Kosova bëri mirë që bojkotoi takimin e minishengenit në Tiranë

Ballkani e injoron, Kosova e bojkoton takimin e ‘mini-shengenit’ Ballkanik në Tiranë

Prof. Lisen Bashkurti
Sot dhe nesër vijnë për t’u takuar në Tiranë përfaqësuesit e lartë të Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, trojka Vucic-Rama-Zaev, për të vazhduar bisedimet e nisura në Novi Sad dhe në Ohër pak kohë më parë për të shtyrë idenë e mini-shengenit Ballkanik. Për të tretën herë radhazi trojka e mini-shengenit Ballkanik po rreket, sikundër këto ditë në Tiranë, që të lancojë këtë iniciativë, por mjerisht pa kurrëfarë suksesi.
1.Përse injorim rajonal
Trojka e lartpërmëndur Vucic-Rama-Zaev, po përpiqet ta mbajë gjallë këtë iniciativë, por mesa duket në mënyrë krejtësisht të pasukseshme. Arsyeja kryesore e dështimit spektakular të deritanishëm vjen nga mënyra sesi është përgatitur, lancuar dhe po vijon të mbahet kjo iniciativë mjaft kontraverse, e nisur nga lart-poshtë, e paraqitur në mënyrë deklarative, pa një strategji të qartë e të dakorduar, pa qëllim të harmonizuar, pa objektiva të pranuara rajonalisht, pa konsultime paraprake mbi draft-marrëveshjen e synuar, pa grupe punuese të përbashkëta të palëve pjesëmarrëse, e për rrjedhojë krejtësisht e pambështetur nga shumica e vëndeve të Ballkanit.
Iniciativa e trojkës Vuci-Rama-Zaev ka nisur rrugën pa krye të mini-shengenit Ballkanik duke mos respektuar të drejtën ndërkombëtare dhe praktikën botërore për iniciativa të tilla shumëpalëshe. Bazuar në të drejtën dhe praktikën ndërkombëtare, takimet ndërkombëtare ose rajonale mblidhen me iniciativën e një apo më shumë shteteve, ose bazuar në vendimin e një organi ndërkombëtar të subjektivizuar. Në takime të tilla marrin pjesë vetëm shtete të pavarura. Në takimë të tilla marrin pjesë shtete tek të cilat ekziston pajtimi për pjesëmarrje. Pjesëmarrja ose jo është vendim-marrje e drejtë e shteteve sovrane. Askush nuk mund të detyrojë një shtet sovran që të marrë pjesë në një takim ndërkombëtar.
Thirrjes së takimeve ndërkombëtare i paraprijnë konsultime të shteteve të interesuara lidhur më qëllimin e takimit, me cështjet që do trajtohen, me vëndin dhe kohën e takimit, me rendin e ditës dhe procedurat punuese. Për të gjitha këto parapërgatitje, shteti ose shtete thirrëse e organizuese të takimit bëjnë përgatitjet paraprake me grupe punuese, draftojnë materialet, të cilat i paraqiten me shkrim shteteve që ftohen dhe që marrin pjesë në takim me qëllim që t’i studiojnë paraprakisht e bazuar në to të mbajnë qëndrimet e të marrin vendimet e tyre për takimin. Në iniciativa të tilla multilaterale, vendimet nevojiten të merren me unanimitet, cka parakupton se palët janë njohur, kanë analizuar dhe janë dakorduar në avancë për marrëveshjet që do formalizohen.
Mbas këtij parashtrimi referuar në të drejtën ndërkombëtare dhe praktikën botërore për takimet ndërkombëtare shumëpalëshe dhe nismat rajonale, dhe krahasuar me mënyrën sesi ka nisur dhe po procedohet nga trojka Vucic-Rama-Zaev me mini-shengenin Ballkanik, vërehet qartësisht si nisma nuk respekton të drejtën ndërkombëtare dhe praktikën botërore. Një procedim i tillë nuk përfill shtetet sovrane, të drejtat e tyre, interesat që ato kanë.
