Kosova s’i shpëton dot… Serbisë
Nga Ben Andoni/Frika më e madhe e 1 Shtatorit në Kosovë ka qenë që nga parashikimi për shpërthimin e dhunës dhe deri te kalimi në parlament i Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Kjo e dyta mund të konsiderohet tashmë si shkaku kryesor i tollovisë politike së muajve të fundit. Për fat, dhuna është evituar nga arrestimet në kohë të policisë dhe gatishmëria e lartë e saj, kurse Demarkacioni, ashtu si nuk ishte marrë me mënd, nga largimi i Listës Srpska, formacionit të bashkuar politik të serbëve të Kosovës. Kjo e fundit ka nxjerrë si shfajësim sigurinë e saj, por dukshëm është kuptuar se në këtë moçal ku është Kosova, ajo po e bën e qetë lojën e saj për ta ngritur stekën e kërkesave. Ndërkohë që palët kosovare i kanë bërë hosana vetes dhe liderëve të tyre, përveç Vetëvendosjes, që e ka konsideruar si fitore të të gjithëve.
Sa e vërtetë është?! Kuptohet qartë se Lista Srpska dhe strukturat e qeverisë legale serbe do t’ja bëjnë më të vështirë jetën Kosovës. Jo për gjë, por këtej e tutje me shkallëzimin e bisedave dypalëshe të të Brukselit, Kosova në çdo veprim do ta ketë gjithnjë e më shumë dihatjen serbe pas.
Vështirësia e parë, pas negociatave të reja të brendshme për Demarkacionin, do jetë koncesioni që do kërkohet për krijimin e Asosiacionit të komunave serbe, kurse e dyta janë një varg kërkesash, që janë frikshmërisht të rënda për amullinë ku gjendet sot Kosova. Sllavko Simiç, lideri i Listës Srpska, i ka kërkuar anëtarëve të Qeverisë së Kosovës (shqiptarë dhe serbë) që të përmbushen premtimet serbe, ku ata duan hapësirë në 20 lokacione të kompanisë mobile serbe, MTS DOO; postin e zëvendësshefit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës ta ketë një person nga komuniteti serb; më parë, kur Thaçi udhëhiqte vetë procesin e Demarkacionit dhe madje edhe kish firmuar në këtë marrëveshje, Lista Srpska kërkonte një zëvendës serb të Avokatit të Popullit në Kosovë; zëvendësdrejtorin e Bankën Qendrore të Kosovës; një këshilltar në Presidencë e kështu me radhë.
Ndërkohë që Vetëvendosja, partitë e tjera të Opozitës dhe Qeveria po hahen se kush kap më shumë nota patriotizmi, serbët po shtrijnë me kujdes dhe maturi forcën e pushtetit të tyre paralel. Është thjesht një make-up ajo që thuhet për Veriun e Mitrovicës, sipas të cilës është hapur Ura. Tashmë ajo pjesë e Mitrovicës, s’do ketë më asnjë interes, sepse serbët e kanë menduar me kujdes edhe këtë, duke i dhënë frymë në segment tjetër qytetit. Ca më keq akoma, dhe një eksperiment që bëri znj. Brovina, negociatorja kosovare, duke u ulur në një kafe pak metra tej Urës, ditën tjetër kafja me pronar serb u dogj.
Por, ajo që e bën Beogradin më të fuqishëm dhe serbët e Kosovës më të faktorizuar është se kosovarët shqiptarë të qeverisë i mendojnë tashmë si negociatorë dhe për problemet e tyre. Në mediat kosovare flitet për një takim të shefit të zyrës së Kosovës në qeverinë e Beogradit Marko Gjuriç, i cili pritet të takohet në orët në vazhdim me përfaqësues të PDK-së me shumë gjasa për të vendosur për fatin e votimit në ditët në vijim të Demarkacionit. Kjo do të thotë shumë. Ndaj, ndërsa parlamenti kosovar ka bërë një hap pas me miratimin e Demarkacionit, tashmë po konsolidohet dhe po faktorizohet edhe më tej grupi serb, që do e bëjë më të lehtë se më parë miratimin e Asosiacionit të komunave serbe, e më shumë se kaq, tani e tutje Serbia do jetë shumë më e pranishme në Kosovë, në një mënyrë apo tjetër.
Cinikët mund të pretendojnë se Serbët janë edhe tani bajagi prezent, por Kosovarët s’duhet të harrojnë se kanë pasur të gjithë mundësinë deri më tani, që me atë asistencë ndërkombëtare të bënin një rrugë për shtetin e tyre që të kishte vizione më largpamëse, por duket se u pëlqen që t’i kushtëzojnë. Mallkimi i pakos së Ahtisarit vijon me kushtëzime të tjera.
Ai që mund ta pësojë në këto momente është mbase Komisioni Shtetëror, por që të bëhet kjo, pra të nisë nga fillimi procesi i Demarkacionit, do energji pafund dhe kjo sjell për inerci dhe kalimin në disa shkallë deri në zgjedhjet e parakohshme, një gjë që nuk e do askush në Kosovë, veç Opozitës. Shtojmë se edhe Mali i Zi nuk është më aq dashamir, që të negociojë për Demarkacionin, pas kësaj kakofonie zërash të Kosovës. Paradoksi është se nuk ia ka dalë dot zëri i krerëve më të lartë të Uashingtonit dhe Brukselit, por mbetet që rruga më e afërt të jetë Beogradi, ai që tashmë ka filluar t’i qesëndisë paq kosovarët dhe madje të bëjë edhe rolin e qetësuesit. Në këtë udhë që askush s’ka dashur të shkohet në Kosovë, por që duket se mençuria e ithët e institucioneve serbe e ka hedhur poshtë pasionin patetik patriotik të kosovarëve që i kërkojnë çështjet vetëm për pikë. E sa për popullin? Kujt t’i besojë vallë!? Ai, ndërkohë rri, e vështron sesi serbët po bëhen gjithnjë e më shumë faktorë në Kosovë. (Javanews)