar që SPAK dhe organet e tjera ligjzbatuese të vënë dorën mbi këtë kasaphanë të bërë mbi institucionet e aviacionit të pushtuar nga drejtues të paaftë dhe të korruptuar.

P.S. Shpresoj që në mënyrë figurative mos ndodhë që Qeveria të marrë për vete Tepsinë e Bakllavasë dhe aviacionit ti mbetet çanaku i trahanasë.

*Ish-Drejtor i Përgjithshëm i ANTA sh.a.  

SHKARKO APP