Një procedim i tillë nga shtetet nismëtare, nuk ka frymë demokratike dhe procedurë transparente në të gjithë përmbajtjen e tij, duke nisur nga qëllimi, objektivat, cështjet që do diskutojë dhe vendimet që do marrë. Kjo frymë jo demokratike dhe aspak transparente duket në faktin se po bëhet samiti i tretë në Tiranë dhe, përvec një teksti parimesh deklarative të publikuar mbas takimit të Ohrit, nuk ka asnjë material tjetër substantial, të cilin shtetet e Ballkanit Perëndimorë mund ta lexojnë, ta analizojnë, ta studiojnë me qëllim për të marrë vendimet e tyre përkatëse.
Fakti që nuk ka material substancial mbi iniciativën e trojkës, i ka bërë shtetet e Ballkanit Perëndimorë të jenë skeptike për këtë iniciativë dhe ta injorojnë atë për të tretën herë radhazi. Arsyet për mungesën e një draft-materiali substancial përmbajtësor për qëllimin, objektivat, cështjet apo problemet themelore që do diskutohen, dokumentat që do dokordësohen dhe ato që synohet të formalizohen, mund të jenë të ndryshme. Por, ajo që mund të thuhet është fakti se një procedurë e tillë, që nuk përfill të drejtën ndërkombëtare dhe praktikën botërore për takime e iniciativa shumëpalëshe si dhe nuk ndjek procedurat demokratike dhe transparente, e ndjekur nga trojka Vucic-Ram- Zaev deri tani, është praktikë e kulisave tradicionale të qëndrave dominuese Ballkanike apo e kurtheve të doktrinave Serbo-madhe dhe e diplomacisë së vjetër konspirative. Injorimi në nivel Ballkanik i nismës së Trojkës Vucic-Rama-Zaev tregon më së miri që vëndet e pavarura, sovrane dhe demokratike të Ballkanit nuk pajtohën me këto reminishenca të doktrinave të vjetra, kulisave të rrezikshme dhe diplomacisë së konspirative historikisht të tejkaluar.
2.Përse bojkotim nga Kosova.
Vështruar nga interesat mbarë shqiptare, shqetësimi më i madh dhe dështimi më spektakular i nismës së trojkës Vucic-Rama-Zaev është bojkotimi i samitit nga Kosova. Kosova është nyja e cështjes shqiptare në Ballkan, sikundër është edhe sfida kryesore për arritjen e stabilitetit përfundimtar të këtij rajoni. Prej 11 vitesh Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, i njohur nga shumica e Fuqive të Mëdha, nga shumica e shteteve demokratike të konsoliduara dhe nga më shumë se 100 anëtarë të Kombeve të Bashkuara. Kosova është refuzuar si shtet i pavarur dhe sovran nga Serbia, Rusia, Kina, nga shtete në zhvillim, me sisteme hibride ose tërësisht jo demokratike.
Prej 11 vitesh Kosova ka arritur të konsolidojë shtetin e saj, bazuar në parime të larta demokratike, ka krijuar stabilitet brënda saj dhe i ka kontribuar stabilitetit në rajon. Kosova ka bërë gjithë përpjet e saj për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, por për shkak të kësaj të fundit, nuk ka rarritur suksesin e dëshiruar.
Si shtet i pavarur dhe sovran Kosova bën politikën e saj publike, të brëndshme dhe të jashtme. Ajo i merr vetë vendimet e saj, bazuar në kushtetutë, në shërbim të interesave të shtetit dhe të qytetarëve të saj si dhe dakodësim me miqtë dhe aleatët e saj më strategjik ndërkombëtar.
Kosova e ka bojkotuar plotësisht me të drejtën e saj sovrane iniciativën e trojkës Vucic-Rama-Zaev për mini-shengenin Ballkanik. Kosova ka shumë arsye për këtë bojkot. Së pari, Kosova nuk pajtohet në parim që mini-shengeni të nisë nga Beogradi, përsa kohë, nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, të barabartë në nismat rajonale.
