Krimi i organizuar/ Përse ambasadori Lu hesht për Edi Ramën

Ambasadori amerikan Donald Lu u ra fort këmbanave të alarmit sot: “Situata e krimit të organizuar në Shqipëri është e rëndë; shqiptarëve u ka ardhur në majë të hundës me kriminelët në politikë; korrupsioni është në nivele të larta; Shqipëria ka nivelin më të ulët të arrestimit për rastet kriminale; bosët e krimit lëvizin të lirshëm për shkak të lidhjeve të tyre me njerëz me ndikim”.

Le t’i marrim me radhë në përpjekje për hedhur dritë sadopak mbi arsyet se përse Shqipëria gjendet në këtë situatë.

Si rast për fuqizimin e krimit të organizuar dhe lirshmërinë me të cilët lëvizin kriminelët ai mori sërish Emiljano Shullazin.

Shullazi është akuzuar nga opozita si krahu i djathtë i Minitrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Është akuzuar si “krimineli i i privilegjuar”; nuk u arrestua kur u përplas me armë më 5 janar 2015 në Qafë Kashar; gjurmët e barutit të gjetura në dorë u tha se i kishin ardhur ngaqë ishte ngrohur pranë një zjarri dhe ishin shenjat e tymit.

Nuk u arrestua kur kërcënoi kreun e opozitës. As kur kërcënoi një diplomat të njohur. Edhe kur u ndalua pasi kërcënoi rektorin e UT, Dhori Kule dhe kandidatin për rektor, Mynir Konin që të tërhiqej nga gara, ishte këmbëngulja e prokurorisë ajo që e mbajti pas hekurave.

Burime të lapsi.al thanë në atë kohë se drejtues të lartë të policisë ishin kundër arrestimit të Shullazit. Ata drejtues janë ende sot në detyrë. Edhe kur u shoqërua për në polici, opozita tha se u njoftua paraprakisht që të pastronte shtëpinë pasi do t’i bëhej kontroll.

Vetë ambasadori ka shprehur habi se si një emër i tillë, i akuzuar edhe për gjobëvënie e kërcënim nga një biznesmen me pasaportë amerikane, kishte kaq shumë pushtet e lëvizte lirëshëm pa i hyrë gjëmb në këmbë.

Arrestimi i tij u krye kur Edi Rama dhe Saimir Tahiri gjendeshin në vizitë ne SHBA. Debati në parlament mbi prangosjen e Shullazit la krejt në hije edhe takimin mes Ramës dhe presidentit Obama. Kjo, sa për të treguar rëndësinë që pati emri i Shullazit në politikë.

***

Kriminelët në politikë janë përmendur si fenomeni më i rëndë në historinë politike postkomuniste shqiptare edhe në raportin e vitit të kaluar të Departamentit Amerikan të Shtetit, ku vihej theksi te fakti se një anëtar i kuvendit të Shqipërisë ishte i dënuar për prostitucion. Ky deputet, siç kishin faktuar dokumentet e drejtësisë italiane të publikuara nga opozita, ishte përfaqësuesi i Partisë Socialiste në Lezhë, Arben Ndoka.

Partia Socialiste nuk pati guximin ta përjashtonte nga grupi parlamentar. E pranoi atë pavarësisht alarmit të Uashingtonit, deri sa ai vendosi të ikte vetë, kur ligji për dekriminalizimin ishte në prag të votimit dhe ai do të prekej prej tij.

Shqiptarëve u ka ardhur në majë të hundës me të tillë personazhe, – thotë ambasadori Lu. Por Arben Ndoka, që u largua nga parlamenti, është sërish në politikë. Ai është eksponenti kryesor i PS në Lezhë, merr pjesë në aktivitete te qeverisë në këtë qytet, është i pranishëm në prezantimin e prefektit të ri, së fundi është angazhuar edhe në fushatën elektorale në Dibër.

Se kush i solli dhe po i mban të tillë personazhe në politikë, ambasadori amerikan s’e gjen me vend të tregojë gishtin nga përgjegjësi. Kur dëshiron, ai di të jetë konkret.

Kur në parlament është folur për kriminelët në politikë, deputetë të rëndësishëm të kuvendit, përfshirë edhe Ben Blushin e PS, e kanë drejtuar gishtin nga Edi Rama. Si në rastin e Elvis Roshit. Kryebashkiaku i Kavajës është faktuar se ka qenë i dënuar për përdhunim në Itali, por qeveria nuk e shkarkon nga detyra. Ai është në gjendje arresti, por Edi Rama e mban në drejtimin e bashkisë së Kavajës. Kryeministri ka pranuar publikisht kur është pyetur për Ndokën apo Roshin: Do të kishte bërë të njëjat zgjedhje nëse koha do të ishte kthyer pas.

