Krimi ka dalë nga karantina
Nga Mili Xhani –
E hëna e kësaj jave ka rezultuar me një bilanc lufte. Brenda pak orësh janë regjistruar 6 viktima. 4 persona të vrarë në dy atentate të tipit mafioz dhe dy viktima të tjera që dyshohet se kanë vrarë veten. Të gjithë janë të tmerruar nga koronavirusi dhe rreziku për shëndetin e njerëzve, por nga dje më shumë po humbasin jetën nga plumbat sesa nga virusi. Ajo çfarë është më alarmante lidhet me faktin se kemi të bëjmë me ekzekutime të stilit mafioz
E hëna e kësaj jave ka rezultuar me një bilanc lufte. Brenda pak orësh janë regjistruar 6 viktima. 4 persona të vrarë në dy atentate të tipit mafioz dhe dy viktima të tjera që dyshohet se kanë vrarë veten. Në fshatin Lalm i Vjetër, në Lezhë, policia gjeti trupat e Preng Simonit dhe Kolë Murranit. Dy viktimat nuk rezultojnë me precedentë të mëparshëm penalë dhe është ende i paqartë motivi i ngjarjes, si dhe autori apo autorët që e kanë kryer atë. Pak orë më vonë, në Shënavlash të Durrësit në një atentat mafioz u vranë dy vëllezër. Besmir e Vikor Haxhiaj u ekzekutuan teksa ndodheshin në makinën e tyre me më shumë se 30 plumba. Policia ka nisur hetimet dhe ka shoqëruar rreth 25 persona, por ende nuk ka një version zyrtar të motiveve që çuan dhe ekzekutimin e dy vëllezërve. Ndërkohë në Elbasan dhe Përrenjas dy persona i kanë dhënë fund jetës. Në Elbasan një biznesmen 54-vjeçar u gjet i varur në banesën e tij. Ndërsa në Përrenjas një 30-vjeçar u gjete i pajetë nga familjarët 300 metra larg banesës.
Pas gati dy muajsh karantinë dhe rënie të kriminalitetit, qytetarët shqiptarë janë tronditur dje nga ngjarjet e rënda që kanë ndodhur. Vetëvrasjet në Qarkun e Elbasanit, edhe pse nuk ka të dhëna mbi shkaqet, janë një kambanë alarmi për pasojat sociale dhe psikologjike me të cilat po ndeshen shqiptarët. Lajmet e vetëvrasjeve nuk kanë munguar edhe gjatë ditëve të karantinës në qytete të ndryshme të vendit dhe janë sinjali i krizës sociale dhe depresionit ekonomik, të cilin deri më sot qeveria bën sikur nuk e sheh.
Ndërkohë atentatet në Lezhë dhe në Durrës janë edhe më shqetësuese. 4 vrasje në ditë janë një shifër jashtëzakonisht e lartë për një vend si Shqipëria. Teksa të gjithë janë të tmerruar nga koronavirusi dhe rreziku për shëndetin e njerëzve, në Shqipëri më shumë po humbasin jetën nga plumbi sesa nga virusi. Ajo çfarë është më alarmante lidhet me faktin se kemi të bëjmë me ekzekutime të stilit mafioz. Të paktën për rastin e Durrësit, atentati dhe mënyra e vrasjes tregon për grupe kriminale që kanë dalë nga karantina dhe janë vënë në lëvizje më ashpër se kurrë më parë. Tirana dhe Durrësi këto ditë kanë qenë zona të izoluara. Për të dalë me makinë të duhet leje të policia dhe mund të lëvizjesh vetëm brenda një orari të caktuar. Ndërkohë në Durrës, kriminelët kanë zënë pritë me makina, kanë zbrazur karikatorët e kallashnikovë dhe më pas kanë ikur po me makinë dhe nuk i ka parë askush. Kur duket se çdo qytetar kontrollohet nëse rri në shtëpi dhe kur del me makinë, krimi po rezulton edhe më i sofistikuar duke kryer vrasje edhe në kohën kur në rrugë janë vetëm forcat e policisë dhe të ushtrisë. Në çdo rrugë të vendit këto ditë mund të gjesh disa postoblloqe me policë dhe ndonjëherë ushtarë me blinda dhe mitraloz. Por këto masa duhet se nuk e pengojnë dhe as e trembin krimin që në mes të ditës të zbrazë automatikun dhe të shkojë i qetë në shtëpi.
Bilanci tragjik i ditës së djeshme është alarm për sigurinë dhe për një paralajmërim i zymtë për periudhën pas pandemisë. Në periudha krizash sociale dhe ekonomike krimi gjen terren dhe bëhet më i rrezikshëm se kurrë. Fatkeqësisht shqiptarët po fitojnë betejën me pandeminë, por po vriten me njëri-tjetrin.