Së dyti, Serbia vijon të ketë pretendime territoriale ndaj Kosovës, pretenim që është shpalosur në iniciativat për ‘shkëmbime territoriale’,’ndryshime kufijsh’, etj. Përsa kohë Serbia nuk njeh kufirin ekzistues të Kosovës, nuk mund të bëhet fjalë për konceptin e shengenit për heqjen e kufijve. Pa ekzistuar dhe njohur kufijtë nuk mund të flitet dhe të vendoset për heqjen e tyre. Ndryshe, Kosova rikthehet në kufijtë administrativ brënda kufijve politik të Serbisë.
Së treti, Kosova ka të drejtë në bojkotin e trojkët Vucic-Rama-Zaev, sepse Serbia ka firmosur disa marrëveshje me Kosovën, madje me ndërmjetësim të BE, por i ka shkelë ato akoma pa u tharë firma e tyre. Bazuar në këtë përvojë të hidhur, kur as BE nuk ka arritur të imponojë implementimin e marrëveshjeve Serbi-Kosovë, aq më pak askush nuk mund të garantojë zbatimin e marrëveshjeve midis lojtarëve aspak luajal Ballkanik.
Së katërti, Kosova ka të drejtë që ta bojkotojë trojkën Vucic-Rama-Zaev, në një kohë kur përfaqësuesi Serb në këtë iniciativë, Vucic, në vënd që t’i kërkojë falje publike ndërkombëtare popullit të Kosovës për krimet dhe genocidin e bërë ndaj tij në të kaluarën e afërt, injoron plotësisht ato, madje akuzon diplomacinë Perëndimore për trukim të masakrës së Recakut.
Deklarata e Vucic e para pak ditëve, në mohim të masakrës së Recakut, është rikthim i tij tek vetevetja, është zbulim i botkuptimit të tij, është fyerje e rëndë dhe provokim maksimal për Kosovën, popullin e saj dhe për mbarë popullin shqiptar, sikundër është injorim dhe fyerje për politikën dhe diplomacisë Perëndimore dhe shkelje flagrante e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut për krimet e luftës dhe genocidin.
Kosova, përfaqësuesit e saj, sikundër edhe cdo përfaqësues legjitim i popullit shqiptar nuk mund dhe nuk duhet të ulet në tryeza bisedimesh me mohuesin e masakrës së Recakut. Më e pakta, Vucic duhet të kërkojë falje publike për mohimin e masakrës së Recakut, e më tej, Serbia duhet t’i kërkoj falje publike ndërkombëtare popullit të Kosovës për gjithë krimet e luftës dhe genocidin e kryer në Kosovë.
3. Pwrse dështim spektakular?
Për të tretën herë radhazi trojka Vucic, Rama, Zaev, respektivisht përfaqsues të Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut po rreken të lancojnë iniciativën për mini-shengen Ballkanik. Por zëri i trojkës, megjithë emrin e bukur e të huazuar ’shengen’, megjithë pompozitetin ceremonial e protokollar, megjithë retorikën propogandistike, me gjithë buzeqeshjet e ngrira, megjithë shterngimet e nxehta të duarve, sërish ka ngelur një zëri i një trojke të vetmuar.
Zotërinj Vucic, Rama e Zaev, rruga për të shengeni fillon me kërkim falje për gjynahet ndaj njëri-tjetrit, vazhdon me njohjen reciproke, më tej ecën me pajtim, zhvillohet me ngjallje respekti te ndërsjelltë, shkon drejt normalizimit e në fund ngrihet në nivelin e miqësisë. Pra hapat paraprak drejt shengenit janë: falje, respekt, pajtim, normalizim, njohje, miqesi!
Akoma më tej, Zotërinj Vucic-Rama-Zaev, pa miqësi fqinjësore, pa stabilitet të brëndshëm e rajonal, pa sundim të ligjit, pa luftë kundër krimit e korrupsionit, pa respekt për të drejtat e njeriut dhe të pakicave, pa zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, nuk ka shengen Ballkanik!

SHKARKO APP