***

Nëse ndalemi tek arrestimet e kriminelëve, mjafton të shohësh operacionet antikanabis. Ashtu sin ë Lazarat, ku përpara drejtësisë nuk u dërgua ndonjë “peshk i madh”, por ata “u përfaqësuan” nga Gatja, edhe në aksionet e këtyre ditëve në pranga janë vënë fshatarë e barinj, të cilët, në rastin më të keq kanë qenë të punësuar. Organizatorët, financuesit, kultivuesit e trafikantët, janë të lirë. Si mund t’i arrestojë policia kur drejtues të saj, sipas një raporti të SHISH, janë bashkëpunëtorë të kultivuesve e trafikantëve?

Vrasje të tipit mafioz, rreth të cilave kanë dalë vazhdimisht emra punonjësish policie, kanë mbetur pa u zbardhur apo me autorë në arrati. Një prej të akuzuarve si narkotrafikanti më i madh në jug të vendit, Klemend Balili, ish –drejtor i Transporteve të Sarandës, nuk u arrestua nga policia shqiptare, ndonëse kërkohej nga drejtësia greke. Policia shqiptare konstatoi vetëm se ai ishte larguar, ndonëse Balili organizoi një konferencë shtypi ku njoftonte dorëheqjen, pak ditë pasi emri i tij doli në mediat greke.

***

Nëse bosët e krimit lëvizin lirshëm, kjo ndodh vetëm për shkak të lidhjeve të tyre me njerëz të pushtetshëm, ashtu siç me të drejtë konstaton amabasadori i SHBA. Rasti më flagrant ishte ai të kërkuarit për trafik droge nga autoritetet shqiptare dhe italiane pas një operacioni të përbashkët në Lezhë, Bardhok Pllana.

Një raport sekret i policisë, i publikuar nga lapsi.al dhe ABC News, në mars të vitit 2015, vërtetonte se në tetor të vitit 2014, Pllana i kishte shpëtuar policisë pasi ishte strehuar në makinën e deputetit të mazhorancës, Mark Frroku. Raporti i policisë tregonte se makina e deputetit ishte ndaluar nga njësitë e antidrogës, por deputeti Frroku nuk kishte lejuar kontrollin. Brenda mjetit të deputetit, ishte vërtetuar se gjendje Bardhok Pllana. Edhe pas publikimit të raportit, Partia Socialiste nuk e përjashtoi Mark Frrokun nga grupi parlamentar i saj, ku ai bënte pjesë.

Ndaj tij nuk u mor asnjëherë asnjë masë. Me mosveprimin e saj, PS mori në mbrojtje deputetin që kishte mbrojtur një shumëtëkërkuar. A mund të ketë provë më të fortë se kjo për motivin përse bosët e krimit lëvizin lirshëm?

***

Nëse korrupsioni ka prekur nivelet më të larta të qeverisë, siç thuhet në një raport të Departamentit Amerikan të Shtetit, kjo ka ndodhur për shkak të shpërndarjes së parasë publike me komandim nga sipër. Dhjetëra biznemenë pranë kryeministrit janë denoncuar nga opozita si fitues tenderash publikë, herë pa garë, herë me ofertat me të larta. Dhe janë gjithnjë të njëjtët biznemenë apo deputetë të mazhorancës; Carapuli që ndërton shtëpinë e kryeministrit në Surrel dhe që vazhdon të marrë tendera milionash për rikonstruksion zyrash në OSHEE; Nushi që edhe pse tregton alkool e cigare fiton tenderin 120 milionë eurosh në shendësi për check up falas; Sadri Abazi që fiton tendera në Tiranë, Dibër e gjetkë me kompani të regjistruar në emër të familjarëve; Sulaj “i Tajavnit”, që sipas opozitës ka monopolizuar së fundi edhe përpunimin e naftës, djemtë e Valentina Leskajt që fitojnë tenderin e hekurudhës. Të gjithë këto emra dhe të tjerë, si Gjici apo Pjerin Ndreu, të denoncuar nga opozita, vazhdojnë të kenë të njëjtat “privilegje” nga mazhoranca. Si mund të luftohet korrupsioni, kur atë akuzohet se e bëjnë njerëzit më të pushtetshëm të mazhorancës? Si mund të veprojë drejtësia, kur një gjykatës që pezulloi drejtorin e policisë së shtetit, Haki Çakon, me kërkesë të prokurorisë për skandalin e pajisjes italiane të përgjimeve u bë objekt i një sulmi frontal nga vetë ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri?

Ambasadori amerikan thotë se shpreson që situata do të ndryshojë tani me miratimin e reformës në drejtësi, me ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Prokurorisë së Posaçme, SPAK. Por a do të mund t’i luftojnë këto struktuar autorët e kësaj situate, kur ata janë në krye të pushtetit dhe po e konsolidojnë gjithnjë e më shumë atë, në një kohë kur edhe ambasadorët e huaj mbeten “memecë” ndaj fenomeneve të rënda, siç është së fundi mbulimi i të gjithë vendit nga droga? /Lapsi.al

SHKARKO APP